«Në politikë hyra që të di si t’u përgjigjem nesër fëmijëve të mi…»

INTERVISTË ME KRYETARIN E STRUGËS, ZIADIN SELA

Ziadin Sela para disa ditësh ishte në një manifestim tradicional të veleshtarëve në Zvicër. Ai flet për mërgatën shqiptare, për performansën e tij si prefekt, për konfliktin me Menduh Thaçin, për jetën dhe pasionet e tij…

Intervistoi Kujtim SHABANI

Besoj nuk është hera e parë që vini në Zvicër?

Jo, është hera e tretë. Kam pasur kënaqësinë që 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ta festoj në Zvicër. Atëherë kam qenë deputet. Vizita e dytë ka qenë, pasi i fitova zgjedhjet lokale në Strugë, për t’iu falënderuar mërgatës, e cila ishte vendimtare për këtë fitore.

Si e përjetoni ekzistencën dhe aktivitetin e komunitetit shqiptar, përkatësisht të atij strugan në Zvicër?

Janë ndjenja të përziera. Është kënaqësi kur në një vend të largët takon njerëz të gjakut dhe të njëjtit vend. Njëkohësisht është një shqetësim i madh kur i sheh gjithë këta njerëz, të cilët i kanë lëshuar trojet e veta për një të ardhme më të mirë. Si duket, fati ynë i tillë paska qenë të mos jemi kurrë bashkë aty ku duhet të jemi.

Si e përjetoni mungesën e këtij komuniteti në Strugë?

E ndiejmë mungesën e tyre. Këtu e shoh edhe shkakun e klasave të zbrazura dhe të bankave pa nxënës në Strugë. Struga bën pjesë në ato komuna që ka shumë njerëz në mërgim. E keqja e gjithë kësaj situate është rritja progresive e migracionit. Dikur ishin dhjetëra, pastaj qindra, e tani qindra-mijëra shqiptarë jashtë trojeve të tyre. Ky fakt duhet të jetë një shqetësim i madh për të gjithë ne. Mungesë zhvillimi ekonomik dhe mungesë e perspektivës, pastaj migrim, shtëpi boshe – këtë s’kam si ta quaj ndryshe, pos spastrim etnik që heshtazi bëhet për çdo ditë kundër shqiptareve në Maqedoni.

Ne nuk kemi kohë të presim deri në pafundësi jetësimin e zonave të lira ekonomike në Tetovë, Strugë, Kërçovë, Gostivar, Likovë etj. I duam tani menjëherë, përndryshe numri i njerëzve që do t’i takojmë në mërgim do jetë shumë më i madh.

Deklaratat e disa politikanëve maqedonas që me natalitetin që e kanë shqiptarët shumë shpejt do të jemi shumicë në Maqedoni, nuk qëndrojnë. Sepse nataliteti ynë i popullon Evropën dhe Amerikën, por i lë bosh trojet tona.

Sa shkon numri i emigrantëve nga Struga? Ka shifra për këtë?

Fatkeqësisht, shifra të sakta nuk ka. Vetëm në Cyrih janë mbi dy mijë veleshtarë, gati gjysma e fshatit ndodhet këtu. Unë e shfrytëzoj edhe një herë rastin të bëj një apel që shoqatat, përveç manifestimeve të tipit turnir, koncerte e përvjetorë të ndryshëm, ta bëjnë edhe regjistrimin e popullatës së diasporës.

Si dhe sa kontribuon mërgata në mirëqenien e Strugës? Ka të dhëna për remitenca? Çfarë shifrash kapin ato?

Remitencat janë sekrete, mblidhen nga pushteti qendror dhe nuk jepen shifra të sakta. Ashtu sikur TVSH-në, kurbetçinjtë kur vijnë me pushime në Strugë e paguajnë edhe akcizën. Kthehet vetëm një 3,5 përqindësh me një formulë që krijon pabarazi në mënyrën e shpërndarjes dhe pamundëson një zhvillim që mund të vinte si rezultat i këtij tatimi të mbledhur në qytetet me shumicë shqiptare.

Kontributi i mërgimtarëve për Strugën megjithatë është shumë i madh. Shumat që ata lënë këtu janë më të mëdha se të një turisti nga ndonjë vend tjetër. Për më tepër, secili nga mërgimtarët tanë e ndërton një shtëpi në Strugë, nga kjo komuna realizon të ardhura. Në periudhat kur mërgimtarët janë këtu funksionojnë shumë mirë edhe bizneset, verës, sikur edhe dimrit. Paratë që u dërgojnë familjarëve të tyre e zbutin ndjeshëm gjendjen sociale të shumë familjeve.

