Në Medvegjë sot po votohet – Serbia “mbyll” kufirin me Kosovën




Në komunën e Medvegjës, sot janë duke u mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, ndërsa mediat atje raportojnë se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë ndërsa po votohet me rend.

“Të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe gjithçka po shkon sipas planit”, ka thënë për “Tanjugun”, sekretari i komisionit komunal zgjedhor, Ivan Kostiq.

Mirëpo, një lexues i portalit Koha.net, ka raportuar se në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, shumë familje janë bllokuar për shkak të, siç thotë lexuesi, “kinse dështimit të sistemit”.

“Desha të ju informoj se disa familjarë janë bllokuar në kufi të Kosovës me Serbinë (në Mutivodë) për ditën e zgjedhjeve [në Medvegjë]. Më thanë se përveç autobusëve, janë edhe rreth 200-300 vetura të bllokuara nga Serbia në kufi për arsye kinse të dështimit të sistemit”, thotë ai, duke mos dashur t’i përmendet emri.

Ndryshe, në këto zgjedhje po marrin pjesë pesë lista zgjedhore – tri serbe e dy shqiptare, ndërsa janë të regjistruar rreth 10.500 votues, transmeton Koha.net.

Zgjedhjet lokale në Medvegjë janë shpallur nga presidentja e parlamentit të Serbisë, Maja Gojkoviq, pasi më 8 qershor, Qeveria serbe shpërndau Kuvendin Komunal të Medvegjës. Arsye për këtë vendim të qeverisë ishte, siç ishte thënë asokohe, fakti se nuk ishte mbajtur asnjë seancë e kuvendit komunal brenda afatit të paraparë ligjor.