Në Prizren familjarët protestuan për vrasjen e Hekuran Morinës




Me pankarta në duar, familjarë të Hekuran Morinës janë nisur drejt Gjykatës Themelore në Prizren, për të protestuar për vrasjen e birit të tyre.

 

Ata, para kësaj gjykate, kanë kërkuar drejtësi dhe zbardhje të rastit nga organet e rendit, raporton KTV.

Aziz Morina ka pohuar se ky rast i pahijshëm e ka goditur rëndë familjen e tyre.

Pasi dorasi doli në media dhe pranoi fajin, si dhe akuzoi rëndë shefin e policisë në rajon si të përfshirë në rast, Morina thotë se e kanë humbur besimin në drejtësi tërësisht.

Para gjykatës, drejtësi ka kërkuar për vrasjen e djalit të saj edhe Sevdije Morina.

Disa nga familjarët kanë hyrë në objektin e gjykatës, për të biseduar me kryetarin e kësaj gjykate, mirëpo, kanë mbetur pa përgjigje.

E zyrtarë të gjykatës, që e kishin liruar vrasësin disa ditë para vrasjes, e kanë hedhur fajin në prokurori e polici.

Kurse kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, ka thënë se ka qenë Gjykata Themelore që ka marrë vendim për lirimin e Bernard Përlazrit, transmeton Koha.net.

Pas më shumë se një ore, familjarët që protestuan u shpërndanë të qetë, duke thënë se nëse ky rast nuk zbardhet nga organet e drejtësisë, do të merren vetë me këtë çështje.