Në përvjetorin e sulmeve të NATO-s: si po i manipulon Serbia faktet dhe injoron viktimat

Gjatë 19 viteve të kaluara, Serbia e ka kultivuar kultin e viktimës së vetme të këtij konflikti. Serbia vazhdon të manipulojë me faktet jashtë kontekstit, duke insistuar në narracionin mbi agresionin e paarsyeshëm, i cili befas është hedhur mbi të dhe luftërat të cilat i kanë ndodhur sikur të ishin fatkeqësi natyrore e jo ndërmarrje të planifikuara me kujdes, në të cilat me a pa dëshirë marrin pjesë gjenerata të tëra.

Marijana Toma.



Lufta në Kosovë shpërtheu në fillim të vitit 1998 si përfundim i përgjakshëm i krizës shumëvjeçare politike në Kosovë, e cila e kishte paralizuar jetën në krahinën e atëhershme jugore serbe, sidomos pas ardhjes së Sllobodan Millosheviqit në pushtet nga fundi i viteve ‘80.

Pas disa iniciativash të pasuksesshme diplomatike të bashkësisë ndërkombëtare që me rrugë diplomatike t’i jep fund konfliktit të forcave serbe (MPB-së së Serbisë dhe Ushtrisë së Jugosllavisë) me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, NATO filloi intervenimin ushtarak kundër Republikës Federale të Jugosllavisë në mars të vitit 1999. Bombardimi ka zgjatur deri në qershor të vitit 1999, kur është nënshkruar Marrëveshja e Kumanovës në mes të RF të Jugosllavisë dhe NATO-s, me të cilën është dakorduar vendosja e misionit paqësor ndërkombëtar në Kosovë, si dhe tërheqja e plotë e policisë serbe dhe e ushtrisë nga Kosova.

Deri në qershor të vitit 1999, konfliktin e armatosur në Kosovë e kanë shoqëruar krimet masive të luftës kundër popullatës civile shqiptare, ndërsa keqtrajtimi i popullatës jo-shqiptare në masë më të madhe ka ndodhur pas tërheqjes së forcave serbe, ndonëse krime janë kryer edhe gjatë vitit 1998 e 1999.

Në luftën e Kosovës e kanë pësuar mbi 13’500 persona, në mesin e tyre mbi 10 mijë janë shqiptarë, mbi dy mijë serbë, ndërsa janë vrarë, kanë vdekur apo janë zhdukur mbi 500 romë, boshnjakë, malazezë e joshqiptarë të tjerë.

NDALOHET PUBLIKIMI NGA MEDIA TË TJERA

Më 24 mars të vitit 2018, Serbia do të shënojë 19-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s. Edhe sivjet, si edhe viteve të mëparshme, priten një varg manifestimesh, në të cilat përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Serbisë do t’ua përkujtojnë qytetarëve të Serbisë por edhe bashkësisë ndërkombëtare pësimet e vuajtjet nëpër të cilat ka kaluar Serbia në pranverën e vitit 1999.

Vitin e kaluar, manifestimi qendror shtetëror është mbajtur në Grykën e Gërdelicës, ku më 12 prill të vitit 1999 NATO ka goditur trenin, në të cilin kanë vdekur 15 persona – prej tyre 12 civilë, Radomir Jovanoviq (1954), Zoran Jovanoviq (1964), Ana Markoviq (1973), Ivan Markoviq (1973), Petar Mlladenoviq (1952), Verka Mlladenoviq (1952), Svetomir Petkoviq (1934), Vidosav Stanijanoviq (1954), Divna Stanijanoviq (1959), Branimir Stanijanoviq (1993), Simeon Todorov (1968) dhe Jasmina Velkoviq (1973), si dhe tre persona të paidentifikuar.

