Në vitin 2018 të bëjmë së paku dy-tre hapa përpara për të rithemeluar Republikën e Kosovës

Sivjet asnjë firmë kosovare nuk do ta dërgojë askënd për pushime në qiell. Këtë mbase do ta bëjnë amerikanët, por dy-tre hapa për ta bërë Kosovën Republikë normale – këtë mund ta bëjmë. Si bëhet kjo? Duhet një aleancë e njerëzve që kanë ideale për Kosovën. Këta që kanë pushtetin, nuk kanë më ideale. Nëse kanë pasur ndonjëherë (me ndonjë përjashtim). Shkathtësia barbare me të cilën e rrjepin Kosovën që nga viti 1999 (e disa edhe më herët përmes fondeve të luftës) tregon se kemi të bëjmë me një strukturë njerëzish moralisht të kalbur. Opozita e tanishme e ka një shans të krijojë një aleancë për ndryshim. Duhet tejkaluar inatet, egot, armiqësitë shpeshherë të shpifura për të rithemeluar Republikën e Kosovës.

Foto: Shutterstock



A keni dëgjuar për «Mannequin Skywalker»? Ndoshta po, mbase jo. Në vitin 2018 do të dëgjoni e lexoni më shumë për «Mannequin Skywalker». Është një kukull, të cilën firma amerikane Blue Origin e ka dërguar në qiell – si objekt testues para se të dërgohen njerëz në gjithësi, për shembull për pushime. «Udhëtari i qiellit» (Skywalker) kishte një fluturim fantastik, tregoi në Twitter Jeff Bezos, njeriu më i pasur i planetit dhe shef i ndërmarrjes Amazon. Firma të tjera po përgatiten për të rifilluar aterrimin në hënë – në 50 vjetorin e fluturimit në hënë të astronautëve amerikanë. Nëse i keni 250 mijë dollarë dhe nëse i keni zgjidhur hallet e tjera të jetës, atëherë mund të shkoni te firma Virgin Galactic e Richard Bransonit dhe të blini një biletë për në hënë. Edhe Branson ka paralajmëruar se sivjet do të realizojë ëndrrën e tij dhe do të fluturojë në qiell.

Nga asnjë firmë kosovare nuk mund të pritet se sivjet do të dërgojë ndokënd në qiell. Kjo s’pritet as në dekadat e ardhshme. Me qiellin edhe më 2018 do të merren amerikanët (dhe rusët). Por diçka mund të bëjnë kosovarët këtë vit: të kapërcejnë bllokadën politike, e cila e ka paralizuar vendin dhe ka bërë që populli të bie në amulli. Së paku dy-tre hapa përpara mund t’i bëjmë. Nëse ka vullnet. Nëse politikanët nuk shikojnë vetëm interesat e tyre të ngushta. Nëse politikën nuk e perceptojnë vetëm si mundësi të sundimit dhe pasurimit, por të shërbimit ndaj qytetarëve.

«Politika fillon me shikimin e realitetit». Këtë fjali të politikanit socialdemokrat gjerman Kurt Schumacher duhet ta marrin për zemër edhe politikanët e Kosovës. Në vitet e kaluara kemi qenë dëshmitarë se si mes politikanëve të Kosovës dhe realitetit politik ekziston një hendek i madh. Ky hendek vetëm sa po thellohet pas provokimeve të fundit të tre politikanëve udhëheqës kundër SHBA-ve dhe Bashkimit Europian. Bindja e një pjese të madhe të klasës politike se ne mund të bëjmë të gjitha budallallëqet e mundshme dhe në fund nga balta do të na nxjerrin ata që «na çliruan», është një lojë e rrezikshme.

Nga njëra anë politikanët ankohen për tutori të tepërt nga ndërkombëtarët, nga ana tjetër sapo të tërhiqen ndërkombëtarët nga një fushë, vendorët e bëjnë punën pis. Mirë që ndërkombëtarët janë tërhequr pothuajse plotësisht nga Policia e Kosovës, por ata s’na këshilluan që pjesëtarët e policisë sonë të sillen si banditë nëpër qytet dhe ndaj tyre pastaj të merren vetëm masa selektive. Nuk ishte as këshillë e ndërkombëtarëve që Posta e Telekomi i Kosovës të shndërrohet në financues të madh të mediave dhe puna të shkojë deri aty, saqë shefi i postës të marrë pjesë edhe në emisionet humoristike të një televizioni privat. Ç’na pret në të ardhmen? Që drejtori i një ndërmarrjeje publike të bëhet edhe kryeredaktor?

Ndërkombëtarët nuk po kërkojnë që Kosova të jetë shtet novator për të dërguar njerëz në hënë, por së paku disa punë elementare t’i zgjidh vetë. Nuk e detyruan ndërkombëtarët qeverinë të emërojë mbi 70 zëvendësministra. As nuk e detyruan kryeministrin t’ia dyfishojë vetes rrogën. As t’ua falë borxhet bizneseve të dyshimta. Janë marrëzi që i bëjmë vetë, pastaj si njerëz pa edukatë minimale fillojmë të vajtojmë nëpër zyra ndërkombëtare se Kosova ka mbetur e izoluar, se nuk po na trajtojnë me respekt. Për të fituar respektin duhet edhe pak modesti, urtësi dhe dije. Pangopësia për të plaçkitur shtetin dhe refuzimi për të mësuar diçka nga përvoja e shteteve të tjera e mbajnë Kosovën në karantinë. Jo përgjigjet e gatshme, por argumentet bindëse e nxjerrin Kosovën nga bataku, ku e kanë hedhur politikanët e saj.

Si bëhet kjo? Duhet një aleancë e njerëzve që kanë ideale për Kosovën. Këta që kanë pushtetin, nuk kanë më ideale. Nëse kanë pasur ndonjëherë (me ndonjë përjashtim). Shkathtësia barbare me të cilën e rrjepin Kosovën që nga viti 1999 (e disa edhe më herët përmes fondeve të luftës) tregon se kemi të bëjmë me një strukturë njerëzish moralisht të kalbur. Opozita e tanishme e ka një shans të krijojë një aleancë për ndryshim. Duhet tejkaluar inatet, egot, armiqësitë shpeshherë të shpifura për të rithemeluar Republikën e Kosovës.

Ah, po: Gjykata Speciale do të jetë temë gjatë këtij viti. Por duhet të jetë temë për ata që eventualisht do të ballafaqohen me të. Ata do të sillen sikur bashkësia ndërkombëtare po i bën gjyq qytetarëve të Kosovës, por kjo nuk është e vërtetë. Kush ka kryer krime, theftë qafën, Kosova nuk i ka asnjë borxh. Opozita kosovare dhe populli i Kosovës bën mirë të mos marrë pjesë në aventurat e hazarderëve politikë për qëllime thellësisht personale. Beteja e tyre s’ka të bëjë me interesat e Kosovës. «Politika fillon me shikimin e realitetit». Të shikosh realitetin në Kosovë domethënë ta kesh të qartë se paqja, liria dhe shtetësia varen edhe nga garancitë perëndimore. Bombë atomike nuk kemi. Buxheti i Kosovës nuk është më i madh se i ndonjë firme relativisht të madhe perëndimore. Importojmë gati gjithçka dhe s’prodhojmë gati asgjë. Në këto rrethana krekosja ndaj Perëndimit është qesharake dhe e rrezikshme. Për ne.