«Nënë Tereza» bashkon sot në Graçanicë të rinjtë e Ballkanit

Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës «Nëna Terezë» në bashkëpunim me organizaten «Qendra për regjionalizëm» në Novi Sad, Serbi, dhe me mbështetje të plotë nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur-KCSF, Prishtinë, zhvillon sot një konferencë rajonale rinore me temë: «Situata e sigurisë në rajon - Rinia dhe radikalizmi politik».




Kjo konferencë mbahet në Hotel Ulpiana në Graçanicë dhe fillon nga ora 10:00, transmeton Koha.net.

Në këtë konferencë pritet të marrin pjesë të rinj nga Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Serbia e Maqedonia, ndërsa në cilësinë e panelistëve do jenë të angazhuar ekspertë/njohës të kësaj fushe nga gjashtë shtetet ballkanike.

Qëllimi i konferencës është diskutimi mbi fenomenin e radikalizmit në përgjithësi nga këndvështrimi i të rinjve, përfshirë diskutimet mbi situatën aktuale në raport me radikalizmin në shtetet përkatëse, qasjen institucionale dhe sociale kundër zhvillimit të radikalizmit si dhe diskutimi interaktiv mbi të gjitha format e pranishme të radikalizmit në shoqëritë dhe shtetet ballkanike. Theks i veçantë do t’u dedikohet rekomandimeve dhe ideve të të rinjve lidhur me angazhimin institucional e shoqëror, sfidat, hapat dhe veprimet që duhet të ndërmerren nga akterët relevantë rreth sensibilizimit për ta luftuar dhe parandaluar përhapjen dhe shtrirjen e të gjitha formave të radikalizmit në shoqëritë dhe shtetet ballkanike.