Para urës së hekurudhës në Grykën e Gërdelicës, ku është ngritur përmendorja me emrat e të vdekurve, kryeministri (i atëhershëm) i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka përsëritur atë që ai e pararendësit e tij e kanë thënë me vite më herët – është dënuar agresioni i NATO-s ndaj vendit sovran, është përshkruar si «njëri ndër agresionet më brutale në historinë moderne të luftimeve dhe në historinë e civilizimit njerëzor» dhe «ekspeditë e tmerrshme e aleancës më të madhe në historinë e njerëzimit», është përmendur se 19 vende «kanë pasur nevojë të tregojnë se janë më të forta, më të pasura dhe më të armatosura se vendi ynë i vogël, Serbia jonë», duke shkrepur «mbi 50 mijë projektilë, pothuaj nga një projektil për kilometër katror» dhe «tre kilogramë bomba për secilin prej nesh», se për këtë janë përdorur «mbi 1’150 aeroplanë», të cilët «kanë kryer mbi 30 mijë fluturime» dhe në konfliktin e armatosur me Serbinë kanë shpenzuar aq para sa sipas llogarisë së NATO-s «mjaftojnë për të ushqyer 80 milionë njerëz»; se Serbisë i kanë shkaktuar dëm «mes 30 e 100 miliardë dollarë». Vuçiqi ka përsëritur edhe se gjatë bombardimit të Serbisë kanë pësuar mbi dy mijë civilë dhe rreth 1 mijë ushtarë e policë, në mesin e tyre gjithsej 79 fëmijë.

NDALOHET PUBLIKIMI NGA MEDIA TË TJERA

Për Serbinë, bombardimi tremujor i NATO-s nga marsi deri në qershor të vitit 1999 ka vend të veçantë në luftërat e decenies së fundit të shekullit XX, për disa shkaqe. Para së gjithash, ky është i vetmi konflikt i armatosur në të cilin Serbia pranon se ka marrë pjesë në të, për dallim nga luftërat në Kroaci e në Bosnjë-Hercegovinë, në të cilat shteti e mohon pjesëmarrjen formale. Pastaj, vazhdimisht insistohet në përparësitë e palës me të cilën Serbia ka hyrë në konflikt dhe konflikti në këtë mënyrë paraqitet si konflikt i Davidit e Goliatit – flitet për përparësitë si epërsia në njerëz e në armatim e shteteve të NATO-s në krahasim me Serbinë, dhe insistohet në faktin se është sulmuar nga ana dhe në atë kohë forcës më të fuqishme ushtarake. Dhe ndoshta më i rëndësishmi mes tyre është se ky konflikt është zhvilluar në territorin e Serbisë dhe i pari në të cilin Serbisë i janë shkaktuar goditje të rënda të drejtpërdrejta, para së gjithash në humbje njerëzore e dëme materiale.

Gjatë 19 viteve të kaluara, Serbia me themel e ka kultivuar kultin e viktimës së vetme të këtij konflikti. Nga viti në vit, përfaqësues të institucioneve, intelektualë, aktivistë e medie, me kujdes i zgjedhin burimet për interpretimin (kryesisht të gabuar) të fakteve, i numërojnë aeroplanët dhe fluturimet e tyre, kilogramët e bombave të shkarkuara për kokë banori, dhe projektilët për kilometër katror. Mediat listojnë numrin e shkollave, kopshteve, spitaleve dhe urave, i konsultojnë punëtorët shëndetësorë të cilët shfrytëzohen në mënyrë selektive apo i keqpërdorin hulumtimet jo mjaft të besueshme dhe me qasje të vështirë, shkaktojnë panik mbi gjoja përdorimin e armëve kimike dhe me papërgjegjësi thonë se kundër Serbisë është zhvilluar luftë nukleare, deri sa kriminelët e luftës intensitetin e bombardimit të Serbisë e krahasojnë me shkatërrimet të cilat bombat atomike i kanë shkaktuar në Hiroshimë e Nagasaki. Dëmi i shkaktuar edhe pas gati 20 vitesh vlerësohet me metodën «me tahmin», kështu që edhe kryetari Vuçiq ia lejon vetes të thotë se vlerësimet shkojnë prej 30 deri në 100 miliardë dollarë, gjë që flet mjaft për joseriozitetin e vlerësimeve të tilla.

NDALOHET PUBLIKIMI NGA MEDIA TË TJERA

Serbia me papërgjegjësi flet edhe për viktimat – përfaqësuesit e institucioneve japin vlerësime mbi rreth tre mijë të vrarë – dy mijë civilëve e një mijë ushtarë e policëve, ndërsa vlerësimet të cilat i paraqesin disa medie shkojnë edhe deri në katër mijë. Emrat e viktimave përmenden në raste të jashtëzakonshme dhe vetëm nëse janë në pyetje goditje të njohura të NATO-s – publiku di për emrat e viktimave, të cilat e kanë pësuar në bombardimin e ndërtesës së Radiotelevizionit të Serbisë, Milica Rakiqit, vajzës trevjeçare e cila ka vdekur në Batajnicë, apo Sanja Milenkoviqit (16), të vdekur në bombardimin e Varvarinit.

