Në tren për Olten



Po kthehem me tren nga Nyoni, ku sapo përfundoi shfaqja e një drame në frëngjisht të Driton Kajtazit në sallën komunale të këtij vendi. Prezent ishin rreth 180 persona, shumica prej tyre zviceranë. Drama flet për çështjen e shtetësisë – natyralizimit. Të gjithë dolën të frymëzuar nga salla. Ishte pa dyshim një nder! Shfaqjet nga autorë shqiptarë në Zvicër janë të rralla, po dramat e vërteta nga vendlindja ju rrëmbejnë publikun.

Një ngjarje që nuk të le indiferent. Ka një javë që i gjithë opinioni publik në Maqedoni po merret me të. Në fakt, vetëm po përsërisin të njëjtën gjë. E ndjej që duhet të them diçka dhe po kërkoj një titull të rëndë, i cili është i denjë për ndodhinë dhe që bën përshtypje.

«Asgjë e re në Lindje», mendova njëherë. Po pse duhet njeriu të lexojë një tekst, i cili qysh në titull nuk paralajmëron asgjë? Ose më saktë e paralajmëron asgjënë. Analogjia është e qartë. Një lexuesi të informuar do t’i kujtohet romani i Erih Maria Remarkut «Asgjë e re në Perëndim». Ky në fakt nuk është një gjetje e keqe, ai është ndër romanet më të lexuara të të gjitha kohërave. Autori aty ka përshkruar mizoritë e luftës së parë botërore. Ai arrinë të tërheqë vëmendjen me absurdin e krimeve, të cilat nuk është se bota nuk i dinte. Megjithatë ende pa u shëruar plagët e luftës së parë, pas rreth 25 viteve, ajo i dha edhe njëherë karar krimit me Luftën e Dytë Botërore. Sidoqoftë…

Zhvillimeve për të cilat dëshiroj të flas u shkon titulli «Fatkeqësia e mirëseardhur». Absolutisht! Po edhe ky është i harxhuar. E kam përdorur për një artikull të botuar në një përmbledhje kolumnash. Është një tekst që flet për transformimin etnik të Shkupit. Se si rindërtimi i tij pas tërmetit të vitit 1963 u përdor për të sistemuar në Shkup kontingjente të tërë nga bashkësia sllave e Maqedonisë lindore. Nga kjo kohë, thonë, shqiptarët e humbën primatin në Shkup. Në këtë kolumnë kam përshkruar ndjesinë se çka do të thotë të humbasësh shtëpinë me të gjitha kujtimet e saj. Kam përmendur bacën Sherif, të cilit vërshima e vitit 1979 në Tetovë ia morri shtëpinë me gjithë çka kishte. Ai u sistemua nga shteti, sigurisht me qira, në një banesë në periferi të qytetit. U largua nga rrethi i tij – kushërinj e miq – që nuk ndaheshin ditë e natë dhe papritmas u gjend midis komshinjsh nga bashkësia sllave e Tetovës. Baca Sherif i kishte humbur të gjitha, por më fort i dhimbsej shkarkia në të cilën përnatë prehte shpirtin me një rapsodi. Aty kam përmendur Qamilin e Vogël, i cili kishte bërë një këngë homazh për tërmetin e ’63-shit në Shkup, së cilës baca Sherif ia thoshte gjithnjë e më shpesh pasi vërshima ia kishte bartur shtëpinë me gjith sharkinë. Kam përmendur edhe Ali Podrimen dhe monologun e tij tragjik me vargun «S’e di pse kaq shumë më dhimbset Shkupi». Por, as kjo gjetje nuk ka pasur ndonjë jehonë. Ende mendoj se atë kolumne më shumë persona e kanë lexuar para se të botohet, se më pas! Nuk e kanë lexuar as miq dhe kolegë të mi!

Paradoksin «fatkeqësia e mirëseardhur» e kam shfrytëzuar si konkluzion në një artikull tjetër. Doja të afirmoj tezën se, atyre që e kanë në dorë sistemin iu volit varfëria në të cilën është katandisur popullata. Në këtë amulli ata mund të kalojnë çdo vendim, pa u konfrontuar me ndonjë rezistencë qytetare, duke qenë se ata janë të preokupuar me çështje të ekzistencës. Në një gjendje të tillë, njeriun mund ta instrumentalizosh për gjëra që ai s’do t’i bënte kurrë. Vetëm kështu atij mund t’ia blesh votën, sikurse është bërë zakon kohët e fundit. Edhe atë për pak para. Kisha harruar të përmend në mënyrë eksplicite faktin që edhe delikuenca, e përhapur me të madhe, një farë mënyre është produkt i varfërisë.

Si të komentohen zhvillimet e fundit në Maqedoni? Çfarë ka ngelur pa thënë? – Gjithçka është ashiqare! Në mendje më parakalojnë aktet e kësaj drame tragjike. Një tundim i lig për vjedhje dhe një taksiratë të jesh dëshmitar i grabitjes së pronës sate. Bilanc tragjik: Një i vdekur i etnisë maqedonase, vandalizëm në një lagje shqiptare të Shkupit. Terror dhe heshtje. Fatkeqësi e mirëseardhur! Asgjë e re në Maqedoni.

Sa me dëshirë do të shkruaja sonte për dramën e mërgimtarit shqiptar – në tren për Olten.