«Nënat myslimane i edukojnë bijtë e tyre si të bëhen dështakë»

Zana Ramadani në bestsellerin e saj «Die verschleierte Gefahr» (Rreziku i mbuluar) shkruan kundër maçove, nënave që i llastojnë djemtë dhe botës perëndimore që jeton në iluzionin e integrimit të të huajve.

Zana Ramadani. Foto: Die Welt



Ju në librin tuaj ziheni me të gjithë: me politikën, para së gjithash me të majtët, me feministet, me debutuesit në rubrikat e kulturës, islamin konservator, maçot myslimanë dhe nënat e tyre. A keni nevojë për mbrojtje policore?

Këtë mbrojtje është më zor ta fitosh se ç’mendohet. Unë kam dorëzuar padi të panumërta, por duke qenë se kërcënimet, sidomos në mediat sociale, janë anonime, policia nuk mund të bëjë shumë. Prandaj vitin e kaluar kërkova një leje për armë.

Kush reagon më ashpër?

Feministet që merren me çështje gjinore. Ato ma kontestojnë formimin arsimor, më quajnë një rast të izoluar dhe më relativizojnë. Nga myslimanët konservatorë nuk marrë kritikë, ata vetëm kërcënojnë.

Si duken këto kërcënime?

Ah, këtu ka nga të gjitha. Ata më quajnë kurvë, kërcënohen me përdhunim, vrasje dhe, që kur jam shtatzënë, me atë se do ma shkallmojnë fëmijën nga trupi.

Keni frikë?

Do të ishte absurde sikur të thosha jo. Më preokupon, po, por mundohem që të mos ndikohem.

A shikohet si gjë sidomos e keqe, kur ju si myslimane e kritikoni islamin?

Sikur të isha gjermane, do të më quanin lapere naziste dhe raciste, kjo është akuza që dëgjohet përherë. Fakti që jam myslimane e bën më të vështirë dhe së këndejmi më keq. Që unë si grua po kritikoj, është më e keqja fare. Dhe, kështu më marrin për të çmendur dhe të traumatizuar. Por edhe më druhen më shumë, sepse e di fort mirë se çka them. Kundërshtarët e mi, kurdo që është e mundur, i shmangen të ulen përballë meje në ndonjë emision debatues.

Çfarë keni kundër feministeve? Një kohë keni qenë vetë anëtare te Femen?

Unë kam vetëm diçka kundër një takëmi të caktuar të feministeve. Sidomos kundër atyre që flasin për solidaritetin mes grave, por që nuk e zbatojnë në praktikë. Ato mendojnë se e keqja e vetme është burri i bardhë perëndimor, dhe ky mund të kritikohet pandërprerë, gjersa kritikën ndaj përfaqësuesve të një kulture të huaj, e cila është njëlloj përçmuese ndaj grave, e përshkruajnë automatikisht si raciste. Feminizmi merret me të drejtat e njeriut: mund të kritikosh gjithçka dhe të gjithë, që i shkelin të drejtat e grave, edhe myslimanët. Kur feministet për këtë më kritikojnë si raciste, atëherë kam një problem me konceptin e tyre të feminizmit.

Prandaj jeni larguar nga Femen?

Kjo ishte njëra prej arsyeve. Femen ka tërhequr gjithnjë e më shumë këso feministesh gjinore. Pra, shkoi aq larg, saqë në shenjë proteste kundër FIFA-s, donin ta digjnin një flamur gjerman në memorialin e Holocaustit, dhe njëra shkroi në gjoks «Bomber Harris, do it again». Kjo është e papranueshme.

Familja juaj u largua nga Maqedonia në Gjermani, kur ju ishit vetëm shtatë vjeçare. Ndërsa babai juaj progresiv filloi një jetë të re, nëna juaj u ngurtësua. Përse?

Kam pasur fat të madh që babai im ishte i shkolluar. Ai rridhte nga një familje liberale, asnjë grua nuk mbante shami. Kur erdhëm në Gjermani, ai i shmangej kontaktit me shqiptarë të tjerë, në vend të kësaj ishte aktiv në jetën e fshatit, mësoi menjëherë gjermanisht dhe na fliste vazhdimisht për atë se sa e rëndësishme është gjuha dhe se duhej të përpiqeshim.

Po nëna?

Ajo nuk u gjend si duhet. Ajo telefononte çdo javë me orë të tëra me familjen e saj në shtëpi dhe ngeli e burgosur në këtë botë. Vlerat dhe morali i atjeshëm, që babai im nuk i kishte pëlqyer kurrë, kundër ngushtësisë dhe kufizimit të të cilave ai kishte rezistuar, për të u bënë gjithnjë e më të rëndësishme. Duke qenë se gjermanët konsiderohen si jobesimtarë dhe gratë gjermane si lapere, me rritjen time, asaj i dukej se duhej të më kontrollonte. Pra, duke qenë se mund ta njollosja nderin familjar unë më nuk do të martohesha me një shqiptar. Dhe, për këtë fajtore do të ishte ajo.

Gratë vazhdojnë të bëjnë atë nga çka kanë vuajtur vetë dikur?

Gratë janë shtypëset më të mëdha të vajzave. Prandaj do të ishte kaq me rëndësi që të investohet në integrimin e grave, atyre t’u tregohen të arriturat e botës perëndimore, sepse në botën myslimane përgjegjëse për ruajtjen e nderit familjar janë ato dhe jo burrat. Djemtë mund të shesin drogë, të jenë të dhunshëm, kjo s’përbën ndonjë problem për nënën, sepse me këtë nuk dëmtohet nderi familjar. Por virgjëria e vajzës – duhet të ruhet me çdo çmim. Nëse kjo nuk ruhet, atëherë nëna ka dështuar, e ka turpëruar familjen. Prandaj nëna ime i solli vëllezërit e saj. Unë në të njëjtën mbrëmje ika në shtëpinë e grave, sepse kisha drojë se do dërgohesha në Maqedoni e do të martohesha.

