«Në Shqipëri nuk ka pushtet turk»

Shtypi bullgar për Isa Boletinin në kryengritjen e vitit 1912: Në gusht të vitit 1912 gazeta «Makedonija», duke cituar gazetën ruse «Novoje Vremja», shkruante: «Ndonëse shqiptarët janë gjysmë të egër, ata i detyruan turqit t’iu nënshtroheshin ultimatumit të tyre». Një muaj më vonë raportonte se «në Shqipëri nuk ka pushtet turk. Pushteti në Mitrovicë, Vushtrri, Prizren, Shkup e Tetovë është përqendruar në duar të komiteteve popullore shqiptare, të përbëra nga kryengritësit»




Në fillim të korrikut 1912, në kryeartikullin redaksional të gazetës bullgare «Balgarija», me titull «Kryengritja shqiptare», pasi i bëhet një analizë e gjerë dhe mjaft objektive kësaj kryengritjeje, vihet në dukje fenomeni i dezertimit në masë të ushtarëve, oficerëve e xhandarëve shqiptarë nga radhët e formacioneve turke dhe bashkimi i tyre me forcat kryengritëse, duke vënë në dukje se «në krye të Lëvizjes kryengritëse në Jug është Ismail Qemali. Gjithë Shqipëria është në flakë, atje vepron Isa Boletini»( «Belgarija»,Sofija, 2. Vll. 1912, Vestanieto v Albanija).

Marshimi i ushtarëve shqiptarë drejt Prishtinës

Korrespodenti i gazetës «Preporec» të Sofjes, në korrik të vitit 1912, pasi e njoftonte lexuesin bullgar nga Shkupi se në pjesën shqiptare të Vilajetit të Kosovës pushteti osman ishte paralizuar plotësisht nga kryengritësit shqiptarë, gazeta «Utro», në artikullin me titull «Kriza në Turqi», pasi raportonte se në Kazanë e Shkupit 2000 shqiptarë të armatosur ishin të gatshëm të bashkoheshin me forcat kryengritëse,vinte në dukje se «Isa Boletini ka shti në dorë Mitrovicën» («Utro»,Sofija, 17. VII. 1912, Krizata v Turcija, fq.2). Po ato ditë, gazeta «Preporec» në artikullin «Shqiptarët zotërues të pozicioneve» shkruante: «Gjithë kazaja e Prishtinës dhe mbarë Kosova gjenden në duar të kryengritësve shqiptarë. Pritet që nesër (më 19 korrik, sipas kalendarit të vjetër v.j.) të arrijë në Prishtinë Isa Boletini» («Preporec» 18.V11. 1912, Albancite gospodari na polozhenieto, fq.2). Po kjo gazetë në artikullin me titull «Lëvizja në Shqipëri» konfirmon lajmin për marshimin e 5000 kryengritësve shqiptarë nën udhëheqjen e Isa Boletinit nga Mitrovica drejt Prishtinës. Vihej në dukje se gjatë rrugës me kryengritësit u bashkuan shumë dezertorë, oficerë e ushtarë të ushtrisë osmane. Pastaj lexuesi vihet në dijeni se derisa Isa Boletini ishte në Mitrovicë, ia kishte tërhequr vërejtjen garnizonit të Mitrovicës që ushtarët të dilnin jashtë të armatosur. Të nesërmen gazeta «Utro» në artikullin «Fuqia e Boletinit, ekspedita shqiptare» vinte në dukje se «forcat kryengritëse shqiptare, të ndara në dy grupe, po depërtojnë drejt Shkupit, një grup Grykës së Kaçanikut dhe grupi tjetër nga Karadaku» ( «Preporec», Sofija,20.VlII. 1912, Albanskija pohod silata na Boletinac,fq.3).

Sipas artikullit të gazetës «Vardar», «Dorëheqja e valiut të Shkupit» (lexo:Kosovës) lexuesi bullgar informohej se Isa Boletini, përveç Mitrovicës, kishte shtrirë pushtetin e tij edhe në Novi-Pazar, Senicë etj. Kjo gazetë, duke iu referuar një telegrami që i ishte dërguar Isa Boletinit nga Senica, shkruante: «Duket qartë se këtij prijësi do t’i nënshtrohej edhe ky qytet». Më pas paralajmërohej se në këtë mënyrë Isa Boletini do të vepronte edhe me Plavën. Artikulli përfundonte me konstatimin se «shqiptarët gjithandej vendosin pushtetin e tyre, çarmatosin garnizone, i thyejnë dyert e burgjeve dhe i lirojnë të burgosurit» ( «Vardar», Sofija, 27. VII. 1912, Ostavkata na skopskija valija Mashar bej fq. 3).

