Në Maqedoni të gjithë festojnë, Qeveria e pasigurt

Pushteti feston fitoren e ngushtë ndaj opozitës, ndërsa partitë opozitare festojnë përgjysmimin e votave të pushtetit dhe barazimin e tyre në numër të mandateve. Rezultatet e zgjedhjeve të djeshme në Maqedoni e çojnë vendin drejt një Qeverie jostabile ose zgjedhjeve të reja parlamentare pas gjashtë muajve, bashkë me ato lokale.




Pas publikimit të rezultateve nga zgjedhjet e djeshme në Maqedoni, të gjitha partitë më të mëdha kanë festuar. Partitë në pushtet edhe pse shënuan rënie drastike e u barazuan me opozitën, festuan se dolën të parat me një avantazh në numër votash, ndërsa partitë opozitare festuan goditjen që i dhanë Qeverisë dhe barazimin me pushtetin në numra mandatesh.

Sipas rezultatit momental, i cili ende është i pasigurtë për shkak të kalkulimeve të fundit dhe për shkak të ankimimeve që priten të ndodhin, opozita maqedonase i është afruar dukshëm pushtetit. Tani VMRO DPMNE nga 63 deputetë, sa kishte në zgjedhjet e kaluara, ka rënë në 51. Ndërkaq LSDM-ja opozitare nga 34 deputetë, sa ka pasur, dje është ngritur në 49. Në bllokun politik shqiptar ka ndryshim drastik. BDI ka humbur dominimin që ka pasur deri më tani dhe nga 20 deputetë ka rënë në 10, duke u barazuar me opozitën e cila bashkërisht ka 10 deputetë. Në rast se pranohen ankimimet, opozita mund të ngritet në 11 ulëse. Koalicioni «Rilindje me Besë» fitoi 5 mandate, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit ngeli me vetëm 2 deputetë, nga 7 sa ka pasur deri më tani.

Jozyrtarisht mësohet se opozita është duke përgaditur ankesa në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, të cilat nëse pranohen mund t’i japin opozitës shqiptare, konkretisht koalicionit «Rilindje me Besë», një deputet më tepër, ndërsa VMRO-DPMNE të humbë edhe një deputet dhe të bjerë në 50. Për të ndodhur kjo mjafton të ketë rivotim në një vendbanim shqiptar dhe «Rilindje me Besë» të fitojë 200 vota më tepër nga ato që mori në zgjedhjet e djeshme. Kjo teori duket e mundur për shkak të numrave që e përbëjnë KSHZ-në, ku vendoset për ankesat si dhe për shkak se një rënie e VMRO-së në favor të opozitës shqiptare i konvenon edhe opozitës maqedonase, e cila do të zbutë dallimin në vetëm 1 deputet më pak se VMRO-DPMNE: Dy anëtarët e pavarur, dy të LSDM-së dhe një anëtar i PDSH-së në KSHZ përbëjnë shumicën prej pesë votave përballë tre anëtarëve të VMRO-DPMNE-së. Në favor të opozitës shqiptare është edhe anëtari i BDI-së në KSHZ, por vota e tij mbetet irelevante pasi edhe nëse voton kundër rezultati është 5:4.

Skenarët e mundshëm: përçarja e opozitës ose zgjedhje të reja

Dy janë skenarët e mundshëm dhe më të përfolur që e presin Maqedoninë pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Zhvillimet e reja në KSHZ do të luajnë rol të drejtpërdrejtë në formimin e Qeverisë së ardhëshme dhe zhvillimet e mëtejme. Nëse ndodh rivotimi në një vendvotim dhe Besa i mer një deputet VMRO-DPMNE-së, atëherë partitë në pushtet, VMRO e BDI, dhe partitë opozitare do të kenë numër të barabartë deputetësh, nga 60 në secilin bllok. Në këtë situatë as pushteti bashkë, e as opozita e bashkuar nuk do të mund ta formojnë Qeverinë, për çka nevojiten 61 deputetë. Por, edhe nëse nuk ka përsëritje të votimit, dhe partitë në pushtet i kanë bashkë 61 deputetë, Qeveria do të jetë jostabile, pasi nuk do t’i ketë dy të tretat e votave në Kuvend, që janë të nevojshmë për shumë ligje, si dhe për ndryshime kushtetuese. Ndërsa edhe për ligjet e tjera do të duhet që deputetët e shumicës të jenë të gjithë të pranishëm në çdo seancë.