Gati 20 vite shteti i Serbisë i shmanget përpilimit të regjistrit me emra të personave të cilët kanë humbur jetën në bombardimet e NATO-s. Në vend të shtetit, këtë listë e ka bërë Fondi për të Drejtën Humanitare, organizatë joqeveritare, e cila mbi një decenie punon në hulumtimin dhe dokumentimin e personave të vdekur, të vrarë e të zhdukur në luftërat në ish-Jugosllavi dhe rrethanave në të cilat njerëzit e kanë humbur jetën. Sipas të dhënave të FDH-së, në bombardimin e Republikës Federale të Jugosllavisë, jetën e kanë humbur gjithsej 754 persona. Në mesin e tyre, më së shumti ka serbë e malazezë – 464, 207 civilë, 20 policë e 237 ushtarë. Jetën e kanë humbur edhe 246 shqiptarë, 219 civilë, 1 polic dhe 26 ushtarë. Kanë vdekur edhe 16 romë e ashkalinj, 14 civilë e dy ushtarë. Jetën e kanë humbur edhe 28 persona nacionalitetesh të ndryshme – 14 civilë e 14 ushtarë. Në bombardime e kanë pësuar edhe 100 fëmijë më të rinj se 18 vjeç – 65 fëmijë të nacionalitetit shqiptar, 25 fëmijë të nacionalitetit serb e malazez dhe 10 fëmijë të nacionaliteteve tjera. Në këtë listë nuk ka vlerësime, viktimat janë shënuar me emrin e mbiemrin e tyre, janë shënuar datat e tyre të lindjes e të vdekjes, vendi i pësimit, nacionaliteti e statusi (ushtarak/civil).

NDALOHET PUBLIKIMI NGA MEDIA TË TJERA

19 vite kanë kaluar nga përfundimi i bombardimeve të NATO-s. Ndonëse përfaqësuesit e institucioneve të saj shpesh dhe me kënaqësi shfaqin gatishmërinë për procesin e pajtimit me fqinjët e tyre, sidomos kur ky është kusht për arritjen e poenëve para bashkësisë ndërkombëtare, nga hapat e ndërmarrë përkatësisht të pandërmarrë shihet qartë se Serbia jo vetëm se me sukses refuzon të ballafaqohet me trashëgiminë e krimeve të cilat i kanë barë forcat serbe gjatë luftërave në ish-Jugosllavinë, por edhe refuzon të pranojë vuajtjet e viktimave të saj me përcaktimin e fakteve mbi pësimet e tyre.

Në vend të kësaj, Serbia vazhdon të manipulojë me faktet jashtë kontekstit, duke insistuar në narracionin mbi agresionin e paarsyeshëm, i cili befas është hedhur mbi të dhe luftërat të cilat i kanë ndodhur sikur të ishin fatkeqësi natyrore e jo ndërmarrje të planifikuara me kujdes, në të cilat me a pa dëshirë marrin pjesë gjenerata të tëra; t’i numërojë aeroplanët, bombat e projektilët të cilët kanë shkatërruar spitale, shkolla e ura, por që jetët e humbura njerëzore i vlerëson, ndërsa lejon që vlerësimet të dallojnë në qindra e mijëra; të formojë komisione ekspertësh të profileve të ndryshme me qëllim që të «analizojë analizat e mëhershme» dhe «matematikisht t’i dëshmojë» faktet mbi veprat penale; të jetojë në mitet e ruajtura me kujdes mbi vuajtjet e veta, kurse viktimat e saj vazhdon t’i përçmojë duke gënjyer për numrin e tyre dhe i shmanget t’i mbajë mend me emrat e mbiemrat e tyre, të gjitha këto që të mund të vazhdojë të manipulojë me numrin e tyre. Me këtë Serbia jo vetëm që nuk është prijëse e procesit të pajtimit në rajon, por vazhdon me kultivimin edhe të një gjenerate të përvuajtur, të cilës ashtu të papërgatitur do t’i ndodhë befasia.

(Marijana Toma është aktiviste për të drejtat e njeriut, historiane dhe eksperte për të drejtën e tranzicionit dhe e ballafaqimit me të kaluarën nga Beogradi.)