Ultimatumi për sulltanin

Gazeta «Rabotniçeski vestnik» në faqen e saj të fundit, në rubrikën «Telegrame, duke iu referuar burimeve të sigurta, e informonte lexuesin se në korrik të 1912-s Isa Boletini ia kishte dërguar një telegram nga Mitrovica sulltanit me anë të të cilit kërkohej shpërndarja e Parlamentit në një afat prej 48 orësh. Pastaj, bëhet e ditur se Isa Boletini në krye të një çete kryengritëse kishte vajtur në Gjilan, duke kërkuar nga garnizoni i atjeshëm i ushtrisë osmane t’i dorëzonte armët. Prej andej ai ishte kthyer në Prishtinë» ( «Rabotniceski vestnik»,Sofija, 23. VII. 1912, «Telegrami», fq. 4).

Shtypi bullgar informonte lexuesin për rolin e kryengritjes shqiptare që luajti në rënien e kabinetit qeveritar xhonturk (17 korrik), krijimin e kabinetit të ri qeveritar  nga opozita e deriatëhershme «Arhar». Po kështu, vihet në dukje  ngritja e Komisionit nga kjo qeveri për bisedimet me drejtuesit e kryengritjes shqiptare me Hasan Prishtinën në krye. Anëtarët e tjerë të delegacionit shqiptar ishin: Mahmet Pashë Deralla, Hasan Beu (Prishtina), Sait Hoxha, Isa Boletini, Bajram Curri, Jahja (Doda v.j.) Beu. Përkujtohet lexuesi se bisedimet e filluara në Prishtinë kishin dështuar për shkak të mospërfilljes së kërkesave shqiptare nga Komisioni Osman, ndonëse ato ishin më të moderuara në krahasim me kërkesat që ishin shtruar në Kuvendin e Junikut. Kështu, në një artikull të gazetës «Preporec» me titull «Revolucioni shqiptar», bëhet e ditur se në një kuvend të udhëheqësve të kryengritjes shqiptare ishte vendosur që t’i dërgohej një ultimatum sulltanit me afat prej 24 orësh për t’i përmbushur kërkesat e tyre (ky ishte Memorandumi i njohur i Kuvendit të Ferizajt) («Preporec», Sofija, 23. VII 1912, Albanska Revolucija, fq.2).

«Boletini do të shpallë pavarësinë e Shqipërisë»

Në gjysmën e parë të gushtit, «Rabotniceski vestnik» në artikullin «Boletini do të shpallë pavarësinë e Shqipërisë», duke iu referuar burimeve nga Selaniku, konfirmonte se Isa Boletini, që kohë më parë e kishte çliruar Mitrovicën dhe shumë qytete të Sanxhakut të Novi-Pazarit,  kishte  deklaruar   me   atë  rast   se   «do  ta  shpall Shqipërinë perandori të pavarur» («Rabotniceski vestnik», 27.VIII.1912, Boletinac objavičde nezavisimosta na Albasnija, fq.1).

