Në Shqipëri «fitoi» vetëm Partia e Zhgënjimit

Pas një çerekshekulli të betejave brutale për pushtet, të shoqëruara me krim e korrupsion, shqiptarët janë lodhur dhe po ia kthejnë shpinën politikës, por edhe vendit të tyre. Kjo është tragjike. Zgjedhjet e 25 qershorit duhet të shërbejnë si thirrje për zgjim nga apatia.



Gjatë ditës së diele Edi Rama dhe Lulëzim Basha patën diçka të përbashkët: të dy u shqetësuan mbi pjesëmarrjen e ulët të shqiptareve dhe shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare. Të dy dërguan apele dramatike për mobilizim të përgjithshëm të qytetarëve drejt kutive të votimit. Në dëshpërimin e tij Edi Rama u bëri thirrje edhe kosovarëve të marrin pjesë në zgjedhje – kuptohet atyre që kanë shtetësi të Republikës së Shqipërisë. Por, as pjesëmarrja e shtuar e kosovarëve (nëse ka ndodhur) nuk do të ndryshojë gjë në faktin se të dielën shumë shqiptarë preferuan të qëndrojnë në shtëpi dhe të injorojnë procesin demokratik. Sipas autoriteteve shqiptare vetëm 44 për qind e votuesve e panë të arsyeshme që me votën e tyre të tregojnë se çfarë Shqipërie duan.

Pas një çerekshekulli të betejave brutale për pushtet, të shoqëruara me krim e korrupsion, shqiptarët janë lodhur dhe po ia kthejnë shpinën politikës, por edhe vendit të tyre. Kjo është tragjike. Zgjedhjet e 25 qershorit duhet të shërbejnë si thirrje për zgjim nga apatia. A mund ta bëjë këtë Edi Rama, partia e të cilit ka marrë më së shumti mandate, me sa duket? Nëse gjykojmë nga ajo çfarë është parë në katër vitet e fundit, përgjigjja është jo. Rama ka bërë disa ndryshime kozmetike, si artist ai ka këtë talent, por i ka munguar vullneti politik të demontojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Rrjedhimisht, imazhi i Shqipërisë sot në botën perëndimore është i keq, si rrallëherë në historinë e saj bashkëkohore (me përjashtim të vitit të kobshëm 1997). Revista gjermane «Der Spiegel» në prag të zgjedhjeve shkroi se ato janë një test i pjekurisë në «Kolumbinë e Europës»: «Çdo javë raste spektakulare të korrupsionit politik dhe të krimit të organizuar dominojnë titujt në media. Gjatë muajve të fundit një krizë e rëndë politike paralizoi vendin». Gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) e përshkroi Shqipërinë si një vend pa alternativë politike. «Cili klan po u pëlqen?» – para kësaj dileme, sipas FAZ, gjenden shqiptarët, sepse si socialistët ashtu edhe demokratët janë grupe politike klanore, të lidhura me krim e korrupsion. Gazeta austriake «Der Standard» solli një reportazh mbi arat e mbjella me kanabis në Shqipëri. Tituj të tillë e dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë në botë dhe për këtë përgjegjësia bie mbi të dy partitë e mëdha, por edhe mbi grupimin parapolitik të oligarkut Ilir Meta, të cilin Edi Rama e bëri president për ta hequr qafe nga betejat e përditshme për pushtet dhe brenda pushtetit.

A mund ta ndryshojë pozitivisht Shqipërinë Lulëzim Basha? Po të shikohet karriera e tij politike, atëherë përgjigja është po ashtu negative, duke pasur parasysh aferat e mëdha korruptive, në të cilat supozohet të jetë i përzier shefi i Partisë Demokratike.

Zgjedhjet e së dielës në Shqipëri i «fitoi» vetëm Partia e Zhgënjimit. Shqiptarët «votuan» për këtë «parti», sepse nuk po shohin dritë në fund të tunelit. Qe 25 vjet në skenën politike të Shqipërisë defilojnë matadorët e njëjtë, qe 25 vjet dëgjohet zhurma e njëjtë, qe 25 vjet flitet për kanabis e korrupsion, qe 25 vjet politikanët akuzojnë njëri-tjetrin për vrasje e krime të tjera, qe 25 vjet flasin për integrime europiane dhe nuk arrijnë, sepse nuk duan, që Shqipëria të ketë sistem të pavarur të drejtësisë. Kështu bën vaki që një politikan të incizohet duke bërë pazare me resurset e shtetit dhe drejtësia të tërhiqet, ndonëse faktet për keqpërdorim ishin të pamohueshme dhe këtë e kishin thënë edhe disa ekspertë amerikanë të drejtësisë.

Krimi i organizuar dhe i lidhur me politikë është bërë aq i fuqishëm në Shqipëri, saqë eksponentët e tij mund të blejnë gjykatës dhe prokurorë, shefa policie dhe kryetarë bashkish, ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë. Milionat nga tregtia me drogë janë burim nga i cili ushqehen struktura politike dhe parapolitike, ndërkohë që shqiptarët e thjeshtë hyjnë në mesin e shoqërive më të varfra të Europës dhe kjo është arsyeja që mijëra njerëz po vazhdojnë ta braktisin Shqipërinë. Kush mund të ndalë këtë trend dramatik? Kush mund ta kthejë Shqipërinë në rrugë të mbarë?

Zgjedhjet e së dielës shpalosën mosbesimin e thellë të shumë shqiptarëve ndaj klasës politike. Mesazhi është i qartë: kështu s’mund të vazhdojë më. Ose mund të vazhdohet, por pasojat do të jetë të pariparueshme për Shqipërinë, por edhe për shqiptarët në rajon. Një Shqipëri që mbetet peng e polarizimit dhe betejave primitive politike, një Shqipëri e rrezikuar nga baronët e drogës nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në rajon – përkundër lojërave me flamuj të Edi Ramës dhe tullumbaceve patriotike. Në këtë situatë kritike dhe përballë edhe zhvillimeve globale me plot rreziqe, zgjedhjet e zbehta të 25 qershorit nga politikanët shqiptarë duhet të kuptohen edhe si rast historik për ndryshim radikal të kursit qeverisës.

Ka ardhur momenti që udhëheqësit e dy partive kryesore të Shqipërisë të kapërcejnë inatet personale dhe të lënë anash egot e tyre për të mirën e vendit. Kjo domethënë: Shqipërisë i duhet një koalicion i madh për t’u përballur me një sërë sfidash dhe për t’ia hapur dyert vendit drejt Bashkimit Europian. Shqipëria nuk duhet të mbetet kandidat i përjetshëm për anëtarësim, por duhet të fillojë sa më shpejt negociatat me Brukselin. Ndërsa vendet e tjera të rajonit po hapin kapitull pas kapitulli për hyrje në BE, Shqipëria po stagnon. Dëshmi për këtë ishin edhe zgjedhjet e së dielës.

A mund të tejkalojnë egot e tyre Edi Rama dhe Lulëzim Basha? Jetëshkrimi i tyre politik tregon se kjo do të jetë vështirë e mundshme. Nëse arrijnë të kapërcejnë hendekun e helmit Rama dhe Basha, shqiptarët një ditë mund t’u jenë mirënjohës.