Nëntëvjeçarja, nuse e plakut 78 vjeç

Duke vallëzuar e kënduar në një sallë shkolle, Younisi i duket botës mbarë si një vajzë e zakonshme keniase, me buzëqeshjen e pafajshme dhe me uniformën ngjyrë gështenje.




Nuk duket sheshazi trauma që ka përjetuar edhe pse nuk ka më shumë se trembëdhjetë vjeçe.

Kur ishte vetëm nëntë vjeçe, prindërit e Younisit e detyruan të martohej me një burrë që kishte moshën e gjyshit të saj, shkruan sot «Koha Ditore». Por prindërit pretendonin se nuk po bënin kurrfarë shkeljeje, sepse kështu e lejonte tradita lokale samburu.

«Kur isha nëntë vjeçe babai më martoi me një burrë plak, që ishte 78-vjeçar», shpjegon Younis, duke përshkruar tragjedinë e saj, që nuk i ndahet edhe tani. «Shkova në shtëpinë e tij dhe qëndrova një javë aty». «Ai më tha se do të bëhesha grua, por unë nuk kisha asnjë faj. Doja të shkoja në shkollë. Por ai burrë donte që t’i bëhesha gruaje e tretë. I thashë se nuk do të bëhem gruaja jote dhe ai më rrahu me shkop».