Në prag të Panarit të Librit në Frankfurt: 20 libra për të cilat po flitet

Gazeta e përjavshme gjermane «Die Zeit» ka bërë një listë për 10 romane dhe 10 libra jo-fiksion.

Të lexosh libra domethënë të shtegtosh në anë të panjohura të botës, domethënë të ngjitesh prej dhomave në yje, thoshte Jean Paul, shkrimtar gjerman. Foto: Shutterstock



Romane

1. Charlotte Roche: «Vasha për të gjitha punët»
Roche është përfaqësuesja më e hallakatur e gjeneratës së re të autorëve gjermanë. E pamëshirshme në përshkrimin e tabuve më të thella njerëzore. Në romanin e më të ri Maria i ndihmon Christines të kujdeset për foshnjën dhe në kuzhinë. Përballë tyre ndodhet Jörg, burri i Christines. Një trekëndësh gazmor! (Botoi «Piper»)

2. Clemens Setz: Ora mes gruas dhe kitarës
Libri më radikal i letërsisë gjermane i viteve të fundit. Këtu kryqëzohen gjeniu dhe çmenduria. Ka shanse të bëhet libër kult. (Botoi «Suhrkamp»)

3. Karl Ove Knausgård: Të ëndërrosh
Material i ri për të varurit në mbarë botën. Kësaj here Knausgård përshkruan kohën e tij në Akademinë e Shkrimit në Bergen. Fundosje dhe dyshime në vetvete. Por gjithçka mbetet si ishte: ai dëshiron të shkruajë. (Botoi: «Leuchterhand»)

4. Ulirch Peltzer: Jeta më e mirë
Kapitali dhe njerëzit janë në lëvizje, por pyetja thelbësore mbetet. Një analizë e shoqërisë në nivelin e kohës.
(Botoi «S. Fischer»)

5. Shumona Sinha: Mbytni të varfrit!
Një grua në Paris u ndihmon refugjatëve në luftë kundër burokracisë. Natyrisht ajo në këtë punë çmendet – apo janë rrethanat të çmendura? Libri më i mirë për krizën e refugjatëve – edhe në Gjermani. (Botoi: «Nautilus»)

6. Jenny Erpenbeck: Të shkosh, shkoi, ka shkuar
Një libër aktual. Kur autorja e shkroi këtë rrëfim për refugjatët në Berlin, ajo vetëm mund ta merrte me mend sa shumë e kishte në fokus politikën aktuale dhe sfidat e saj më të mëdha. (Botoi: «Knaus»)

7. Jonathan Franzen: Pafajësi
Në origjinal kjo gjë quhet «Purity», sepse bëhet fjalë për pastërti – dhe për Republikën Demokratike të Gjermanisë dhe internetin. Ndoshta tepër virtuoz. (Botoi: «Rowohlt»)

8. harper Lee: Shko atje, caktoje një rojtar
Ky roman ishte 55 vjet i humbur – tani ndez një debat të madh për racizmin. (Botoi: «DVA»)

9. Martin Amis: Zonë interesi
Martin Amis në kokën e një komandanti të një kampi nazist të shfarosjes. Një pyetje e madhe, shumë mendime, lektyrë e pakëndshme. (Botoi: «Heyne»)

10. David Lagercrantz: Komplot
A guxon ai ta bëjë këtë? Vetëm t’i vazhdojë trilerët e «Mijëvjeçarit» të Stieg Larssonit të vdekur?

Libra jo-fiksion

1. Astrid Lindgren: Njerëzimi ka dalë mëndësh
Sa shumë fëmijë ka gëzuar ajo! Në ditarin e saj Astrid Lindgren ka treguar si e ka mbijetuar luftën dhe tmerre të tjera. (Botoi: «Ullstein»)

2. Mihail Gorbaçov: Rusia e re
Një trashëgim: shpresa e vitit 1989 dhe betimi për rolin e Rusisë në politikën botërore. (Botoi: «Bastei Lübbe»)

3. Bryan Stevenson: Pa mëshirë
Ikona e re e Amerikës në luftë për të drejtat e zezakëve: një avokat tregon për situatën në burgje dhe në korridoret e vdekjes – dhe kërkon drejtësi. (Botoi: «Piper»)

4. Alan Rusbridger: Play it again (Luaje sërish)
Balada e Chopinit në G-moll. Ta ushtrosh çdo ditë? Bash tash kur eksplodon Wikileaks? Kryeredaktori i gazetës «Guardian» në testin e stresit.

5. Leanne Shapton et al.:
Gratë dhe rrobat
Bluza me vija, forma gjinjsh, intervista me rrobaqepëse në Pnom Pen. Gjithçka për temën: çfarë rroba të veshim?! Një libër për të lundruar në botën e modës, me kapituj të shkruar nga Lena Dunham dhe Miranda July. Duhet ta keni patjetër! (Botoi: «S. Fischer»)

6. Udo Di Fabio: Perëndimi i lëkundshëm
A po dështon Perëndimi për shkak të vetvetes? Anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë ankohet për plogështinë ideore dhe hedonizmin e shoqërive tona – dhe kërkon që ato ta mbajnë nën kontroll migrimin. (Botoi: «C. H. Beck»)

7. Navid Kermani: Habi e pabesueshme
Një intelektual mysliman mbi krishterimin dhe artin: një shpallje dashurie për besimin. (Botoi: «C. H. Beck»)

8. Timothy Snyder: Black Earth (Toka e zezë)
Holokausti mund të përsëritet, tërheq vërejtjen historiani nga Universiteti Yale dhe dëshiron ta ndalë ndryshimin e klimës dhe Vladimir Putinin. (Botoi «C. H. Beck»)

9. Helen Macdonald: S si skiferi (në gjermanisht: H wie Habicht)
A mund të bëhet njeriu zog? Një eksperiment me vetveten, i rrëfyer në mënyrë madhështore. (Botoi: «Allegria»)

10. Gregor Schöllgen: Gerhard Schröder
1000 faqe për kancelarin – një ecje e mundimshme në historinë gjermane prej kohës së pasluftës deri te qeveria «kuq-gjelbër». (Botoi: «DVA»).