Në Shtime vazhdon trendi i prerjes ilegale të pyjeve

Komuna e Shtimes për prerësit e jashtëligjshëm të pyjeve, gjatë periudhës janar-maj të këtij viti, i ka bërë gjithsej 33 fletëparaqitje për gjykatë.

Nga kjo kategori dëmtuesish, rojat e pyjeve nuk kanë arritur ta konfiskojnë as edhe një metër kub dru, megjithëse gjatë kësaj periudhe ishin organizuar dhjetëra aksione në bashkëpunim me Inspektoratin komunal për t’i kontrolluar pyjet, shkruan sot «Koha Ditore».

Fadil Emini, përgjegjës për pylltari në Komunën e Shtimes, ka sqaruar se kjo komunë ka një sipërfaqe pyjore prej 4 mijë e 418 hektarësh, derisa me pyje private 3 mijë e 344 hektarë, që ruhen me vetëm 3 rojtarë.

Sipas tij nga kjo kategori dëmtuesish të ambientit ka shënuar rënie në krahasim me vitet e kaluara përderisa për lëndët e zgjidhura nga gjykata janë shqiptuar gjoba mjaft të larta, të cilat kanë ndikuar në vetëdijesimin e qytetarëve. «Gjatë periudhës janar- maj të këtij viti i kemi bërë 33 fletëparaqitje për kundërvajtje, por nuk kemi arritur të bëjmë ndonjë konfiskim drush përderisa dëmtimet e pyjeve po bëhen gjatë orëve të vona të natës.

Ndërkaq nga Gjykata e Ferizajt gjatë kësaj periudhe janë shqyrtuar gjithsej 61 lëndë, kryesisht të vitit të kaluar për dëmtim të 44.78 kubikëve, ndërkaq vlera e kësaj sasie ishte 6 mijë e 636.48 euro», ka deklaruar Emini. Sipas tij, pyjet duhet të ruhen dhe të mirëmbahen, andaj kërkon nga qytetarët që të mos i dëmtojnë ato, sepse gjobat do të jenë të larta dhe gjatë 24 orëve kanë bashkëpunim me policinë dhe Inspektoratin e Shtimes.