Nëpër shkallët e mashtrimit dhe të suksesit

Në përgjithësi është gabim të mendojmë se gjithmonë jemi të përsosur. Në fund të fundit, dyshimi në veten tonë na lejon ta vëmë veten në pikëpyetje gjithnjë e më shumë. Është e vetmja mënyrë se si vazhdojmë të zhvillohemi si profesionistë dhe si njerëz në përgjithësi. Andaj është mirë t’i përdorim dyshimet tona si instrument për t’i arritur qëllimet, por asnjëherë t’i lejojmë që të na pengojnë.

Foto: Shutterstock



«Kjo është Kaltrina, anëtarja më e re e ekipit, e cila do bëjë gjëra të mëdha edhe këtu, siç ka bërë në ekipe të tjera», thotë shefi im i ri në dhomën e konferencave. Kolegët e mi janë për 10 vjet më të moshuar se unë dhe zakonisht burra.

Sot fillova një punë të re, në një pozitë më të lartë, dhe i ka ndoshta tri apo katër vite që avancohem. Përherë me pritshmëri të mëdha, me fjalë të mëdha, me komplimente për punën, disiplinën. Unë buzëqeshi dhe ndihem mirë për një sekondë, por në sekondën e dytë më rrëmben ndërgjegjja ime.

Nuk kam bërë asgjë të keqe, nuk zhgënjeva askënd, nuk bëra punë të pistë dhe nuk gabova në asnjë mënyrë (me sa di unë), por prapëseprapë ndihem keq kur i dëgjoj lëvdatat.
Ndihem keq, sepse diku në mendjen time, unë jam e bindur që jam një mashtruese.

Nuk jam aq e mençur sa mendojnë, nuk jam aq e zonja sa mendojnë dhe nuk kam aq vetëbesim sa mendojnë – unë vazhdimisht ndihem pothuajse kam krijuar një imazh mashtrues në të cilin ata besojnë. Diçka që duket se jam, por nuk jam me të vërtetë. Shoqëria më thotë që jam e marrë, disa ndoshta edhe mendojnë se po i them këto gjëra që të marrë lëvdata edhe nga ata – që të ma dëshmojnë të kundërtën?

Këtë ndjenjë e kam pasur pothuajse gjatë tërë jetës sime: në shkollë, në universitet, madje edhe në punë. Jo, jo, në fakt edhe në jetën personale. Shoqëria ime do ju thotë se ndoshta jam njëri prej njerëzve më të drejtpërdrejt që e njohin dhe fakt është që e kam shumë vështirë të mos jap mendim të sinqertë – edhe nëse e di se do e lëndoj dikë me fjalë. Por kjo nuk ndryshon faktin se gjithmonë jam ndier si mashtruese.

Nganjëherë si për humor e krahasoja veten me Felix Krullin, personazh i romanit «Mashtruesi Felix Krull» të shkrimtarit gjerman Thomas Mann, i cili u ngrit në maja të suksesit vetëm e vetëm duke pretenduar se ishte i suksesshëm. Por, edhe ai një ditë u ekspozua. Edhe unë, si Felixi, isha në pritje të ekspozohem. Për çfarë krimi? Kushedi.

Në moshën 26-vjeçare ia shpjegova këtë ndjenjë një kolegut. Më kujtohet se kisha frikë ta hap këtë temë me dikë, me të cilin punoja, se ndoshta ai do mendonte se me të vërtetë kish diçka që unë fshihja. Për çudi ai u kthye dhe me tha: «Për këtë që ke ti ka një shpjegim psikologjik – e quajnë <Imposter Syndrom> dhe vazhdoi: <Shumë njerëz e kanë këtë sindromë, por nuk flasin me askënd pikërisht nga frika e ekspozimit». Më kujtohet që u hutova nga «diagnoza» e tij, por edhe u ndjeva e lehtësuar, sepse tanimë isha e bindur që nuk isha jashtë normës.

Sindroma e Impostorit, i njohur edhe si fenomen i mashtruesve ose sindromë e mashtrimit ose përvoja e mashtruesve, është një koncept që përshkruan individë me ambicie të larta që tregojnë një paaftësi për t’i brendësuar arritjet e tyre dhe tregojnë një frikë të vazhdueshme për t’u ekspozuar si «mashtrues».

