Nëna

Foto: Shutterstock



Askush nuk e vlerësoi të madhe
veprën tënde.
Ti ishe nënë e dhjetë fëmijëve
që i rrite të gjithë.

Ndonjëherë pati raste
kur ti ndoshta mendoje
se gjithçka u zhvillua mirë
por a gëzove ndonjëherë qetësi,
a u mbush shpirti yt i lodhur
me lumturi të vërtetë?

Dy gjëra i përjetove
flijimin dhe shqetësimin.
U ende andej-këndej
pa ndërprerë kujdesin.

Kur ata ishin të vegjël,
shkollimi, veshja dhe ushqimi
dyshimi ndaj çdo shoku të ri
dhe ushtrimet e tyre për ty të vështira
– mandej, kur ata flenin e shtyhej nata,
një shqetësim, një profetim i zi
se të gjithë nuk do të merrnin pjesë
në interes të vendit të shenjtë
kur ti këndoje „ti e lashta dhe ti e lira“.

Në çdo vjeshtë iknin nga shtëpia.
Ti qëndroje në këmbë një minutë të vështirë
dhe shikoje në tren të lagur nga shiu
ndonjë stazhier apo inxhinier
që dukej i menduar seriozisht,
djali yt i vogël, djali yt i rritur!
Ti ktheheshe në shtëpi e lagur dhe e  mërzitur.
Aty kishte të tjerë për kujdesin tënd,
për t’i mësuar njehsim e dije
– por në një krevat shtrihej një hije.

Disa nuk kaluan mirë
kur i shoqërove në ditë shtatori.
Ti e prite dështimin e tyre
me qetësi të çuditshme.
Ti u kujdese më shumë
për ata që kishe në shtëpi
pjellë të gjakut dhe shpirtit tënd
– kështu iku edhe i fundit me një lamtumirë
me qëndrim si burrë në prag të derës.

Një vit njëri të përkëdheli ballin
me kujdes e dashuri
dhe përmendi një emër të huaj.
Një tjetër vit erdhi një tjetër.

Kështu me kohë u zgjerua rrethi yt
Kështu me kohë u rrit përqafimi yt.
Tash erdhi koha për vizita rretherrotull
dhe të kujdesesh për ndonjërin
që zvarritet me barrë dhe me shikim ëndërrues
dhe të mbash për pagëzim nipa e mbesa duke qarë.
Por kur rrije ndonjëherë me duar të lira mbi gjunj,
dëgjoje rreth teje një kor të zëshëm,
një fis zhurmues për kujdesin tënd.

Aty janë fëmijët që kërkojnë ujë
kur askush nuk kujdeset për ta,
aty është rinia që qan mbi jastëk
diku në mesnatë,
aty janë të rriturit që kanë dëshirë
të vijnë në shtëpi nga bota e zhgënjimit.
Ky fisi yt
i fortë dhe i madh
përballon vështirësi dhe shqetësime.
Larg në radhët e para
ti prin përsëri
si nënë pa qetësi.

Tani ti je një trup i vyshkur.
E lodhur. E vdekur.
Por mbi kufomën e varfër
qëndron vepra madhështore
– dashuria jote që përballoi shumëçka
gjatë moteve në këtë botë.

Përktheu: Kosovë Rexha – Bala