Në vend të përmendoreve socrealiste në Prizren…

...do të duhej ndarë para për një qytet të pastër, një bursë për një shkrimtar mysafir nga bota gjermane, për pajisjen e shkollave me kompjuterë, për hapjen e një biblioteke, për botimin e një ciceroni turistik, për një muze që do të ruante kujtimin për gazetën «Rilindja», e cila doli në Prizren më 12 shkurt 1945.



Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren po kërkon përmendore. Gjashtë përmendore në Prizren. Gjashtë ngrehina në kujtim të gjashtë komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të kësaj treve. Nëse nuk u mungon diçka qyteteve të Kosovës, ato janë përmendoret, të vendosura dhe të shpalosura pas luftës vend e pa vend, të punuara me shije të keqe të skulptorëve socrealistë, kryesisht nga Tirana, të cilët lanë namin me buste, statuja, shtatore e çka jo tjetër të Stalinit, Leninit, Enver Hoxhës. Tani, nëse pranohen trillet patriotike të Degës së PDK-së, Prizreni duhet të mbulohet me gjashtë përmendore të reja, krahas atyre që tashmë janë ngritur në qendër të qytetit, pas protestave agresive kundër kryetarit të dikurshëm të qytetit, Eqrem Kryeziu, i cili edhe në rrethana të vështira insistonte të respektohej rendi dhe disa kritere urbanistike.

PDK ka qenë gjatë në pushtet në Prizren, tepër gjatë, dhe pas ka lënë një trashëgimi mizore. Opinioni ka qenë dëshmitar se si janë rrënuar shtëpi të vjetra, të cilat do të duhej mbrojtur. Opinioni ka qenë dëshmitar se si matadorët lokalë të PDK-së janë bërë milionerë, opinioni ka qenë dëshmitar i dënimit të kryetarit të komunës nga radhët e PDK-së, opinioni ka qenë dëshmitar i tolerancës së pafalshme ndaj ndikimeve fetare e propagandistike të Turqisë së Rexhep Taip Erdoanit. Opinioni ka qenë dëshmitar se si në «Jerusalemin e PDK-së» borxhi i pa-arkëtuar nga bizneset arrin në mbi gjashtë milionë euro, se si kryetari i ri e ka marrë drejtimin e komunës me 3,8 milionë euro borxhe të trashëguara nga 2017, se si më 2016, sipas raportit të auditorit, komuna e Prizrenit ka realizuar vetëm 64 për qind të të hyrave të planifikuara, ndërsa nuk po mundet t’i inkasojë mjetet nga tatimet dhe qiratë. Në fillim të shkurtit KTV njoftonte se komuna e Prizrenit rrezikon t’i humb 50 milionë euro si pasojë e moskryerjes së obligimeve në projektet e realizuara në dhjetë vjetët e fundit. Gjatë qeverisjes së Ramadan Mujës, 3500 subjekte të ndryshme e kanë paditur komunën për mosshlyerje të obligimeve. Këto janë vetëm disa keqpërdorime, keqmenaxhime dhe keqqeverisje nga ana e PDK-së në Prizren.

Si të mbulohet ky turp, si të mbulohen këto shkelje ligjore, kjo katrahurë? Rruga më e lehtë dhe më populliste është kërkesa për përmendore. Heroizmi i atyre që ranë për lirinë e Kosovës tash, sipas logjikës së rrugaçërisë politike, duhet të shndërrohet në monedhë për larjen e mëkateve të PDK-së. Kjo dhe qindra arsye të tjera i bëjnë tërësisht të panevojshme përmendoret e propozuara. Ato do të ishin vetëm një çati nën të cilën do të fshiheshin dallaveret e PDK-së gjatë qeverisjes në Prizren.

Në vend të përmendoreve socrealiste në Prizren do të duhej ndarë para për një qytet të pastër, një bursë për një shkrimtar mysafir nga bota gjermane, për pajisjen e shkollave me kompjuterë, për hapjen e një biblioteke, për botimin e një ciceroni turistik, për një muze që do të ruante kujtimin për gazetën «Rilindja», e cila doli në Prizren më 12 shkurt 1945.

Përse bursë për një shkrimtar nga bota gjermane? Sepse në Prizren që nga viti 1999 kanë ruajtur paqen dhe kanë bërë plot punë të vyera mijëra ushtarë gjermanë, austriakë dhe zviceranë. Baza gjermane e KFOR-it pritet të mbyllet deri në fillim të vitit të ardhshëm, andaj do të ishte mirë që për çdo vit Prizreni t’i ofronte mikpritje për disa muaj një shkrimtari nga hapësira gjermanofolëse, i cili do të ishte i lirë të krijonte, hulumtonte dhe gjurmonte në këtë qytet. Prizreni ka nevojë, si çdo qytet tjetër, për një bibliotekë më shumë. Kryeqyteti historik i Kosovës ende nuk ka një librari serioze. Në Prizren ka dalë numri i parë i gazetës «Rilindja», e cila ka merita për iluminizmin e brezave të tërë të shqiptarëve të Kosovës. Një muze i vogël do të duhej të ruante kujtimin për këtë kapitull të rëndësishëm të historisë bashkëkohore të Kosovës. Që shkollat në Prizren dhe kudo në Kosovë duhet të pajisen me kompjuterë (dhe shumica edhe me nevojtore) – për këtë nuk duhet arsyetim fare. Dhe këtë në të vërtetë do të duhej ta dinin edhe turbo-patriotët e PDK-së në Prizren. Kundër ndërtimit të një vargu përmendoresh do të duhej të deklaroheshin edhe vetë familjet e të rënëve për liri. Është në interesin e tyre që sakrificën e më të dashurve të tyre të mos e lënë në duart e politikanëve që janë në gjendje të keqpërdorin çdo gjë.