Në Vlorë policia konfiskon mbi një tonelatë drogë

Policia dispononte informacion të besueshëm se kjo sasi me lëndë narkotike do të trafikohej në ditët në vijim nëpërmjet ujërave detare drejt shtetit Italian

Pamje nga Vlora. Foto: Shutterstock



Policia e Vlorës ka konfiskuar të enjten një tonelatë e 255 kilogramë lëndë narkotike, e dyshuar të jetë kanabis. Forcat e rendit kanë prangosur një 55-vjeçar nga fshati Peshkëpi i Vlorës gjatë operacionit antidrogë të koduar «Underground».

«Lënda narkotike ishte fshehur poshtë banesës së këtij shtetasi, nëpër tunele të nëndheshme të hapura posaçërisht për fshehjen e saj, të vendosura nëpër paketime të mbështjella me qese plasmasi dhe natriban ngjitës. Policia dispononte informacion të besueshëm se kjo sasi me lëndë narkotike do të trafikohej në ditët në vijim nëpërmjet ujërave detare drejt shtetit Italian», thuhet në një njoftim.

Policia thekson se kjo sasi droge e fshehur në tunele është realizuar në bashkëpunim dhe me persona të tjerë dhe policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre. Një prej personave të dyshuar është dhe vëllai i të arrestuarit, i cili aktualisht është në kërkim për prodhim dhe shitje narkotikësh që prej vitit 2012, kur është dënuar me dy vite burg.

Si provë janë konfiskuar përveç sasisë së drogës dhe dy automjete me të cilat dyshohet se do të bëhej transportimi i saj, makineri për presimin e lëndës narkotike, fishekë, qese vakumi si dhe materiale të tjera të gjetura në vendngjarje. (ATSH)