Nëpunësit e Prishtinës me kurse për mësimin e gjuhës serbe

Për të përmirësuar komunikimin ndërmjet shërbimeve komunale dhe qytetarëve të nacionalitetit serb, komuna e Prishtinës ka filluar të organizojë kurse për gjuhën serbe për nëpunësit në administratë që punojnë me palë.

Nëpunësi 25 vjeç në komunën e Prishtinës, Bleart Rafuna tri herë në javë ndjek kursin e gjuhës serbe që mbahet në kuadër të komunës.

«Për kryerjen e punës sonë është shumë e nevojshme njohja e gjuhës serbe. Vijnë shumë serbë me të cilët duhet të merremi vesh. Unë, në radhë të parë, kam pasur dëshirë ta mësoj sa më mirë gjuhën serbe, e tjetër është se puna që e bëj kërkon të komunikoj me njerëz dhe kjo është arsyeja që ne duhet të flasim serbisht. Nga serbët ka të tillë që flasin shqip e edhe asi që nuk e dinë, prandaj komunikimi është më i vështirë», thotë Bleart Rafuna për tv N1, transmeton Koha.net.

Ligjëruesi në kursin me 50 vijues, thotë se është mjaft i kënaqur me interesimin.

«Sido që të jetë, një shembull i tillë mund të shërbejë edhe për komunat tjera. Fundja, e dini, ato kanë qytetarë që vijnë nga bashkësia serbe kështu që atyre do t’iu ndihmonte që të kuptohen më lehtë dhe t’iu dalin përballë qytetarëve e të merren vesh për kërkesat e tyre», thotë Davor Petroviq.

Zyrtarët e Prishtinës shpresojnë se edhe nëpunësit serbë që punojnë në komunën e Prishtinës do të paraqiten për të ndjekur kursin e gjuhës shqipe.

«Kemi brezat e vjetër që kanë mjaft probleme me gjuhën angleze, e edhe brezat e rinj që kanë probleme me gjuhën shqipe e serbe. Unë, për shembull, i takoj brezit për të cilin Jugosllavia nuk thotë ndonjë gjë dhe nuk kemi pasur qasje te gjuha serbe ashtu si kanë pasur prindërit tanë», thotë Saranda Bogujevci përgjegjësi për Kulturë në komunën Prishtinës.

Kurset e dy gjuhëve zyrtare në Kosovë kanë filluar të organizohen në 12 komuna në gjithë Kosovën e organizimin e tyre e ndihmojnë misioni i OSBE-së në Kosovë bashkë me Zyrën e administratorit për gjuhë në Qeverinë e Kosovës.