Në rastin e parë, sikur të paktën një deputet nga shumica të mungojë, opozita ka mundësi të ngrejë edhe votëbesim për Qeverisë, si dhe të ndryshojë vetë ligje nga çdo sferë, përveç atyre që kërkojnë dy të tretat e votave në Kuvend. Një problem tjetër për koalicionin VMRO-BDI do të jetë mungesa e votave të komuniteteve joshumicë, që njihet si «Shumica e Badenterit». Ky parim përdoret gjatë miratimit të ligjeve nga sfera e arsimit, kulturës dhe ato që prekin interesin e komuniteteve etnike dhe fetare. Në këtë rast, përveç shumicës së përgjithshme, kërkohet edhe shumica e deputetëve që vijnë nga bashkësitë etnike joshumicë. VMRO dhe BDI kanë vetëm 10 deputetë shqiptarë, ndërsa në bllokun opozitar 10 deputetë vijnë nga partitë shqiptare dhe 2 deputetë të tjerë nga lista e LSDM-së.

Në këtë situatë, Maqedonisë i ngelin dy rrugë. Skenari i parë është që partitë në pushtet të bidnin njërën nga partitë opozitare t’i bashkangjitet koalicionit qeveritar, e për një kombinim të tillë në dispozicion ju ngelet vetëm «Aleanca për Shqiptarët» me tre deputetë, pasi kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, mbrëmë deklaroi se dy deputetët e tij ja jep Lëvizjes Besa dhe refuzoi çdo koalicion me VMRO-në dhe BDI-në. «BDI ka humbur votat në mënyrë katastrofale. Fitues janë Lëvizja Besa dhe koalicioni i tyre. I uroj dhe ju jap përkrahje nga PDSH. Me votat tona do t’u japim mbështetje pa rezervë», u shpreh Thaçi, duke shtuar se mbështetjen ndaj Besës do ta japin pa asnjë kusht.

Skenari i dytë është formimi i një Qeverie të koalicionit të gjërë me mandat gjashtëmujor që në pranverën e ardhëshme të organizojë zgjedhje të dyfishta: të rregullta lokale dhe të parakohshme parlamentare. Në këtë Qeveri do të bënin pjesë katër partitë me numër më të madh mandatesh, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe Lëvizja Besa. Skenari i fundit duket edhe më i mundshëm, pasi sipas vlerësimeve të para të ekspertëve, çdo afrim i Aleancës për Shqiptarët me BDI-në në këtë Qeveri do ta dëmtonte partinë e Ziadin Selës në zgjedhjet e ardhshme lokale, për shkak të akuzave që Sela dhe partnerët e koalicionit të tij kanë adresuar ndaj BDI-së gjatë fushatës parazgjedhore. Nga ana tjetër, nga partia e Selës, edhe një ditë pas zgjedhjeve, nuk ka asnjë sinjal për ndonjë koalicion me BDI-në.

Të gjithë në festë

Pas publikimit të situatës së re të krijuar në skenën politike në Maqedoni, katër partitë kryesore shpallën fitore natën e kaluar. VMRO-DPMNE, ende pa u publikuar rezultatet finale, tha se duke u mbështetur në të dhënat e tyre kjo parti prinë me 20 mijë vota ndaj LSDM-së. (Pas publikimit të rezultateve zyrtare doli që dallimi të jetë rreth 16 mijë vota). «Kjo është fitorja e 10-të e VMRO-DPMNE-së. Do ta arsyetojmë mbështetjen. Kriza duhet patjetër të përfundojë dhe Maqedonia të ecë përpara. Dua të përcjell mesazhin se VMRO-DPMNE dhe Koalicioni për Maqedoninë më të Mirë do të punojnë në dobi të interesave shtetërore dhe nacionale të Maqedonisë. VMRO-DPMNE çdo herë ka punuar në interes të popullit. Kishim kundërshtar të vështirë, sepse nuk ishte vetëm LSDM, dhe këtë e dinë të gjithë. Prandaj kjo fitore ka rëndësi dhe peshë të veçantë», tha Gruevski pas numërimit të 90 për qind të votave. Para selisë së VMRO-DPMNE-së në Shkup u organizua edhe një festë me muzikë, ku simpatizantë dhe funksionarë të kësaj partie festonin fitoren.

