Në seancën e parë të Kuvendit Qeveria raporton për Marrëveshjet e Brukselit   




Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka dorëzuar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës kërkesën për të informuar deputetët e Kuvendit lidhur me marrëveshjet e arritura më 25 gusht 2015 në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton kumtesa nga Kryeministria.

 

Kërkesa e Zyrës së Kryeministrit për të informuar Kuvendin që në seancën e parë të saj për këto marrëveshje, është dorëzuar në Kuvend së bashku me tekstet e të gjitha marrëveshjeve, në tre gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht, transmeton Koha.net.

Qeveria e Republikës së Kosovës, duke ritheksuar përkushtimin e saj të plotë për transparencë, shpreh gatishmërinë për debat të hapur dhe me argumente për çdo pikë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, si edhe për proceset tjera të rëndësishme në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës vlerëson se marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel, të mbështetura fuqishëm nga partnerët strategjik të Kosovës, SHBA-të dhe BE-ja, janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Kosovës dhe ato do të fuqizojnë sovranitetin dhe proceset integruese euroatlantike të Kosovës.