Në shkollat zvicerane flitet pak për parandalimin e racizmit

Programet shkollore nuk parashohin asgjë për racizmin, ndërsa mësuesit nuk merren me të. Këto janë konstatimet e Komisionit Federal Kundër Racizmit.

Foto: Anton_Ivanov / Shutterstock.com

Sipas Komisionit, Zvicra ka vështirësi me sanksionimin e edukimit kundër racizmit në shkolla. Në raport me vendet e UE-së në këtë pikë Zvicra është mbrapa. Tema më së shumti e trajtuar është përndjekja dhe gjenocidi kundër hebrenjve, dhe mjerisht kjo është e vetmja që iu ofrohet nxënësve në shkollimin e tyre.

Në të ashtuquajturin Plan Mësimor 21 koncepri «racizëm» dhe variante të tij nuk shfaqen asnjëherë, sikurse edhe në planin mësimor të Zvicrës perëndimore PER. Në fakt, transmeton NZZ, planet mësimore krijojnë hapërsirë për tematizimin e racizmit, por nuk e detyrojnë trajtimin e tij. Për problematikën e radikalizimit ka vetëm pak materiale, kjo ua bën mësuesve të vështirë trajtimin e kësaj teme. Racizmi dhe diskriminimi në sferën pedagogjike të Zvicrës kanë ngelur tema margjinale.

Ndonëse, Komisioni Federal Kundër Racizmit vëren edhe përparime: parandalimi i racizmit në shkollat zvicerane po fiton më shumë rëndësi. Kjo falë përfshirjes së organizatave si Qendra për Luftimin e Racizmit dhe fondacioneve të tjera. Por, ka edhe shumë për t’u bërë. Qëllimi është që nxënësit të mos thonë se gjatë të gjitha viteve të shkollës nuk është folur kurrë për këtë temë. Dhe, për t’ia arritur këtij qëllimi, luftimi i racizmit duhet të jetë temë e formimit të mësuesve.

Sepse, luftimi i racizmit në shkolla sot është më i domosdoshëm se kurrë. Sipas Komisionit, nëse nxënësit ftohen të konfrontohen me klishetë e tyre dhe sjelljet eventuale rasiste, me këtë janë luftuar rrënjët e racizmit dhe të antisemitizmit. ks