Nënat myslimane ju i përshkruani keq: ju shkruani për një «kult» fatal «të djelmoshave».

Sepse djemtë edukohen të bëhen princër. Ata llastohen, përkëdhelen, shërbehen dhe me këtë edukohen si të bëhen dështakë. Ata dështojnë, sepse Perëndimi është një shoqëri e rezultateve, kurse ata në shtëpi mësohen për diçka krejt tjetër. Ata nuk e kuptojnë se prej tyre kërkohet diçka, se duhet të përpiqen. Dhe kështu dështojnë. Fajtorë janë të gjithë të tjerët: mësuesja, laperja e pabesë, e cila nuk guxon ta kundërshtojë djalin, apo perëndimorët në përgjithësi; të cilët janë të gjithë racistë dhe nuk u japin shans myslimanëve.

Ju shkruani se i shmangeni disa lagjeve në Berlin, si për shembull Neuköllnit: atje shiheni si tabelë qitjeje. A nuk është kjo e tepruar?

Jo. Në Neukölln, Wedding dhe Kreuzberg ka rrugë ku si grua nuk mund të kalosh, sidomos jo gjatë verës. Është një kalim në shtegun e shigjetave, të ngucin. Para pak kohe e parkova veturën në Neukölln dhe një mysliman i ri më bërtiti: «Ej, lapere, shporru, këtë parking dua ta marr unë.» Të sigurt aty e kam ndjerë veten vetëm njëherë: vitin e kaluar kur për një reportazh mbaja një hixhab – për herë të parë nuk më vërejtën burrat. Nuk është e mundur që si grua në një qytet gjerman të respektohem vetëm atëherë kur jam e mbuluar.

Prandaj rezistoni kaq vendosmërisht kundër shamisë?

Shamia është shenjë e aparteidit gjinor. Kudo ku depëton islami politik, pason mbulimi i grave. Përpara shamia shërbente për t’i dalluar gratë e ndershme nga skllavet, të cilat mund të përdoreshin. Përdoreshin, po, kështu quhet kjo. Mbi këtë mendim bazohet shamia, dhe vlen akoma: me këtë dallohen gratë e virtytshme nga të pavirtytshmet. Prandaj gratë perëndimore konsiderohen lapere, të cilat mund të ngacmohen.

Këtë e mendojnë myslimanët të cilët jetojnë në gjeneratën e tretë në Perëndim?

Ah, duhet t’i dëgjoni njëherë se si flasin shumë prej tyre për perëndimorët. Kjo është Pegida në turqisht. Apo në shqip, ose arabisht.

Megjithatë: besimtaret myslimane që mbajnë shami këmbëngulin në të drejtën e tyre për të vendosur vetë.

Kjo me vetëvendosjen është një përrallë. Miliona gra në vendet myslimane nuk kanë zgjedhje nëse duan të bartin shami apo jo. Në Iran ato i rruajnë flokët për shkak të kësaj. Dhe këtu flasin për liri? Unë dëshiroj ndalimin e shamisë, para së gjithash në shkolla, së paku atje vajzat myslimane duhet mund të jenë të lira. Për vajza të moshës minore shamia duhet të jetë gjithashtu e ndaluar: kur ua mbulon kokën 12-vjeçareve, i seksualizon ato, ndërkohë që ato janë ende fëmijë! Më zemëron kur dikush nga mirëkuptimi i tepruar nuk i sheh këto marrëdhënie.

Pikërisht këtë mirëkuptim për islamin e radikalizuar ju e quani përgjegjës. Një tezë e guximshme.

Jo. Politika prej vitesh i bën temena islamit konservator, përfaqësuesit e saj ftohen në çdo emision debatues. Ndërkohë atyre nuk u intereson spiritualiteti, por vetëm politika. Njëkohësisht, myslimanët e moderuar nuk i dëgjon askush, sepse ata nuk janë kaq të zhurmshëm. Dhe nuk kanë kaq shumë para. Prandaj edhe ata myslimanë, që deri në kapërcyell të mijëvjeçarëve nuk kishin vizituar ndonjëherë xhaminë – pra shumica absolute – befas kanë përshtypjen se të jesh mysliman qenkësh një identitet më vete. Dhe që ata nga «të tjerët», gjermanët apo zviceranët, gjoja diskriminohen dhe duhet ta mbrojnë identitetin e tyre mysliman. Tolerantët në mesin e myslimanëve nga toleranca e tepërt perëndimore detyrohen t’u dorëzohen konservatorëve në mesin e myslimanëve.

Ju po shkoni një hap më tej: ju po e bëni islamin përgjegjës për islamizmin.

Asnjë fe tjetër nuk nxjerr kaq shumë vrasës sa islami. Nuk mund të thuash thjesht, këto nuk kanë të bëjnë kurrgjë me njëra-tjetrën. Natyrisht që kanë te bëjnë. Këtu as nuk duhet të kërkosh falje, apo të justifikohesh. Myslimanët më me qejf e shohin veten si viktima, në vend që të jenë vetëkritikë. Mirëpo bash këtë po ua çmëson atyre islami i prapambetur, sepse ai është i fiksuar në botën e përtejme, jo në këtë botë. Nuk ekziston interesimi për përparim apo për të shtruar pyetje. Për shembull këtë: përse në një xhami, një shtëpi të shenjtë, në një vend të spiritualitetit, predikohet urrejtje? Fakti që nuk merrni asnjë përgjigje në këtë, i thotë të gjitha.

(SonntagsZeitung)/ks