Pikërisht kjo ishte që unë e ndjeja. E dija se nuk kisha bërë gabim, çdo fjalë në rezyme te unë ishte e vërtetë, çdo meritë ishte e ndërtuar mbi djersë, dituri dhe eksperiencën qe e kisha krijuar, por ia ku isha – me frikë që një ditë të gjitha do shemben para syve të mi.

Termi i kësaj sindrome u krijua në vitin 1978 nga psikologet klinike Pauline R. Clance dhe Suzanne A. Imes. Ato shkruajnë se për personat që vuajnë nga kjo sindromë e kanë problem të binden për kompetencat e tyre pavarësisht provave të jashtme dhe asnjëherë nuk mendojnë se e meritojnë suksesin që e kanë arritur.

Dëshmitë e suksesit i hedhin poshtë si fat kohe ose rezultat i mashtrimit të të tjerëve në mendimin se ata janë më inteligjentë dhe kompetentë se sa që janë me të vërtetë. Shumë psikologë sugjerojnë që kjo sindromë është veçanërisht e zakonshme tek gratë ambicioze.

Vazhdova duke bërë një hulumtim tek ca shoqe e mia dhe gra që i njihja si ambicioze, gra te suksesshme, madje shumë më të suksesshme se unë, të cilat i shihja si shembuj për atë që dua të jem.

Pothuajse të gjitha flisnin për simptomat e njëjta, të gjitha mendonin se disi ishin mashtruese apo që nuk ishin ato që të tjerët mendonin se ishin. Këtu pothuajse e mora një perspektivë tjetër. Unë ato nuk i shihja si mashtruese, në fakt në çdo hap dhe fjalë pothuajse e dëshmonin se pse janë aty ku janë sot. Dhe ndoshta kështu edhe mua me shikonin të tjerët?

Por në rrethin e grave me këtë sindrome nuk ishin vetëm shoqet e mia, por edhe gra te suksesshme në arenën ndërkombëtare si Sheryl Sandberg, drejtoresha e Facebook-ut, e cila në librin e saj «Lean On» shkruan: «Sa herë që u thirra në klasë, unë kam qenë e sigurt se do të më vënë në siklet. Sa herë që merrja një test isha e sigurt se kishte shkuar keq. Dhe çdo here që nuk e kam vënë veten në siklet ose madje pikërisht kur kam shkëlqyer, besova që i kisha mashtruar të gjithë përsëri.

Ajo vazhdon: «Ky fenomen i njerëzve të aftë duke u rrënuar nga vet dyshimi ka një emër – sindroma mashtruese. Burrat dhe gratë janë të ndjeshëm ndaj sindromës mashtruese, por gratë kanë tendenca ta përjetojnë atë në mënyrë më intensive dhe të jenë më të kufizuara nga kjo sindromë».

Edhe unë ndërsa i shkruaj këto fjalë, filloj ta vë në pikëpyetje se a nuk është mashtruese nga unë ta quaj veten të aftë? Ta përmendi problemin tim dhe ta krahasoj me dikë  sikur Sandberg me një karrierë shumëvjeçare monumentale? Është ironi që sindroma me shfaqet pikërisht atëherë kur jam duke e shkruar një artikull për të. Ndoshta kështu është më mirë, ngase nuk më lejon të ndalem të punoj, nuk më lejon të krijoj mendjemadhësi për arritje të vogla dhe nuk më lejon të pushoj asnjëherë.

Mendoj se në përgjithësi është gabim të mendojmë se gjithmonë jemi të përsosur. Në fund të fundit, dyshimi në veten tonë na lejon ta vëmë veten në pikëpyetje gjithnjë e më shumë. Është e vetmja mënyrë se si vazhdojmë të zhvillohemi si profesionistë dhe si njerëz në përgjithësi.

Andaj është mirë t’i përdorim dyshimet tona si instrument për t’i arritur qëllimet, por asnjëherë t’i lejojmë që të na pengojnë. Kështu që, ju njerëz të zgjuar, nuk jeni mashtrues, nuk jeni «vetëm me fat», i keni merituar të gjitha.