Ndonjë mesazh për mërgimtarët?

Shfrytëzoj rastin t’u bëj apel mërgimtarëve që kapitalin e krijuar ta investojnë në vendet e tyre. Kjo do të ishte forma më e mirë e kontributit për vendlindjen.

Është shumë e rëndësishme që mërgata të vazhdojë të organizohet në formë shoqatash. Çdo mërgimtar yni është një ambasador i shqiptarëve, në përgjithësi. Sjellja dhe kontributi i tyre për shtetet ku ata jetojnë është forma më e mirë për të fituar sa më shumë miq në Perëndim. Kjo formë organizimi është shumë e mirë, si për nevojat e njerëzve që aderojnë aty, ashtu edhe një mundësi bashkimi dhe reprezentimi të gjerë. Është një mekanizëm kontrolli edhe për partitë politike në Maqedoni dhe formë e ndikimit politik në shtetet ku ata jetojnë.

Do ta përmendja faktin që ka tendenca për të t’i përçarë këto shoqata. Njëra prej tyre është i famshmi deputeti i diasporës. Politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve rrezikojnë përsëritjen e ndonjë konflikti të tipit të vitit 2001. Diaspora shqiptare ka qenë element kyç gjatë luftës së Kosovës, si dhe asaj në Maqedoni. Nëpërmjet përçarjes së këtyre shoqatave, shteti maqedonas synon që në rast të tensionimit të situatës në vend atë ta ketë të dobësuar. Dhe, forma më e mirë për t’i përçarë ato është politizimi i atillë, që nga një shoqatë të dalin dy-tre kandidatë. Kështu, jo vetëm nuk do ta fitojnë deputetin e diasporës, por do t’i humbin edhe shoqatat. Në këto zgjedhje vlen maksima e Stalinit: ‹Nuk ka rëndësi kush për kë voton, me rëndësi është kush i numëron votat›.

Subjektet që vijnë këtu me fjalë të mëdha se do ngadhënjejnë mbi partitë maqedonase, në fakt, duan ta fitojnë njeri-tjetrin, sepse subjektet maqedonase fitohen në Maqedoni, e jo në diasporë.

Sa ka ndryshuar kualiteti i jetës së struganëve nga koha që ju jeni bërë kryetar i saj?

Unë jam modest për nga natyra. Të paktën, kështu e mbaj veten. Kjo pyetje do të duhej t’u shtrohej qytetarëve të Strugës. Unë pres që ta marr përgjigjen pasi të kalojë mandati.

Ju keni bërë disa premtime dhe dikur do ta bëni edhe një bilanc, apo jo?

Sigurisht. Mendoj që një pjesë e premtimeve po realizohen avash-avash. Është viti i parë që kur u zgjodha kryetar i Komunës së Strugës. Natyrisht që përballem me vështirësi. Struga bën pjesë në ato komuna, ku pushteti qendror, jo vetëm që nuk investon, por vazhdimisht na merr para nga buxheti për kredi, të cilat janë investuar në komunat maqedonase. Mendoj që përmirësimi i kualitetit të jetës së qytetarëve nuk përfundon kurrë.

Ndoshta pyetja ishte shumë pretencioze. Ku ka mbërritur realizimi i premtimeve tuaja për Strugën?

Jemi rrugës. Një pjesë të premtimeve i kemi realizuar. Pushteti lokal është një pushtet teknik. E kotë është fjala që ka decentralizim pushteti, gjithçka është e centralizuar. Megjithatë, kemi përmirësime në çdo aspekt. Ato që i premtova për 100-ditëshin e parë u realizuan të gjitha. I pastrova objektet jolegale përreth Drinit, e ktheva në gjendje normale shëtitoren e Strugës, qyteti dhe rrethina nuk mbahet mend të kenë qenë kaq të pastra. Tani po i heqim kioskat, të cilat ka 30 vjet që e shëmtojnë Strugën. E kemi finalizuar ndërtimin e dy fushave të sportit. Jemi duke ndërtuar një shesh të ri të qytetit. Në një pjesë të vendbanimeve e kemi përfunduar infrastrukturën rrugore dhe kanalizimin.

Në prag të sezonit turistik do të nisë manifestimi kulturor «Vera e Strugës», pak a shumë siç e ka Ohri, por më modeste, sepse, sikur çdo komunë shqiptare, donacionet për kulturë i kemi zero denarë. Do të jemi nikoqirë të «Summer Fest», që organizon Top Chanel, sponsor do të jetë Komuna. Më 15 korrik nis festivali i teatrit «Këtu Fest». Do të vazhdojmë të bojkotojmë mbajtjen e mbrëmjeve të poezisë së Strugës, sepse nuk respektohet gjuha shqipe, ndërkohë flitet në të gjitha gjuhët e botës. Do të organizohen disa takime të tjera letrare etj.

