Në Vlorë shënohet viktima e parë nga përmbytjet

Mbrëmë një shi i dendur në Shqipëri ka shkaktuar vërshime në disa qytete duke paralizuar lëvizjen.




Përmbytjet në Vlorë kanë shkaktuar viktimën e parë. Trupi i pajetë i një qytetari është gjetur pranë bregut të detit. Autoritetet e kanë identifikuar dhe konfirmuan se vdekja është shkaktuar nga përmbytjet.

Përveç Vlorës edhe Fieri ndër qytetet më të dëmtuara nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut.

Në Vlorë uji ka hyrë në dhjetëra biznese e shtëpi që i ka bërë të pabanueshme. Pjesa më e madhe e rrugëve kryesore ka qenë gjatë gjithë natës nën pushtetin e ujit.

Kurse në Fier, zona përgjatë lumit Gjanicë që kalon përmes qytetit është nën ujë, niveli i të cilit ka arritur deri në katet e dyta të disa ndërtesave që janë afër bregut. Dalja e Gjanicës nga shtrati ka bllokuar unazën e qytetit dhe ka ndërprerë lëvizjen e makinave drejt Vlorës.

Në lagjen «1 Maji» në Fier uji ka arritur në afro dy metër. Në dy qytetet situata po menaxhohet nga shtabet e emergjencave.

Përmbytje kanë përfshirë edhe qytete të tjera si Lushnja, Berati e Gramshi.