Në tribunë dhe në letër

Instituti Zviceran për Studime Shqiptare – ISEAL – vjen me tri botime të reja. Ato janë një dokumentim i raporteve sociale, ekonomike, shëndetësore e gjinore të shqiptarëve në Zvicër. Nga 500 ekzemplarë janë shpërndarë në formë të shtypur, mijëra të tjerë pasojnë në mënyrë elektronike.

Foto: Rezidenca e ISEAL-it në Lozanë/BETOGJENI



Prej disa ditësh, faqja e internetit të Institutit Zviceran për Studime Shqiptare – ISEAL – performon me tri dokumente të tjera. Ato janë aktet e një simpoziumi dhe të një forumi të institutit, të organizuara në vitin 2013, dhe një studim i botuar në fillim të vitit 2014. Është dokumentacioni i simpoziumit «Gratë e kualifikuara shqiptare: Një potencial për integrimin» dhe forumit ekonomik «Diaspora, levë ekonomike transnacionale?»: kumtesat e referentëve, fjalimet e mysafirëve, imazhe nga këto takime, si dhe jehona mediatike që kanë pasur këto aktivitete të institutit. Dokumenti i tretë është studimi mbi gjendjen sociale, ekonomike dhe shëndetësore të shqiptarëve në moshën mbi 60 vjeç në Zvicër: «Shqiptarët e moshuar në Zvicër – Një dinjitet stoik», i cili ka dalë në qarkullim i shtypur në fillim të këtij viti.

Karriera e një ngjarjeje

Simpoziumi, forumi dhe studimi po bëjnë karrierë. Në fillim ishte ngjarja, tani vjen dokumentimi si botim, pason përcjellja e tyre nëpër adresa institucionesh të interesuara për këto aktivitete. Ideja e botimit të dokumentacionit të këtyre ngjarjeve është që «e tërë energjia e dhuruar nga pjesëmarrësit me kumtesat e tyre për forumin dhe simpoziumin të materializohet dhe t’i jepet jetë e vazhdimësi», pohon drejtori i institutit, Driton Kajtazi. Më këtë, sipas tij, bëhet e mundur që institucionet dhe të interesuarit ta kenë një referencë për temat në fjalë.

Këto dokumente fillimisht kanë dalë në formë të shtypur, «nga 500 ekzemplarë secili botim», precizon Kajtazi. Shpërndarja është bërë falas. Tani vijnë në formatin elektronik PDF dhe i pret një rrugë e gjatë. Instituti sapo e ka filluar një fushatë të shpërndarjes së tyre pranë institucioneve të ndryshme. Adresat janë: bibliotekat kantonale e universitare, organizatat e ndryshme ndërkombëtare, departamentet kryesore të konfederatës dhe kantoneve që i kanë në qendër të interesit temat e diskutuara në forum dhe simpozium. «Ato do t’u dërgohen mbi 30 parlamentarëve të Konfederatës zvicerane, përgjegjësve të zyrave komunale, kantonale dhe të konfederatës për integrimin, medieve të ndryshme, personaliteteve me të cilët bashkëpunon ISEAL etj.», shton Driton Kajtazi. Jo vetëm Biblioteka Kombëtare dhe ato kantonale e universitare janë interesuar për botimet e institutit, por edhe Biblioteka Kombëtare e Gjermanisë ka kërkuar t’i dërgohen botimet e tij. «Është kënaqësi kur shikon se ISEAL përdoret si referencë, sikurse Qyteti i Lozanës që e ka futur në ueb-faqen e vet një botim të ISEAL-it mbi integrimin parashkollor», pohon Kajtazi.

Një kartëvizitë e botimeve të reja

Në studimet e botuara defilojnë emra subjektesh të njohura në opinionin publik zviceran dhe të atij shqiptar në Zvicër. Reliefi i faqeve të dokumenteve janë skica, diagrame, shifra, figura, fabula, imazhe, teza – shkencë, politikë, gazetari, art!

Botimi për forumin ekonomik «Diaspora, levë ekonomike transnacionale?» përmbledh të gjitha referimet – fjalimet dhe kumtesat – e specialistëve nga institucione zvicerane, ndërkombëtare e shqiptare, si dhe nga fusha e biznesit në këtë takim. Aty kristalizohen rekomandime konkrete për të gjithë aktorët e involvuar dhe të interesuar për investime në vendet nga vijnë shqiptarët.

Aktet e forumit «Gratë e kualifikuara shqiptare: Një potencial për integrimin» përmbledhin konkluzionet e simpoziumit për t’i treguar zbrazëtirat në studimet për themelimin e ndërmarrjeve nga gratë, diskriminimin strukturor dhe pengesat tjera me të cilat konfrontohen gratë e mirëkualifikuara shqiptare dhe për të evidentuar resurset e tyre…

Studimi për moshën e tretë të shqiptarëve në Zvicër përmbledh tregimin e 12 mërgimtarëve për përvojën e tyre, gjithsej 400-vjeçare në mërgim. Fokusi i tij janë, në total, 70 vjetët si pensionistë në Zvicër. Atij sidomos i intereson gjendja ekonomike dhe shëndetësore e këtij segmenti shoqëror në Zvicër.

Nga ky vit, ISEAL në bashkëpunim me qytetin e Lozanës e ka në dispozicion një ndërtesë të vogël  katërkatëshe. Pos qendrës së dokumentimit, kërkimeve, botimeve dhe kurseve, hapësirat e veta, instituti ISEAL do t’i vërë në dispozicion edhe për organizimet dhe strukturat që përkojnë me synimet e ISEAL-it. Më 13 nëntor, instituti e organizon një debat lidhur me çështjen e situatës së moshës së tretë të shqiptarëve në Zvicër.