Në Maqedoni u shpenzuan 1 milion euro për 12 ditë fushatë

Për më pak se dy javë të fushatës parazgjedhore partitë politike në Maqedoni kanë harxhuar mbi një milion euro – kryesisht për reklamë dhe propagandë politike. Këto janë shifrat zyrtare të paraqitura nga vetë partitë në përputhje me obligimin që buron nga Kodi Zgjedhor. 

Foto: artiomp / shutterstock.com



VMRO i prinë listës së shpenzimeve në bllokun politik maqedonas dhe BDI në atë të shqiptarëve. Partia e ish kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, ka deklaruar mbi 700 mijë euro shpenzime, kryesisht për reklama dhe propagandë, për kopjim e printim të materialeve promovuese dhe shpenzime transporti. Për 120 mijë euro në raport thuhet se janë siguruar nga donacionet, ndërsa shuma tjetër nga ndonjë burim tjetër i financimit që nuk përmendet nominalisht. VMRO-DPMNE ka shpenzuar më shumë se sa ka pasur para në buxhet. Në dispozicion ka pasur vetëm 120’746 euro prej donacioneve, ndërsa ka hyrë në minus 594’849 euro.

LSDM-ja opozitare e drejtuar nga Zoran Zaev ka deklaruar të ardhura prej 534’921 euro. Mbi 150 mijë euro thonë se vijnë nga donacionet ndërsa 380 mijë euro janë grumbulluar nga anëtarësia partiake. Edhe LSDM, sikurse VMRO, më së shumti para ka harxhuar për propagandë dhe reklamë politike: 133’154 euro. Dallimi është se LSDM-së i kanë ngelur edhe 215 mijë euro për këtë fushatë.

BDI, sipas raportit të deklaruar, ka grumbulluar 128’044 euro. 111’797 euro kanë ardhur nga donacionet dhe 16’247 mijë euro janë grubulluar në forma të ndryshme. Donatorët më të mëdhej të BDI-së janë kompanitë private. Donatori më i madh i BDI-së rezulton firma tetovare Golec Trans Dooell, e cila i ka dhuruar BDI-së afro 30 mijë euro, ndërsa firma Suport Sollushëm Centar Mk Dooell i ka dhënë BDI-së afro 25 mijë euro. Shumica e parave të shpenzuara apo mbi 76 mijë euro janë harxhuar për propagandë politike dhe reklama, ndërsa pjesa tjetër për konsultime me ekspertë. BDI-së i kanë ngelur edhe 40 mijë euro nga paratë e grumbulluara deri më tani për periudhën e mbetur të fushatës.

Lëvizja Besa ka pasur një buxhet prej 67’489 eurosh, prej të cilave pjesa më e madhe vijnë nga donacionet: 66’953 mijë euro. Lëvizja i ka harxhuar të gjitha këto para dhe si përfundim del se ajo është 571’467 denarë minus. Shumicën e parave, sikurse edhe partitë e tjera, Besa e ka shpenzuar për reklamë dhe propagandë politike, por edhe për marrjen me qira të objekteve. Për reklamë janë dhënë mbi 43 mijë euro, ndërsa për objektet e përkohshme 20’738 euro.

Dy partitë e tjera opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Partia Demokratike Shqiptare kanë buxhete dhe shpenzime minimale. Aleanca për shqiptarët ka deklaruar një buxhet prej 18 mijë eurosh të siguruara nga donacionet. 11’251 euro janë shpenzuar për marrjen e objekteve me qira, ndërsa 3’137 euro janë ndarë për reklamim politik.

PDSH e Menduh Thacit ka paraqitur një buxhet prej 9’781 euro, të cilin e ka shpenzuar më së shumti për reklama dhe propagandë politike  si dhe për marrjen e objekteve me qira ku janë organizuar tubime partiake.

Partitë politike do të duhet të paraqesin edhe raport për shpenzimet në 8 ditëshin e radhës si dhe raportin përfundimtar një muaj pas përfundimit të zgjedhjeve.