Në vendin e hudhërngrënësve

Një parodi sipas porosive të Gregor von Rezzorit.

Foto: Shutterstock



Republikën e Hudhrave nuk do ta gjeni askund në hartë. Nuk do ta gjeni në glob. Kjo republikë nuk ka kufi, nuk ka avlli për lopë e dhi, por thuhet se gjendet diku në sistemin kopernikan. Diku në juglindje, atje ku edhe në dimër mbijnë hudhra, atje ku lepujt i thonë dhelprave natën e mirë dhe qengjat përqafojnë ujqit, atje ku kecat ziejnë mishin e tyre në një vegsh të madh për ujqit e mëdhenj, atje ku kryekamerieri Qyfyr Qenefi i shërben të pushtetshmit me rahat-llokum dhe tullumb.

Në Republikën e Hudhrave jetojnë në paqe, harmoni e mirëqenie pjesëtarët e etnive të ndryshme. Falë udhëheqjes së mençur të pjesëtarëve të fisit Karakriminaloviq, i cili ka prejardhje iliro-pellazge, tensionet ndëretnike kanë rënë. Si në Magrebininë e Gregor von Rezzorit edhe në Republikën e Hudhrave njerëzit kanë një ëndërr: të hyjnë në punë në qeveri dhe bashkë me politikanët t’i vërsulen si një tufë derrkucësh të verbër gjinjve të derrit të madh. Derri i madh është shteti, arka e tij.

Edhe Republika e Hudhrave e ka zgjedhur demokracinë si formë të përparuar shtetërore. Së fundi bulevardi kryesor i kryeqytetit mori emrin «Sokaku i Vjedhësve të Xhepave». Çdo punë në institucione kryhet lehtë, duke përdorur rahat-llokumin e quajtur bakshish. Një traditë e gjatë e hudhërngrënësve. Bakshishi është vaji që i lyen rrotat e shtetit. Pa bakshish shteti nuk ec. Pa bakshish nuk do të arrini të hapni asnjë zemër – dhe portat e qiellit jo se jo.

Pije nacionale në Republikën e Hudhrave është rakia e hudhrave. Kur u martua kreu i shtetit Kokëkungull Karakriminaloviqi dasmorët konsumuan katërmbëdhjetëmijë thasë me hudhra. Në cirkun e organizuar për nder të çiftit luanët refuzuan të hapnin gojën – aq e madhe ishte duhma e hudhërngrënësve.

Familja Karakriminaloviq nga krahina e Degënicës nuk do të mund të qeveriste aq mirë pa dijen e pafund të kryearkëtarit të shtetit – Kahriman Kleptomanit, i cili i përket fisit të gullashngrënësve nga krahina e Galeshit dhe Laleshit. Kronistët tregojnë se Republika e Hudhërngrënësve dominohet nga eunukët, hermafroditët, teneqexhinjtë, bakajtë, lëkurëpunuesit, të cilët për çdo ditë luten: «O Allah, mbret mbi mbretëri! Zot mbi shtatë palë qiej! O Krisht në kryq! Ju që jepni e merrni mbretëri, principata e republika: në duart tuaja është mirësia e mallkimi. Bekojeni fisin tonë prijës Karakriminaloviq dhe nargjilethithësin Hafif Qejfliun, princin tonë të Republikës».

Shtëpia e vetme botuese e Republikës së Hudhrave ka paralajmëruar publikimin e librit «Bakshishi dhe vlera e tij e shtuar» me autor Kahriman Kleptomanin. Në teatrin nacional po luhet shfaqja: «Mirëqenia e morrave». Në revistën kryesore shkencore të vendit është botuar punimi mbi vezët katërkëndëshe të pulave që pëllasin. Myftiu nga «Sokaku i Vjedhësve të Xhepave» ka vendosur ta shndërrojë medresenë në harem. Fabrika më e madhe në vend drejtohet nga dy punëtorë: babai dhe i biri – dhe gjyshi i tij nga ana e nënës. Në Republikën e Hudhrave një plus një bëjnë tri. Në rrugët e kryeqytetit qarkullojnë autobusë të rinj, të cilëve brenda një muaji do t’u thyhen të gjithë xhamat. Fisi sundues i Karakriminaloviqëve ka thënë se populli duhet të flladitet edhe në dimër dhe kështu të përgatitet për stinën e verës, kur rrymë do të eksportojmë dhe qirinj do importojmë. Nën dritën e tyre do të numërojmë edhe vjedhjen e serishme industriale të votave. Atëherë, oh atëherë do të kemi plot tregime të reja për të treguar nga Republika e Hudhrave dhe e hudhërngrënësve, të cilët e nderojnë dhe madhërojnë udhëheqjen vizionare të Karakriminaloviqëve, të cilët, siç thamë, kanë origjinë iliro-pellazge.