Si po reflekton konflikti me partinë tuaj në performansën si prefekt?

Konflikti nuk është personal imi me partinë, në përgjithësi, por i Degës së Strugës, me kryetarin e PDSH-së, z.Thaçi. Si i tillë, nuk ka pasur ndonjë efekt në performansën time si kryetar komune, sepse këshilltarët e PDSH-së në Strugë janë të njëjtit, të cilët po ashtu e kundërshtojnë këtë lloj veprimi politik që përpiqet të ndikojë mbi Degën e Strugës, z.Thaçi. Ka pasur përpjekje që t’i kthejë këshilltarët e PDSH-së në Këshillin e Komunës së Strugës kundër meje. Pas dështimit në këtë, u mundua të ma prishë koalicionin në Këshillin e Komunës. As në këtë nuk pati sukses. Kjo më bën të ndihem mirë, sepse flet që menaxhoj me korrektësi e transparencë dhe se puna ime çmohet nga këshilltarët. Pastaj jemi mësuar të funksionojmë në kushte të jashtëzakonshme. Janë të shumta problemet që na i krijon pushteti qendror, prandaj një më tepër nuk na shqetëson.

Si erdhi deri te «rebelimi» juaj në Partinë Demokratike Shqiptare? Sa e dimë, gjithçka filloi me listat zgjedhore…?

Lista për deputetë ishte kulmi i një situate të rënduar, të krijuar ndër vite brenda PDSH-së, në raportin Menduh Thaçi dhe Dega e Strugës. Më saktë, në raportet Menduh Thaçi dhe degët e PDSH-së në gjithë shtetin, sepse situata është e ngjashme gjithandej. Shpresa se z.Menduh Thaçi do të ndryshojë kishte kohë që kishte humbur, ndërsa ne përsëri zgjodhëm të sillemi në mënyrë korrekte, në kuadër të statutit të partisë. Kuvendi i Degës, bazuar në të drejtën që ia jep statuti, iu drejtua Kuvendit Qendror që ta rishqyrtojë listën, gjë që nuk ndodhi. Z.Thaçi na u përgjigj drejtpërdrejt se jemi përjashtuar nga partia unë dhe kryetari i Degës, z.Lavdërim Elmazi. Natyrisht jashtë çdo rregulli dhe norme statutare, sepse kryetari i partisë nuk e ka këtë të drejtë. Në ndërkohë që ne thirreshim në arsye, z.Thaçi u sul njerëzve që i janë gjendur pranë në momentet më të vështira për të.

Qëndrimi i Degës së Strugës është më shumë se një rebelim brenda një subjekti politik. Është një dëshirë për ta reformuar atë, për ta bërë më të drejtë, fitimtare dhe për ta nxjerrë në dritë opsionin kombëtar shqiptar në Maqedoni.

Z. Sela, prej sa kohësh jeni aktiv në politikë, përkatësisht në PDSH?

Unë kam qenë anëtar i PDSH-së nga viti 1994. Kam pasur një shkëputje nga aktiviteti politik deri në vitin 1998, për faktin se kam qenë në studime jashtë shtetit. Aktiviteti im politik për një periudhë ka qenë nën hijen e njërit prej themeluesve të PDSH-së, ideator dhe ish-deputet i saj, tanimë i ndjerë – Aliriza Lloga, nip i të cilit jam. Në periudhën 1998-2002 kam qenë anëtar i Kryesisë së Nëndegës në Livadhi të Strugës dhe njëkohësisht kryetar i RDSH-së në këtë nëndegë. Nga viti 2002 deri në vitin 2006 isha anëtar i Kuvendit të Degës së PDSH-së në Strugë, më 2006 kryetar nëndege, më 2009 u zgjodha kryetar dege, më 2011 anëtar i Kryesisë Qendrore dhe sekretar për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim, pastaj sekretar për Politikë të Jashtme dhe deputet në Parlamentin e Maqedonisë.

Kur ju u zgjodhët deputet, e kishit konfliktin e listave zgjedhore? Jeni zgjedhur me rekomandimin e Kuvendit të Degës së Strugës, apo të Kuvendit Qendror?

