Në Qendrën e Studentëve ndërtohet Konvikti i VIII – të

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, së bashku me drejtorin e Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta dhe kryetarin e Parlamentit të Studentëve, Egzon Daku, kanë vënë sot gurthemelin për ndërtimin e Konviktit nr.VIII në Qendrën e Studentëve të Universitetit «Hasan Prishtina» në Prishtinë, njofton kumtesa ministrore.




Bajrami e vlerësoi këtë ditë si ditë veçantë për Universitetin dhe Ministrinë e Arsimit, sepse tha se ky konvikt do të rrisë kapacitetin e strehimit edhe për 150 dhoma moderne, transmeton Koha.net.

«Të gjithë kemi obligim që të punojmë për studentët tanë, t’ju ofrojmë kushte të mira për studim, por edhe për banim, për shkak se Universiteti është i studentëve», tha ministri Bajrami, pasi që përmendi nevojën për edhe më shumë konvikte për të plotësuar kërkesat e studentëve për banim në Qendrën e Studentëve.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, falënderoi Qeverinë e Kosovës që ka mundësuar që brenda 5 viteve të ndërtohen tri konvikte të reja me hapësira moderne të akomodimit.

Ndërsa, kryetari i Parlamentit të Studentëve, Egzon Daku theksoi se me ndërtimin e konviktit të ri do të zbutet kërkesa për banim në konvikte.