Shtypi qendror bullgar informonte se  mospërfillja e 14 kërkesave shqiptare nga autoritetet osmane kishte nxitur mbi 30 mijë kryengritës të ndarë në grupe të marshonin drejt Shkupit. Për këtë ngjarje që i shqetësoi Bullgarinë, Serbinë, por edhe Rusinë, dhe  diplomacinë  evropiane, gazeta «Preporec» shkruante: «Shqiptarët thuajse pa pengesë po zbresin në Shkup. Ata kanë liruar të burgosurit, kanë shtënë në dorë post-telegrafin dhe kanë suspenduar qeveritarët…domethënë janë zotë të Shkupit». Kjo gazetë bënte të ditur se në Shkup po vazhdonin të arrinin kryengritësit shqiptarë në grupe dhe konfirmonte arritjen e Isa Boletinit së shpejti, por nuk saktësonte datën (që ishte 14 gusht 1912). Më pas vihej në dukje se bisedimet shqiptaro-osmane kishin përfunduar me nënshkrimin e marrëveshjes. Marrëveshjen në Shkup e kishte lexuar valiu i Kosovës para udhëheqësve shqiptarë: Hasan Prishtinës, Riza Beut, Isa Boletinit, Bajram Currit, etj., me anë të  së cilës u ishin plotësuar kryengritësve shqiptarë disa nga kërkesat e tyre, me të cilat në një fazë të ardhshme sigurohej autonomia e Shqipërisë në katër vilajetet e banuara me shumicë shqiptare. Më në fund gazeta vinte ne dukje se prijësit shqiptarë kishin  shprehur pakënaqësi me kërkesat e pakta të plotësuara nga pala osmane, «duke  ngulur këmbë  në plotësimin  e të gjitha kërkesave të tyre» («Preporec», 6. VIII. 1912, Albancite v Skopie, fq.2). Megjithëkëtë, sipas njoftimeve të gazetës «Makedonija», kryengritësit shqiptarë kishin filluar ta braktisnin Shkupin. Ajo vinte në dukje se me atë tren duhej të udhëtonte edhe Isa Boletini. Mirëpo ai në momentin e fundit kishte hequr dorë nga udhëtimi. Ishte kthyer nga stacioni i trenit bashkë me Riza Beun e Bajram Currin, duke deklaruar se «nuk do të ktheheshin në shtëpi pa ua dhënë autoritetet osmane 30 mijë pushkë» («Makedonija»,Sofija, 8.VIII. 1912, Albancite v Skopie,fq.2).

Sipas  informacionit të konsullit bullgar në Shkup, Hasan Prishtina pas marrëveshjes kishte dërguar telegrame në Korçë, në Shqipëri të Mesme, në Shqipërinë Jugore dhe në Shqipërinë Veriore, duke bërë me dije se ishin pranuar 12 nga 14 kërkesat shqiptare dhe vinte në dukje  se «kryengritësit shqiptarë nga kjo kohë kishin braktisur Shkupin dhe ishin kthyer në shtëpitë e tyre» ( CDIA.Belgarska Legacija  v Skopje.d.409, 14.VIII. 1912)

Siç u vu re më sipër, në këtë artikull, që nga hyrja e forcave kryengritëse në Shkup, e gjatë  gjithë qëndrimit të tyre në këtë qytet, si dhe pas braktisjes së këtij qyteti, shtypi bullgar, por edhe raportet e konsujve bullgarë, të akredituar në Shkup, Manastir, Selanik etj. ishin të ngarkuara me njëanshmëri dhe subjektivizëm vetëm për faktin se shqiptarët kishin çliruar një pjesë të viseve të tyre, ku shtriheshin pretendimet bullgare, që përfshiheshin në kufijtë e Traktatit të Shën Stefanit. Kështu, në artikujt e shumtë të këtij shtypi, me ndonjë përjashtim, vihej në dukje kinse  frika e popullatës së krishterë nga forcat kryengritëse, jepeshin lajme për gjoja plaçkitjet e të krishterëve nga shqiptarët, keqtrajtimin e tyre, etj. Këtyre pretendimeve, siç dihet, iu kundërvu udhëtarja dhe analistja e mirënjohur skoceze Mary Edith Durham në veprën e saj të njohur. «Të gjitha këto shpifje e trillime bëheshin përkundër informacioneve objektive që i jepnin konsujt e huaj mbi qëndrimin e shqiptarëve në Shkup. Sipas pohimeve të tyre, ata (kryengritësit shqiptarë v.j.) u sollën në mënyrë të shkëlqyeshme», shkruante ajo (Edith Durham, «Brenga e Ballkanit», Tiranë 1990, fq. 386 ).

«Shqiptarët gjysmë të egër» i detyruan turqit të nënshtroheshin 

Në këtë kohë gazeta «Makedonija», e cila duke cituar gazetën ruse «Novoje Vremja», shkruante: «Ndonëse shqiptarët janë gjysmë të egër, ata i detyruan turqit t’i nënshtroheshin ultimatumit të tyre». Pastaj artikullshkruesi vinte në dukje gjoja mospajtimet midis prijësve shqiptarë, të cilët kishin konsensus kur ishte fjala për kërkesat themelore: «Ndonëse Isa Boletini dëshiron diç tjetër, Ismail Qemali diç tjetër dhe Hasan beu diç të tretë, ata të gjithë pajtohen me kërkesat themelore për autonominë e Shqipërisë» («Makedonija», 12. VII1 I912, «Makedonija i Albanija», fq. 2).

