Në trenat zviceranë

Kush dëshiron të marrë frymë me një botë që ndryshon nga lugina në luginë, nga liqeni në liqen, duhet të udhëtojë me tren. Dhe kush dëshiron që me dritën e syve të tij të prekë bukuritë e një peizazhi, duhet të zë vend në ulësen pranë dritares dhe pastaj treni do t’i paraprijë atij nëpër mrekullitë e botës së jashtme. Treni është karroca më fisnike e kohërave demokratike. Deri më sot ka elemente të një limuzine zyrtare. Në tren shumë njerëz duken si të ishin mbretër...

Vijë hekurudhore në kantonin Graubünden në Zvicër.



Nëse prisni që unë t’ua bëjë të njohur Zvicrën, ju shpesh duhet të hipni në tren me mua. Me orë të tëra duhet të udhëtoni nëpër lugina e treva, përgjatë liqeneve, lart në kodra, pastaj tatëpjetë në fusha dhe qytete për të kuptuar se çfarë vendi është Zvicra. Edhe fëmijët e parandiejnë se ku mund të fshihet lumturia! Më kujtohet se hipja në tren, qoftë vetëm për të shkuar te të afërmit, të cilët banonin pas gjashtë katundeve luginës tatëpjetë, te unë ngjallte një ndjenjë lumturie. Rruga drejt stacionit të trenit përherë ishte më joshëse se drejt kishës, ndonëse edhe kisha ofronte diçka të dobishme për syrin dhe veshin. Në të vërtetë, stacionet e trenit nuk kanë organo për t’i përshëndetur ardhësit me kumbim. Por sapo të niset treni, fillon një muzikë krejt e veçantë, një tadam-tadam i bukur ritmik, i cili rrapëllon sapo rrotat e vagonit të kalojnë mbi pragjet e hekurudhës. Edhe sot më jehon në veshë si muzika më besnike që e shoqëron një ditë të filluar lumturie. Nëse rruga më çonte përtej Churit, në treva dhe qytete më pak të njohura se stacionet e hekurudhës Retiane (Rhätische Bahn) aventura bëhej thjesht e paparashikueshme. Ajo fillonte në atë çast kur në Chur zbrisje në nënkalim për të ndërruar trenin dhe për të shkuar në Zürich me SBB, me Hekurudhat Federale të Zvicrës. Vetëm vendet e rëndësishme si Churi kanë nënkalime! Aty ku ka nënkalime fillon bota e madhe dhe e gjerë. Kështu së paku gjykonte fëmija. Kur më në fund zije vend në vagonin e SBB-së, ku gjithçka ishte pak më gjerë dhe më e madhe dhe për këtë arsye edhe dukej më elegante dhe më e rëndësishme, atëherë këtu ishe tashmë i përgatitur për më të mirën dhe më të bukurën që mund të ofrojë bota.

Kush dëshiron të marrë frymë me një botë që ndryshon nga lugina në luginë, nga liqeni në liqen, duhet të udhëtojë me tren. Dhe kush dëshiron që me dritën e syve të tij të prekë bukuritë e një peizazhi, duhet të zë vend në ulësen pranë dritares dhe pastaj treni do t’i paraprijë atij nëpër mrekullitë e botës së jashtme. Treni është karroca më fisnike e kohërave demokratike. Deri më sot ka elemente të një limuzine zyrtare. Në tren shumë njerëz duken si të ishin mbretër apo së paku nëpunës fisnikë, të cilët shkojnë për vizitë dhe presin t’u tregohet sa mirë është e rregulluar bota, e cila u takon edhe atyre dhe për të cilën janë përgjegjës. Udhëtimi me tren neve zviceranëve mund të na bëjë paksa megalomanë. Shikuar nga dritarja e trenit bota disa gjendet e shtrirë para këmbëve tua. Edhe fëmijët e ndjejnë sa të mëdhenj dhe sa të rritur dhe sa të rëndësishëm janë kur ulen në tren dhe pranë tyre defilon bota.

Që në vitet e rinisë e kam bërë zakon që kastile të vendos se si dua të ulem në tren. Nëse gjatë rrugës së mbetur të një udhëtimi duhet mbledhur dhe formuluar mendime dhe ide se si të kryhen më së miri punët e ditës, atëherë ulem ashtu që sytë e mi të shikojnë në drejtim të ecjes së trenit që menjëherë ta kem në vetëdije këtë fragment të botës që më vjen përballë. Është qëndrimi pushtues që manifestohet në këtë udhëtim përqafues drejt të resë. Ndërsa kur bëj ndonjë udhëtim pa cak, të lehtë dhe në hapësirën e lirë, atëherë ulem ashtu që bota të mos vijë drejt meje furishëm dhe me ngulm, por të tërhiqet butësisht në largësi. Ky është më tepër një qëndrim i zbuluesit. S’ka asgjë më të bukur se sa të përjetosh se si format dhe ngjyrat e botës së jashtme zbuten dhe rrumbullakohen përmes tërheqjes së shpejtë ashtu siç largohet nga fushëpamja kthesa e lakuar bukur e trenit, elegante si një perde e shtëpisë së operës që bie qetësisht. Shpesh mendimet mbesin të varura te tashmë e padukshmja. Tek një përshtypje e re e thellë, e cila i prezantohet syrit, na kthen sërish në realitet. Për këtë arsye shumë njerëz në tren duken sikur po ëndërrojnë dhe madje po bredhin diku tjetër. Ata ende janë te gjërat që sapo u janë shkëputur prej syve. Kjo i bën njerëzit këndshëm të patrazuar, të durueshëm dhe gati të përzemërt.

Përktheu: E. Robelli

(Iso Camartin, i lindur më 1944, është kulturolog, filozof dhe shkrimtar. Profesor shumëvjeçar i letërsisë retoromane në Universitetin e Zürichut, Camartin është një Homme des Lettres, një iluminist i pasionuar dhe çmontues mitesh. Ai u rrit në Disentis, ku ndoqi Gjimnazin Humanist në një manastir. Nga viti 1965 studioi filozofinë dhe romanistikën në München, Bolonjë dhe Regensburg. Promovoi më 1971 me një studim për Johann Gottlieb Fichten dhe Immanuel Kantin. Mes viteve 2000-2003 ai drejtoi sektorin e kulturës të televizionit të Zvicrës. Teksti i mësipërm është pjesë e librit të Camartin mbi Zvicrën. Në ditët në vijim dialogplus do të sjellë pjesë të tjera të këtij libri, i cili përmban një shpjegim mahnitës për Zvicrën).