«Në Zvicër u pranohet azili, në Gjermani dëbohen»

Europa nuk është unike në trajtimin e refugjatëve nga Ballkani perëndimor. Gjermania vlerësohet si vendi më i rreptë nga të tjerët për azilkërkues nga ky rajon.




Nga vendi në vend ndryshon trajtimi i refugjatëve nga Ballkani në Europë. Italia, për shembull, vitin e kaluar i ka pranuar gjymën e shqiptarëve që aplikuan për azil – 70 nga 140 veta. Franca ka pranuar 9,5 për qind të 5’840 vetave nga Shqipëria; në Mbretërinë e Bashkuar – 17,8 për qind. Luksemburgu, Hungaria, Finlanda dhe Holanda nuk kanë pranuar asnjë shqiptar. Në Zvicër, e cila për vendimet e rrepta popullore qëndron vazhdimisht në fokus të opinionit publik europian, ua ka njohur 11,7 për qind të shqiptarëve azilin; 37 për qind të serbëve dhe 41 për qind të kosovarëve. «Në Gjermani, azilkërkuesit nga Ballkani nuk kanë praktikisht shanse për t’iu njohur azili», raporton «Der Tagesspiegel».

Të gjelbërtit e Gjermanisë mendojnë se sidomos komuniteti i romëve ka më shumë arësye për t’u larguar. Në Serbi, sipas një përfaqësuesi të tyre, jetojnë pa letra shumë romë nga Kosova. Ata i ekspozohen vazhdimisht dhunës dhe nuk përfitojnë asgjë nga shteti aty. Për të, fakti që këta njerëz në vendet tjera pranohen, kurse në Gjermani refuzohen, tregon që në këtë vend aplikimet nuk shihen me kujdes. Romët, e transmeton raporti përfaqësuesin e të gjelbërtve, janë një popull në Europë që përndiqen vazhdimisht. Ata nuk kanë shtetin e tyre, kurse vendlindja iu mirret vazhdimisht. Sipas tij, Gjermania ka një obligim të veçantë ndaj këtyre njerëzve për shkak të historisë.

Vendet nga vijnë më së shumti azilkërkues në Gjermani janë pesë shtete të Ballkanit. Kështu e thonë statistikat për 2015-tën. Ndonëse, vërenë gazeta, në vendn e parë vazhdon të jetë Siria me 34’428 aplikacione për azil. Por menjëherë në vendin e dytë vjen Kosova me 31’400 kërkesa për azil dhe pas saj Shqipëria me 22’209 aplikacione. Nga Serbia, Gjermanisë i janë drejtuar për azil 15’822 veta. Pas këtyre vendeve vijnë Iraku, Afganistani, Maqedonia, Bosnja, Eritrea dhe Nigeria. Dhe përqindja e pranimit të azilkërkuesve nga Ballkani në Gjermani është jashtëzakonisht e vogël. Varësisht nga vendi, ajo sillet nga 0,1 deri në 0,4 për qind. Kjo, sipas medies, i bie dukshëm më pak se mesatarja e UE-së.

Varfëria dhe pakënaqësia politike, sipas konventave të Gjenevës, nuk janë relevante për azil – sjell gati me ironi media. Shërbimi i Mediave për Integrimin ka hartuar një listë të problemeve, me të cilat konfrontohen vendet e Ballkanit. Në të gjitha vendet përmendet raporti i ashpër me romët, duke veçuar posaçërisht Kosovën. Shqipëria, transmeton ai, vazhdon të vuajë nga korrupsioni, krimi i organizuar dhe ekonomia klienteliste. Ndërsa përqindja e njerëzve që jetojnë në varfëri, nga 2008-ta në 2012-tën është rritur për 2,2 për qind. Serbia është në vitin e gjashtë të recesionit, kurse vërshima e majit të vitit të kaluar e ka vështirësuar akoma më shumë gjendejen edhe ashtu të nderë të jetesës atje. Në Maqedoni, kryemnistri Gruevski është rrugës së një autokracie, vërenë raporti gjerman. Përveç situatës së tensionuar ndëretnike ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, vijnë edhe problemet me diskriminimin dhe dhunën ndaj romëve dhe homoseksualëve. Edhe Bosnja karakerizohet nga vendnumrimi politik dhe ekonomik. Nga tensionet ndërtnike – po se po.

Nga mesi i kësaj jave ministri i brendshëm gjerman do t’i publikojë prognozat e azilit për të ardhmen, dhe numrat priten të jenë akoma më të lartë. Për tërë vitin priten të jenë 450’000 veta. Nëpër biseda të ndryshme spekulohet edhe për 600’000, bilez për 750’000 veta dhe deri një milion. Kjo shpie te kërkesat për procedimin akoma më të shpejtë të rasteve nga Ballkani, përkatësisht kthimin e tyre të shpejtë. Ministri i jashtëm gjerman së fundmi e konfirmoi edhe njëherë: Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia janë duke dashur të afrohen me UE-në, vetëm për këtë ata nuk mund të trajtohen si vende «përndjekëse». Fjalën e fundit e ka thënë vet kancelarja Merkel: Azilkërkuesve nga këto vende nuk duhet krijuar ilizione, përndryshe nuk mund t’u ndihmohet si duhet atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmën e Gjermanisë. ks