Atëbotë isha kryetar dege dhe shumë aktiv. Në momentin që u zgjodha kandidat për deputet ka pasur një forum të gjerë të aktivistëve të Strugës, në një takim me kryetarin e Partisë. Aty u bisedua për kuadrin, i cili do ta udhëheqë listën e kandidatëve për deputetë në njësinë zgjedhore numër pesë. Pas një debati të gjatë, u vendos që Kuvendit të Degës së Strugës t’i propozohet vetëm emri im si kandidat i mundshëm për bartës liste. Më pas u mbajt edhe Kuvendi i Degës, kur e kam marrë përkrahjen e shumicës, me përjashtim të dy kuvendarëve që nuk u deklaruan.

Një rekapitullim. Ju jeni përjashtuar nga PDSH-ja, por nuk jeni larguar vetë nga ajo. Në njëfarë mënyre i bëni karshillëk kreut të partisë, duke e promovuar një mentalitet politik liberal me të cilin dëshironi ta nxitni një proces demokratizimi, jo vetëm në PDSH…

Quajeni si të dëshironi. Karshillëqet nuk janë pjesë e formimit tim – politik apo individual. Po, jam i gatshëm t’i bëj karshillëk së keqes, të padrejtës, humbjeve të njëpasnjëshme, gjendjes së mjerueshme të popullit tim. PDSH-ja si parti opozitare e ka për detyrë ta institucionalizojë pakënaqësinë e qytetarit shqiptar dhe ta drejtojë kundër institucioneve, të cilat e diskriminojnë në çdo hap atë. Ky karshillëk, siç e quani ju, natyrisht që sjell progres brenda shoqërisë shqiptare, sepse është i drejtuar kundër totalitarizmit, njëmendësisë; ai i hap rrugë vlerës dhe konkurrencës brenda shoqërisë shqiptare, sepse efektet shkojnë përtej PDSH-së. Situata në BDI është akoma më alarmante. Ata ka kohë që e kanë pranuar nënshtrimin dhe herë-herë, kur duhet të merren vendime, e thonë natyrshëm që do vendosë kryetari i BDI-se, z.Ahmeti. Skandaloze!

Çfarë ju lidhte me Partinë Demokratike Shqiptare, e nuk ju lidhë më?

Me PDSH-në vazhdon të më lidhë gjithçka, përveç totalitarizmit, mungesës së transparencës dhe tekeve të z.Thaçi. Me PDSH-në më lidh platforma e saj politike, e ideuar nga Arbën Xhaferri, rruga që ai e trasoi. Më lidh momenti i formimit të saj, i cili solli demokratizimin e mirëfilltë në shoqërinë shqiptare, që më parë jetonte si në monizëm. E urrej faktin që nuk e demokratizon veten një subjekt që e demokratizoi një shoqëri. Më lidh mënyra e drejtë dhe troç e të thënit të gjërave. Nuk më lidh asgjë me marrëveshjet larg syve të opinionit, që e dëmtojnë imazhin, të cilin PDSH-ja e ka krijuar me mund ndër vite.

A e ka pasur gjithmonë primatin Arbën Xhaferi në parti?

Arbën Xhaferi ka qenë ideologu i PDSH-së. Ai mbetet lideri shpirtëror i saj. Ishte urtësia dhe ai që e sillte balancën në PDSH. Mungesa e tij u kushton shumë shqiptarëve, në përgjithësi, e në veçanti PDSH-së. Komunikimi me aktivistët dhe menaxhimi i terrenit ka qenë çdoherë i Menduh Thaçit.

Ju e keni duruar këtë stil udhëheqjeje të Menduh Thaçit, të cilin e denonconi…

Nuk e kam të njëjtin mendim me ju. Aderimi në një subjekt politik shqiptar në Maqedoni nuk i ka të njëjtat specifika sikur ai në një parti të një shteti me demokraci të zhvilluar. Veprimi politik brenda PDSH-së dallon shumë nga ai në BDI; PDSH-ja është subjekt politik, i cili synon t’i zgjidhë problemet e shqiptarëve, ndërsa BDI-ja e promovon një koncept qytetar dhe i mbron interesat shtetërore të Maqedonisë. Prandaj, shprehja e pakënaqësisë brenda saj duhet të jetë e matur mirë, ashtu që të mos dëmtohet procesi kombëtar shqiptar në Maqedoni.

Qëndrimet e mia i kam shprehur çdoherë hapur brenda forumeve të PDSH-së, pa marrë parasysh nëse ato kanë qenë edhe të kryetarit të saj, z.Thaçi, apo në kundërshtim me të tijat. I tillë ka qenë kundërshtimi im i hapur në mbledhjen e Kryesisë Qendrore të partisë, kur duhej vendosur për daljen ose jo me kandidat për president.

