Nemanja Stjepanoviq: Kryeministrja serbe është një injorante dhe gënjeshtare, ndërsa drejtësia e Serbisë i ka mbyllur sytë para kriminelëve të luftës

Aktivisti i njohur për të drejtat e njeriut nga Beogradi, Nemanja Stjepanoviq, e ka demaskuar me fakte kryeministren serbe Ana Bërnabiq.

Ana Bërnabiq siç e ka parë karikaturisti i njohur Predrag Koraksiq.



Në një shkrim të botuar në portalin «Peshçanik» Nemanja Stjepanoviq shkruan se nëse Ana Bërnabiq kupton aq për ekonominë sa u pa se kupton për krimet e luftës dhe nëse çështjet ekonomike i percepton si vitet e nëntëdhjeta të luftës, atëherë mjerë ajo ekonomi dhe mjerë ajo Serbi. Stjepanoviq i referohet intervistës që kryeministrja e Serbisë i dha Deutsche Welles, ku mohoi gjenocidin në Srebrenicë. Sipas Stjepanoviq në këtë intervistë Bërnabiq është shfaqur si injorante e pashpresë dhe jo e gatshme për të realizuar reformat për të cilat betohet se do t’i realizojë, e prirë për mashtrime në vend të plotësimit të kërkesave të BE-së në rrugën e integrimit. Bërnabiq, nënvizon Stjepanoviq, beson se partnerët europianë do ta marrin si të vërtetë një rrenë që përsëritet njëqind herë nga pala serbe.

Stjepanoviq ka dëshmuar me fakte se nuk qëndron deklarata e Bërnabiq se Serbia është ballafaquar mjaft me të  kaluarën, madje kryeministrja serbe tha se ishte krenare se si Serbia e ka trajtuar të kaluarën. Stjepanoviq ka bërë një krahasim me Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Kësisoj, pretendimi i Bërnabiq se Serbia ka iniciuar më së shumti procese gjyqësore kundër kriminelëve të luftës bie në ujë. Që nga themelimi i Prokurorisë për Krime të Luftës më 2003 në Serbi janë hapur vetëm 67 lëndë kundër 186 kriminelëve potencialë të luftës, shkruan Stjepanoviq.

Bosnjë-Hercegovina, ndërkaq, ka hapur 409 lëndë kundër 819 të akuzuarve për krime të luftës. Një raport i Prokurorisë Shtetërore të Kroacisë numëron mbi 2000 të akuzuar, mes të cilëve një numër i madh janë dënuar në mungesë. Serbia, shton Stjepanoviq, nuk është lidere në rajon sa i përket ndjekjes së kriminelëve të luftës. Prej 186 të akuzuarve deri më tani në Serbi plotfuqishëm janë dënuar 63 veta, të tjerët ose janë liruar ose ende gjenden para gjyqit.

«Më tutje, Serbia kurrë nuk e ka dënuar asnjë oficer të ushtrisë apo policisë, as nuk ka akuzuar ndonjë komandant të nivelit të lartë ushtarak apo policor. Përkundër vërejtjeve të drejta që mund t’i bëhen Kroacisë në lidhje me po këtë çështje, prapë qëndron fakti se para gjyqeve të këtij shteti janë akuzuar dhe dënuar disa peshq të mëdhenj – Mirko Norac (i dënuar), Rrahim Ademi (i liruar), Tomislav Merçep (i dënuar), Branimir Gllavash (gjykimi duke u zhvilluar). (…) Të mos flasim për Bosnjë-Hercegovinën – vështirë se mund të quhet drejtësi më pak e suksesshme ajo që ka dënuar apo gjykon pjesëtarët e rangut të mesëm apo të lartë të Armatës së Bosnjë-Hercegovinës (ta zëmë, gjeneralët Sakib Mahmulin dhe Atif Dudakoviq), Këshillit Kroat të Mbrojtjes (shembulli i dhjetë të akuzuarve nga Orashje) dhe policisë dhe ushtrisë së Republika Srpskës», shkruan Nemanja Stjepanoviq.

Serbia, sipas Stjepanoviq, gjatë gjithë kohës po i bën obstruksion drejtësisë së Bosnjë-Hercegovinës, duke iu ofruar strehim të akuzuarve apo të dënuarve për krime lufte. Në Serbi jetojnë në rehati ministri i luftës i policisë së Republika Srpskës, Tomisllav Kovaq, dhe komandanti i një njësie të ushtrisë së Republika Srpskës, Millorad Pelemish – të dy në Bosnjë janë të akuzuar/dyshuar për pjesëmarrje në gjenocidin e Srebrenicës. Në Serbi po i kalon në qetësi ditët e pensionit edhe oficeri i ushtrisë së Republika Srpskës, Novak Gjukiq, i cili më 2014 është dënuar në Bosnjë me 20 vjet burg për shkak të vrasjes së 71 fëmijëve me rastin e granatimit të Tuzlës. Gjatë procesit të apelimit, ai iku në Serbi, ku iu afrua strehim dhe mbrojtje. Kjo është Serbia – lidere e rajonit në ndjekjen e kriminelëve të luftës, shkruan Stjepanoviq me ironi.
E.R.