Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të një miku të madh të shqiptarëve në Zvicër

Më 19 mars u bë një vit nga shuarja e Victor Ruffyt, një politikani zviceran dhe miku të madh të shqiptarëve. Ai nderohet për kontributin në integrimin e shqiptarëve në Zvicër si dhe për demokratizimin dhe integrimin e Shqipërisë e të Kosovës. Organizator i mbrëmjes komemorative ishte ISEAL, bashkëthemelues i të cilit ka qenë edhe Ruffy.

Moment nga mbrëmja komemorative për Victor Ruffyn.



Në ambientet e Universitetit të Lozanës, mbrëmja 20 marsit 2017 i kushtohet Victor Ruffy, ish-kryetar i Parlamentit zviceran. Për ta nderuar kujtimin e tij kanë ardhur personalitete nga Parlamenti zviceran, Qeveria e kantonit Vaud, drejtues të qytetit të Lozanës etj. Patjetër edhe ish-kolegë të Victor Ruffy nga Universiteti i Lozanës ku ka punuar si profesor.

Nga vendi i miqve të Ruffit, Kosova, ishin Valon Murati, ministër i Diasporës, Ismajl Syla, këshilltar në zyrën e Presidentit dhe Besim Kajtazi, drejtor i zyrës ligjore dhe i marrëdhënive ndërkombëtare të Presidencës së Kosovës si dhe mik i Victor Ruffyt. I pranishëm ishte edhe Ramadan Avdiu, konsull i përgjithshëm i Kosovës në Gjenevë.

Taktin e mbrëmjes e jep një dokumentar fotografik. Mimoza Selimi e shoqëroi revistën e imazheve me një interpretim muzikor plot pasion. Dr. Régis Marion-Veyron, kryetar i Këshillit Drejtues të ISEAL-it, e hapi mbrëmjen komemorative me përshëndetje të të pranishmëve.

Momentet më reprezentative: Dr. Olivier Meuwly, autor dhe zëvendëssekretar i përgjithshëm në Departamentin e Financave dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Kantonin Vaud, njëkohësisht anëtar i Këshillit Krejtues të ISEAL-it, evokoi sfondin politik të Ruffyt: stërgjyshi i tij ishte Këshilltar Federal dhe zv. President i Zvicrës, ndërsa gjyshi – këshilltar federal dhe President i Konfederatës Zvicerane. Driton Kajtazi, Drejtor i ISEAL-it: «Victor Ruffy ishte mik i shqiptarëve por ishte sidomos mik i drejtësisë dhe i demokracisë.» Ai «ndihet i ndarë në mes të dhembjes me humbjen e një miku të madh dhe të krenarisë për bashkëpunimin dhe miqësinë» me të. Prof. Jean-Bernard Racine, ish-Drejtor i Institutit të Gjeografisë së Universitetit të Lozanës, spikati modestinë dhe dedikimin e Ruffyt për problemet e qytetarëve. Ulrich Egli, nga Morrensi, kujtoi përkushtimin e Ruffyt për mirëqenien e komunës nga vinte e të banorëve të saj përkundër angazhimeve në Bern dhe Strasburg. Oscar Tosato në emër të qyetit të Lozanës evokoi angazhimin e Victor Ruffyt në politikë sidomos për mbrojtjen e të drejtave të të huajve dhe të shqiptarëve në veçanti. Cesla Amarelle, parlamentare federale, u shpreh: «Falë tij, jam më e ndieshme që të gërshetoj mirëkupitmin për hallet e individëve dhe detyrimet institucionale.» Pierre-Yves Maillard, kryetar i Qeverisë së Kantonit Vaud, dëshmoi për respektin që gëzonte  Victor Ruffy nga Konfederata te Këshilli i Evropës. Duke vërejtur se ky organizim i ISEAL-it është frymëzim për vetë qeverinë e kantonit si të respektohet kujtesa e një personaliteti Ruffy. Francis Cousin, Kryetar Nderi i Këshillit të Fondacionit të ISEAL-it, në përfundim të mbrëmjes komemorative, lexoi një letër me plot emocione të Antonella Cagnolatit nga Këshilli i Evropës.

Nga ana tjetër, Valon Murati, artikuloi mirënjohjen institucionale për kontributin e Victor Ruffyt në integrimin e shqiptarëve në Zvicër dhe për demokracinë në Kosovë. Ismajl Syla në emër të Presidentit Hashim Thaçi, i dorëzoi zonjës Barbara Burri, gruas së Victor Ruffyt, Medaljen Presidenciale të Meritave për Kontributin për lirinë e demokracinë në Kosovë dhe miqësinë Kosovë-Zvicër. Syla nënvizoi se «Kosova është shtet i ri, por nuk i harron miqtë e vjetër».

Animator i mbrëmjes ishte Visar Qusaj, aktor dhe Kryetar i Shoqatës së miqëve të ISEAL-it.

Victor Ruffy me një mirënjohje shqiptare.

Viktor Ruffy u nda nga jeta më 19 mars 2016. Ai ishte një mik i madh i shqiptarëve në përgjithësi. Më 1990 Ruffy ka qenë Kryetar i Parlamentit Zviceran. Ai për vite me radhë e ka kryesuar delegacionin zviceran pranë Këshillit të Evropës. Për vite të tëra Ruffy ishte drejtues i Komisionit të Parlamentit të Zvicrës për Marrëdhënie me Jashtë. Politikani zviceran ishte një nga kryesuesit e vëzhguesve të zgjedhjeve të para demokratike në Shqipëri  dhe kryesues i vëzhguesve të zgjedhjeve të para demokratike në Kosovë më 2001. Ruffy e ka ngritur çështjen e Kosovës  në Parlamentin e Zvicrës që më 1994. Ai ishte një nga themeluesit e Institutit Zviceran të Studimeve Shqiptare (ISEAL).  Ish kryeparlamentari është angazhuar sidomos për hyrjen e Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Victor Ruffy ishte themelues i fondacionit Eurobibus, urë e bashkëpunimit në mes të Shqipërisë e Zvicrës.