Me sa shihet, ju nuk keni ide për ta themeluar ndonjë parti politike…

Jo. Krijimi i partive të reja vetëm sa i shpërndan pakënaqësitë e grumbulluara brenda subjektit dhe pamundëson reformimin e maturimin e tij. Një proces shumë i rëndësishëm ky, sidomos për një parti, e cila sapo i ka humbur zgjedhjet dhe është në opozitë. Ne bëjmë rezistencë brendapërbrenda, sepse gjykojmë që kjo është forma më e mirë për të krijuar mundësi, konkurrencë vlerash për të gjithë shqiptarët që e duan ndryshimin.

A mund ta imagjinoni jetën tuaj pa politikën?

Mendoj se duhet të merrem me politikë derisa gëzoj përkrahje politike dhe të drejtë përfaqësimi. Jeta me politikë është e lodhshme për individin, për rrethin e tij, për familjen e ngushtë. Është kohë që ia kushton së mirës së përgjithshme, të cilën ia merr familjes së ngushtë.

Unë nuk e kam imagjinuar ndonjëherë jetën time kaq thellë në politikë. Nuk më kujtohet të kem pasur pretendime për t’u bërë deputet apo kryetar komune. Në politikë kam hyrë që ta jap kontributin tim modest për t’i shtyrë proceset përpara. Që të mund t’u përgjigjem fëmijëve të mi dhe gjeneratave të ardhshme të popullit tim nëse na pyesin se ç’bëmë ne. T’u them se së paku u përpoqëm…

Cili është sfondi juaj jetësor dhe profesional – nga vini, cili është shkollimi juaj, familja, pasioni…?

Unë kam lindur në vitin 1972. Babanë e kam pasur arsimtar, të persekutuar politikisht. Gjyshi im, Kalosh Sela, ka qenë njeri me emër dhe me zë; i burgosur disa herë. Ai ka qenë pjesë e Ballit Kombëtar, më 1956 u burgos me Partinë Nacionaldemokratike Shqiptare, bashkë me xhaxhanë tim. Shkollën e mesme e kam kryer në Prishtinë, Fakultetin në Degën e Mjekësisë e kam mbaruar në Tiranë, kurse specializimin e kam bërë në Shkup. Jam specialist i sëmundjeve të brendshme – internist. E kam në qejf sportin: kam luajtur kohë të gjatë basketboll, luaj shah…, por tanimë nuk kam kohë për asnjërin. E kam një bibliotekë, në të cilën e kaloj atë pak kohë të lirë që e gjej…

Çfarë lexoni më shumë, cilët autorë?

Lexoj autorë të huaj, kryesisht. Më pëlqejnë Markezi, Coehlo. Por, më të preferuar e kam veprën e Mitrush Kutelit «E madhe është gjëma e mëkatit». Sigurisht që e lexoj Kadarenë. Tani për punën që po bëj më shërben edhe literatura publicistike politike…

E keni lexuar librin e Menduh Thaçit dhe si e çmoni atë?

Po, e kam lexuar. Është një përshkrim ngjarjesh dhe momentesh nga e kaluara politike e z.Thaçi, e cila ka qenë e lidhur ngushtë me momentumet politike të shqiptarëve në Maqedoni. Nuk më pëlqen titulli «Politika e mbijetesës»! Ndoshta këtu është përgjigjja e shumëkërkuar e sjelljes politike të tij. Dëshiron vetëm të mbijetojë në skenën politike, e aspak të ngadhënjejë mbi të.

Kam lexuar dhe vazhdoj ta rilexoj librin-intervistë të Enver Robellit «Arbën Xhaferi rrëfen – Në Tetovë, në kërkim të kuptimit», si dhe Rudina Xhungën me «12 porositë e Arbën Xhaferit». Secili që kërkon përgjigje për situatën në Maqedoni dhe për çështje tjera duhet t’i lexojë këta libra. Jam në procesin e përkthimit të këtij të dytit në anglisht. Mendoj se çdo përfaqësues diplomatik i huaj në Maqedoni duhet ta lexojë këtë libër. Unë vetë do t’ua bëj dhuratë.

Cilat janë rekordet tuaja jetësore – gjërat për të cilat jeni krenar?

Në njërën anë e kam të vështirë të flas për veten time, ndërsa në anën tjetër jam duke jetuar akoma dhe nuk e kam përmbyllur kapitullin e rekordeve. Me bën të ndihem krenar përkrahja që njerëzit më kanë dhënë dhe më japin. Kjo njëkohësisht më bën edhe më kërkues për veten. Jam krenar që kam qenë deri në momentet e fundit me prindërit e mi, tanimë të ndjerë, dhe nuk i kam lënë vetëm. Jam krenar me familjen time. Kam dy fëmijë: vajza është tetë, ndërsa djali pesë vjeç.