Në Zvicër shtohet edhe numri i popullsisë, edhe i ikjeve edhe i lindjeve edhe i natyralizimeve

Në fund të vitit 2015 në Zvicër banonin 8,33 milionë njerëz. Kjo domethënë 89'500 më tepër se më 2014. Mirëpo nuk është shtuar vetëm e imigrimi, por edhe emigrimi.

Foto: Lee Yiu Tung / Shutterstock.com

Numri i marrjes së shtetësisë zvicerane vitin e kaluar është rritur për rreth 25 për qind. Në numra absolutë, shtetësinë zviceranë e kanë marrë 40’700 migrantë. Kështu i transmeton «20 Minuten» shifrat e Entit Federal Statistikor e 2015 për zhvillimin demografik të Zvicrës.

Të dhënat më interesante kishin dalë që në prill. Kështu në fund të 2015-tës Zvicra kishte 8,33 banorë, që i bie 89’500 më shumë se më 2014. Me këtë popullata migrante e kalon për herë të parë kufirin prej 2 milionëve.

Një faktor i rëndësishëm që e shpjegon shtimin e popullsisë në Zvicër llogaritet të jetë migracioni. Më 2015 në Zvicër kanë ardhur 188’500 veta, që i bie 0,6 për qind më shumë se më 2014. Duke qenë se njëkohësisht edhe ikjet janë shtuar më shumë se ardhjet, saldoja e migracionit ka rënë për 5,7 për qid.

Në total Zvicrën e kanë lëshuar 116’600 veta, që i bie një rritje prej 5 për qind. Ky është kulminacioni i ikjeve nga Zvicra që nga viti 1992. Sipas shifrave të Entit Federal të Statistikave, shumica e migrantëve që vijnë këtu, a e lëshojnë Zvicrën, janë nga Italia, Franca, Gjermania, Portugalia dhe Spanja.

Në rritjen e numrit të përgjithshëm të popullatës së Zvicrës ka kontribuar edhe shtimi i numrit të lindjeve, domethënë diferenca ndërmjet lindjeve dhe vdekjeve. Kjo më 2015 shkonte në 19’000 veta. Në këtë pikë Zvicra dallon nga shumë vende të UE-së. Gjermania, Greqia, Italia apo Portugalia shënojnë më shumë vdekje se lindje. ks