Pas largimit të kryengritësve shqiptarë nga Shkupi, lajmet për shqiptarët dhe Shqipërinë në shtypin bullgar ishin gjithnjë më të rralla deri në fillimin e punimeve të Konferencës së Londrës (17 dhjetor 1912). Është me interes një informacion që e jep e përditshmja «Dnevnik», në të cilin, ndër të tjera, thuhet: «Nga Stambolli telegrafohet se Isa Boletini ka deklaruar se Shqipëria do të bëhet perandori e pavarur. Isa Boletini ka telegrafuar edhe deri te Veziri i Madh». («Dnevnik», 27. VIII 1912, fq. 2). Pak ditë më vonë gazeta «Makedonija» në artikullin «Çfarë na mësojnë shqiptarët» shkruante: «Populli shqiptar është ndër më të prapambeturit në Evropë, jemi dëshmitarë se si atyre Turqia po u lëshon pe dora-dorës», duke aluduar në moszgjidhjen e çështjes maqedonase. Artikullshkruesi në këtë kuadër e komenton edhe një herë deklaratën e Isa Boletinit nga Mitrovica se «do ta shpall pavarësinë e shtetit të ri shqiptar – Perandorinë shqiptare» ( «Makedonija», 2.1X.1922, «Kakvo ni uçat Albancite», 3).

Gazeta «Dnevnik» në një artikull redaksional me titull «Kryengritja shqiptare», duke i bërë një analizë çështjes shqiptare në kuadër të rrethanave politike në Ballkan, shpreh pikëpamjet e saj për shqiptarët me një dozë subjektivizmi: «Shqiptarët si popull i fortë fizikisht dhe patriarkal u binden rregullave patriarkale dhe sundohen nga doket e jo nga ligjet e shkruara dhe janë me frymë të pakontestueshme luftarakë». Pastaj, duke i bërë një vështrim Kryengritjes së Përgjithshme Antiosmane, thuhej se shqiptarët ishin ngritur në një lëvizje të re gjithëpopullore,dhe e synonin autonominë e vendit, duke konstatuar: «Populli shqiptar shkon qorrazi pas udhëheqjes së tij energjike në krye me revolucionarin Isa Boletini, dëshiron ndarje nga elementi turk, për të krijuar trup të mëvetësishëm shtetëror dhe politik». Në fund, artikullshkruesi nuk përjashton mundësinë e shpërthimit të një konflikti ballkanik, duke e gjetur për këtë fajin tek faktori shqiptar, jo pak të rëndësishëm edhe për çështjen bullgare: «Shqipëria numëron rreth 4 milionë banorë, e cila mund të japë një ushtri prej 200’000 – 250.000 ushtarësh. Ajo, edhe me një armatim jobashkëkohor, paraqet një forcë jo lehtë e thyeshme, e cila  do ta angazhonte në këtë luftë edhe një pjesë të mirë të forcave turke» («Dnevnik», 9.1X.1912, «Albanskoto vestanie», fq.2).

«Kryengritësit shqiptarë ishin të dehur nga sukseset e tyre»

Është me interes një artikull  i gazetës «Makedonija» në shtator të vitit 1912, ku, ndër të tjera, thuhet: «Në Shqipëri nuk ka pushtet turk. Pushteti në Mitrovicë, Vushtrri, Prizren, Shkup e Tetovë është përqendruar në duar të komiteteve popullore shqiptare, të përbëra nga kryengritësit». Pastaj theksohet se komitetet e këtilla kishin autorizime të gjera për veprimtarinë e tyre dhe se kryetari i Komitetit Popullor në Mitrovicë ishte Isa Boletini i njohur.

