Në Serbi kriminelët e luftës ligjërojnë në akademi ushtarake, nga viti 2014 nuk është ngritur asnjë aktakuzë për krimet në Kosovë

Ivana Zhaniq, drejtore e programit juridik të Fondit për të Drejtën Humanitare, flet mbi injorimin e krimeve të luftës nga ana e Serbisë, vrasjen e vëllezërve Bytyçi dhe pritjet nga Gjykata Speciale.

Ivana Zhaniq, drejtore e programit juridik të Fondit për të Drejtën Humanitare. Foto: Medija centar



Në një intervistë dhënë gazetës së pavarur «Danas», Ivana Zhaniq, drejtore e programit juridik të Fondit për të Drejtën Humanitare, thotë: «Konsideroj se si shoqëri nuk kemi bërë sa duhet për të tejkaluar barrën e ngjarjeve të luftës, që përgjegjësit t’i sjellim para drejtësisë, që viktimave t’u sigurojmë reparacione, të konstatojmë rrethanat e sakta të vuajtjeve të tyre dhe në atë mënyrë të pranojmë dhimbjen që kanë përjetuar».

Ivana Zhaniq ka disa vite që në mënyrë intensive merret me historinë e krimeve të luftës në Kosovë. Duke u përgjigjur në pyetjen se si ka mundur të ndodhë që të dënuarit për krime të luftës të ligjërojnë në Akademinë Ushtarake të Serbisë, Zhaniq tha se përgjigjja gjendet në faktin se nuk ekziston më politika e kushtëzimeve nga ana e Tribunalit të Hagës. Kjo politikë ka ekzistuar kur Tribunali i Hagës kishte mandat për ndjekjen e personave më përgjegjës për krimet e luftës. Me pushimin e punës të Tribunalit në fund të vitit të kaluar, i ka mbetur drejtësisë në Serbi të hetojë dhe t’i nxjerrë para gjyqit përgjegjësit për krime të luftës. «Kjo», sipas Zhaniq, «vërehet sidomos viteve të fundit kur numri i gjykimeve për krime të luftës ka rënë dukshëm».

Nga njëra anë nuk ka pothuaj fare aktakuza kundër të dyshuarve për krime të luftës, nga ana tjetër ka politikanë që kriminelët e luftës i konsiderojnë heronj dhe mbrojtës të popullit serb. Kështu, sipas Zhaniq, keni një shoqëri e cila e konsideron normale që të dënuarit për krimet më të rënda në Kosovë të ligjërojnë shkathtësitë luftarake para studentëve të Akademisë Ushtarake. Në Akademikë Ushtarake të Serbisë si ligjërues është ftuar Vlladimir Llazareviqi, i cili më 1999 ka qenë komandant i armatës serbe në Prishtinë. Llazareviq ka vuajtur dënimin pasi është shpallur fajtor nga Gjykata e Hagës për krimet e kryera në Kosovë. Funksionarë të partive serbe të koalicionit qeverisës janë kriminelë të luftës si Veselin Shlivançanini dhe Nikolla Shainoviqi, ndërsa ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka promovuar librin e Nebojsha Pavkoviqit, ish-shefit të Armatës së Tretë serbe me seli në Nish, e cila ka qenë përgjegjëse për Kosovën në vitet ’90. Gjatë vitit të kaluar në një program televiziv në Serbi u kyç direkt nga Haga krimineli i luftës Ratko Mlladiq.

Sipas gazetës «Danas» në Serbi që nga viti 2014 nuk është ngritur asnjë aktakuzë për krimet e luftës në Kosovë. Ivana Zhaniq deklaroi se aktualisht në Serbi po zhvillohen vetëm 12 procese për krimet e luftës, prej tyre dy procese po zgjasin qe 10 vjet. Ajo tha se Fondi për të Drejtën Humanitare dëshmon se Prokuroria për krime lufte në Serbi nuk komunikon me opinionin. Prokurorja e krimeve të luftës, Snezhana Stanojkoviq, nuk jep deklarata për opinion, prokuroria nuk ka më zyrtar përgjegjës për komunikim me mediat dhe në sajtin e prokurorisë nuk ka pothuaj asnjë informacion me interes për opinionin.

Ivana Zhaniq deklaroi se është e pafalshme që kryeministrja e një shteti që pretendon të hyjë në BE hapur nuk e pranon vendimin e gjykatës që e kanë  themeluar Kombet e Bashkuara mbi gjenocidin në Srebrenicë. «Dua të theksoj se para Gjykatës së Hagës në disa raste është konstatuar se në Srebrenicë është kryer gjenocid dhe jo ‘krim i madh’. Serbia e ka për obligim të respektojë këto vendime të gjyqit dhe t’i pranojë faktet që janë konstatuar para atij gjyqi».

Sa i përket Gjykatës Speciale për krimet e luftës të kryera nga eksponentë të UÇK-së, Zhaniq tha se themelimi i kësaj gjykate është një hap i mirë përpara për të konstatuar vërtetësinë e atyre që ka pretenduar Dick Marty në raportin e tij. «Por, çfarë shoh si problem potencial në punën e atij gjyqi është se nuk ka përkrahje të fuqishme nga shoqëria në Kosovë, gjë që të kujton situatën në Serbi në kohën kur vinin kërkesat e Tribunalit të Hagës».

Ditë më parë SHBA-të i kanë ndaluar hyrjen Goran Radosavleviqit, një ish-shefi të policisë serbe, i cili dyshohet të ketë organizuar vrasjen e vëllezërve Bytyçi. Ivana Zhaniq tha se ky është mesazh i qartë ndaj autoriteteve në Serbi që, më në fund, të merren seriozisht me këtë rast. «Përkundër paralajmërimeve qe gati 20 vjet nuk e dimë se kush ka dhënë urdhër dhe kush i ka kryer ato vrasje». (dialogplus.ch/-lli)