Në Prishtinë mbahet Konferenca rajonale: Kërcënimet ndaj Sigurisë Bërthamore

Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Kosovë organizojnë Konferencën Rajonale: Kërcënimet ndaj Sigurisë Bërthamore më 15-16 qershor 2016 në Prishtinë, njofton kumtesa nga Kryeministria, transmeton Koha.net.

Kjo konferencë do të sjellë mbi 50 përfaqësues qeveritarë dhe joqeveritarë të fushës së sigurisë bërthamore dhe radiologjike nga rreth 10 shtete nga rajoni dhe më gjerë. Aty do të trajtohet siguria rajonale bërthamore dhe radiologjike në tërësi. Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore është trup rregullator në fushën e rrezatimit dhe sigurisë bërthamore i cili funksionon në kuadër të Kryeministrisë. Zbatimi i kornizës legjislative në këtë fushë kryhet përmes tri aktiviteteve kryesore: rregullimit, licencimit dhe inspektimit.

Konferenca ka për qëllim të iniciojë rritjen e sigurisë nukleare në regjion duke ndërtuar dhe koordinuar bashkëpunimin e shteteve në regjion me qëllim të parandalimit të kërcënimeve ndaj sigurisë bërthamore dhe të shkëmbejë përvoja në mënyrën se si shtetet në rajon i trajtojnë kërcënimet bërthamore.
Konferenca do të zhvillojë punimet për dy ditë radhazi nëpërmes tre paneleve të ndara.