Në Zvicër shembet një kodër

Në kantonin Graubünden të Zvicrës, një parajsë e alpinizmit, është shembur një pjesë e kodrës Piz Cengalo. Disa shtëpi janë mbuluar nga dheu e gurët, një fshat i tërë është evakuuar, 8 persona janë zhdukur pa gjurmë.

Pamje nga fshati Bondo pas shembjes së kodrës.



Po të mos ishte tragjedi, mund të quhej spektakël natyror: në kantonin Graubünden të Zvicrës, një parajsë e alpinizmit, të mërkurën janë shembur 4 milionë kub dhe e gurë nga kodra Piz Cengalo. Masa e dheut dhe gurëve ka mbuluar disa shtëpi në fshatin Bondo. Shumica e 200 banorëve të fshatit janë evakuuar, kanë njoftuar autoritetet të enjten.

Fillimisht autoritetet njoftuan se nuk kishte viktima, por më vonë kjo u demantua. Së paku tetë persona janë zhdukur pa gjurmë – zviceranë, gjermanë dhe austriakë. Bëhet fjalë kryesisht për turistë, të cilët kalojnë ditët e verës duke ecur nëpër kodrat dhe bjeshkët e rajonit. Më shumë se 120 policë, zjarrfikës dhe pjesëtarë të mbrojtjes civile janë angazhuar për të përballuar pasojat e shembjes së kodrës.

Sipas autoriteteve shembja kishte fuqinë e një tërmeti prej tre shkallësh. Ekspertët presin shembje të tjera, ndërkohë që banorët kanë gjetur strehim te të afërmit, në qendra të mbrojtjes civile dhe në spitale. Policia ka deklaruar se është duke i ruajtur shtëpitë dhe hyrjen në fshat për të evituar plaçkitjet eventuale. Shkencëtarët e klimës supozojnë se shembja është pasojë e ndryshimeve klimatike. Që në vitin 2011 nga Piz Cengalo ishte shembur një pjesë e konsiderueshme. Në rajon është i montuar një sistem alarmi. Menjëherë pas shembjes të mërkurën reagoi sistemi i alarmit dhe semaforët ndezën dritat e kuqe për të bllokuar qasjen në rajonin e rrezikuar. (dp)