Nga ana tjetër, fitoren e festoi edhe LSDM-ja opozitare, e cila, përveç barazimit, pretendonte se është edhe në epërsri ndaj VMRO-DPMNE-së. LSDM tha se ka fituar 52 deputet, qëndrim që e mban edhe sot, kur KSHZ ka publikuar rezultatet, por jo edhe numrin përfundimtar e zyrtar të mandateve. «Erdhën ditët fituese të Maqedonisë nga të gjitha anët. Erdhën rezultatet fituese. Nuk janë të vetëdijshëm se çfarë kemi bërë. Ne jemi fitimtarët, duhet ta festojmë jetën. Për këtë shkak këtu, para kësaj Qeverie ku ishte 17 maji, ku ishte Kampi i Lirisë, ku ishin të gjitha betejat tona, ku ishte ‹revolucioni shumëngjyrësh›», tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Nga partia më e madhe shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, thanë se janë fitues, ndërsa shprehën keqardhje për humbjen e 7 deputetëve shqiptarë, që, sipas kësaj partie, ka ardhur për shkak të votës që në shumë vendbanime shqiptare ka shkuar për LSDM-në. Një arsye tjetër për humbjen e deputetëve shqiptarë, sipas BDI-së, ka qenë ndarja e votës në disa parti. «I kemi thirrur partitë tjera që të bashkohen, që të mos humbin shqiptarët. BDI ka fituar zgjedhjet, por mua më ka interesuar që të fitojnë shqiptarët në radhë të parë. Nuk më gëzon fitorja e BDI-së, ne do mbetemi të vendosur që të mbrojmë doktrinën tonë para shqiptarëve të Maqedonisë», theksoi Ahmeti.

Koalicioni «Rilindje me Besë» që përbëhej nga Lëvizja Besa dhe RDK e Fadil Zendelit, thanë se edhe përkundër fitores së 10 deputetëve, BDI është humbëse në këto zgjedhje. Sipas tyre, shqiptarët tani frymojnë lirshëm. «Edhe përkundër dështimit të skajshëm të BDI-së, shqiptarëve iu dha mundësia që të votojnë një opsion shqiptar. Nga nesër për shqiptarët e Maqedonisë vjen një frymë e re, do të kenë përfaqësimin në institucionet e këtij shteti dhe do të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre në këto institucione», tha kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Edhe kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, e cila nga 7 ngeli në 2 deputetë, fituese në këto zgjedhje e shpalli koalicionin e drejtuar nga Lëvizja Besa, e cila për vetëm dy vite pas themelimit siguroi grup parlamentar dhe lufton për deputetin e gjashtë. Menduh Thaçi këtij koalicioni ia vuri në dispozicion edhe dy deputetët e tij.

Kryetari i LR PDSH-së, Ziadin Sela, në daljen para mediave tha se «Aleanca për Shqiptarët» do të pranojnë verdiktin e popullit. «Ne e morëm mesazhin. Rezultatin do ta pranojmë ashtu siç është. I bëj apel Alisë dhe BDI-së të reflektojnë. I mësuat shqiptarët se vota është vetëm interes personal, prandaj mos fajëso partitë e vogla, por gishtin drejtoje tek vetja jote. Ju jeni fajtor që zona gjashtë ka 10 për qind votues më tepër se zonat tjera», tha Sela. Kjo parti është ankuar poashtu se mijëra shqiptarë, votues të Aleancës janë hequr nga lista.

LSDM mijëra vota nga shqiptarët dhe zonat e luftës së vitit 2001

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, e cila në këto zgjedhje garoi edhe me pesë kandidatë shqiptarë, dy prej të cilëve, Muhamed Zeqiri dhe Gjylimsere Kasapi, fituan mandatet, shënoi edhe befasinë më të madhe. Opozita maqedonase ka fituar dhjetëra mijëra vota në përgjithësi nga lagjet dhe fshatrat e banuara me shqiptarë; në disa prej tyre ka dalë edhe e para. Kështu ka ndodhur në Komunën e Haraçinës, e cila ishte një nga çerdhet e UÇK-së në konfliktin e vitit 2001, ku LSDM në zgjedhjet e mbrëmshme doli e para me 2’052 vota, duke lënë të dytën BDI-në me 1’452 vota. LSDM ka fituar edhe në fshatin ku për herë të parë doli në skenë UÇK, në Tanushë dhe në fshatin e afërt, Brezë. LSDM e Zoran Zaevit ka dalë fituese edhe në Komunën e Studeniçanit, një komunë ku shqiptarët janë komunitet dominant. Në këtë Komunë LSDM ka fituar 2’515 vota, e pasuar nga Besa me 2’024; e treta këtu radhitet PDSH me 1’381, ndërsa BDI ka dalë e katërta me 1’244 vota. LSDM-ja e Zaevit dhe Muhamed Zeqirit ka fituar një numër befasues të votave edhe në komuna të tjera të pastra me shqiptarë. Kështu në Saraj ajo ka dalë parti e tretë me 2’973, duke lënë mbrapa PDSH-në dhe Aleancën për Shqiptarët; në Komunën e Bogovinës ka fituar 1’044, ndërsa në Komunën e Likovës 773 vota. 315 vota LSDM ka fituar edhe në ish komunat e Zajazit dhe Osllomesë, që janë të pastra me shqiptarë dhe janë llogaritur bastion i BDI-së.