Po në këtë kohë në një kryeartikull tendencioz të gazetës «Vardar» përsëritet teza për gjoja rrezikimin e elementit të krishterë nga shqiptarët në «Serbi të vjetër» (Kosova), Epir dhe në Maqedoni, kinse shfarosej sistematikisht nga shqiptarët. Pastaj artikullshkruesi me një ton përbuzës shpreh mendimin e tij se «kryengritësit shqiptarë ishin të dehur nga sukseset e tyre, duke ëndërruar për një Shqipëri të Madhe, në kuadër të së cilës do të hynte një pjesë e Epirit (mendohet për Vilajetin e Janinës, v.j.), Maqedonisë dhe Serbia e vjetër  (Kosova, v.j.). Sipas autorit, këto pretendime, prapa të cilave qëndronte Austro-Hungaria, rrjedhimisht projekti i ministrit të saj, Berthold, për decentralizimin e Turqisë, «duke synuar krijimin e Shqipërisë nga katër vilajetet etnikisht jokompakte shqiptare». Në këtë kuadër citohet gazeta vjeneze «Reisport» të ketë shkruar se «Shqipëria do të shtrihet deri në Vardar, duke përfunduar se armiqtë e Bullgarisë janë të njëjtë: Turqia, Austro-Hungaria dhe shqiptarët» («Makedonija»  9. 1X. 1912. «Albanskoto vestanie», fq.2 ).

Trillimi serb për vrasjen e «tradhtarit Isa Boletini»

Pas shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike, gazeta «Dnevnik», duke iu referuar burimeve serbe, konfirmonte lajmin për gjoja vrasjen e Isa Boletinit. Është për t’u theksuar se kjo gazetë, derisa më parë Isa Boletinin e vishte me epitete të qëndrueshme si trim i njohur, prijës i njohur popullor, trim legjendar etj., tani atë nuk e kursente nga fyerjet, duke e quajtur madje edhe bandit. Ky mllef shprehej: «U vra dje tradhtari Isa Boletini. Nga lajmet bëhet e ditur se Isa Boletini u pushkatua nga Serbia, të cilin e vrau personalisht gjenerali Zhivkoviq» («Dnevnik»,19.10.1912, «Boletinec e ubijen», fq.2). Ky ishte një trillim i Qeverisë serbe, që e përhapi edhe shtypi bullgar.

Është me interes të vihet në dukje se gazeta «Vardar» paralajmëroi lexuesin e saj për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Ndërkaq, pas shpalljes së pavarësisë, kjo gazetë pasi jepte vlerësime objektive për I. Qemalin si diplomat i shkëlqyeshëm, shprehej se kjo gjë për shumë arsye duhej të ishte bërë në Shkup më 16 gusht, sesa tani në rrethana jashtëzakonisht të ndërlikuara ndërballkanike. («Vardar», Sofija, 2.10.1912, «Nezavisnost na Albanija» ,fq.2).

Për dallim nga artikujt e shumtë tendenciozë të shtypit bullgar të periudhës së pasçlirimit të Shkupit e të qyteteve të tjera lindore shqiptare, përjashtim bën  artikulli «Përse nuk është Shqipëria aleati i pestë ballkanik» në kohën e passhpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike. Autori me të drejtë u bën vërejtje katër shteteve aleate që i shpallën luftë Perandorisë Osmane në tetor të vitit 1912. Sipas tij, shtetet ballkanike kundrejt Shqipërisë në këtë luftë kishin qenë jokorrekte, sepse ajo do të duhej të ishte aleati i pestë i barabartë për dëbimin e Perandorisë Osmane. («Dnevnik», 8.X.1912,Sofia, «Zasto ne beshe petoit sojuznik Albanija», fq.3),e që fati i saj do të kishte marrë kah tjetër.

Mund të përfundohet se Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare Antiosmane e vitit 1912 u pasqyrua në shtypin bullgar, duke zënë një vend të rëndësishëm deri në çlirimin e Shkupit  nga  kryengritësit shqiptarë, kur u rrezikuan  pretendimet bullgare sipas Traktatit të Shën Stefanit. Në këtë etapë kryengritja vlerësohej mjaft objektivisht, sikurse edhe  figura e Isa Boletinit. Pas çlirimit të Shkupit dhe viseve të tjera shqiptare filloi etapa kur shtypi dhe burimet bullgare përshkohen nga një dozë subjektivizmi. Në këtë kuadër shihet me një dioptri të urrejtjes e nënçmimit edhe Isa Boletini, si njëri nga udhëheqësit kryesorë të kësaj  kryengritjeje.