Në luftën e vogël janë të mëdhenj

Në veri jetojnë serbët, në jug shqiptarët. Që në qytet po plas përsëri konflikti i Kosovës, ka të bëjë shumë me politikën – me Donald Trumpin, Vladimir Putinin dhe Brukselin.

Pamje nga Mitrovica, 2014. Foto: Giannis Papanikos / Shutterstock



Sa herë që Edi Krasniqit* i duhet të shkojë nga Mitrovica jugore në Mitrovicën veriore, ai i çmonton targat kosovare. «Përndryshe, ata ma gërvishtin ngjyrën ose m’i shpojnë gomat», thotë zejtari, i cili nganjëherë kryen ndonjë punë në Mitrovicën e veriut. «Dhe, mund të ketë edhe sherr me policinë.»

Në anën veriore të lumit Ibër fillon një botë tjetër: Në vend të flamujve kaltër-ar të Kosovës, atje valojnë gjithandej trikolorë kuq-kaltër-bardhë, qëndrojnë mijëra pllakate me imazhin e Aleksandër Vuçiçit, fituesin e zgjedhjeve presidenciale serbe. Shkrimi është cirilik dhe shumica e njerëzve paguajnë me dinar. Ndërsa Mitrovica veriore i përket Kosovës. Por, qytetarët e Mitrovicës veriore nuk e duan këtë.

Mitrovica është prej 18 vjetësh një qytet i ndarë: Një relike e luftës së Kosovës së 1998/99-tës. Këtu pjesërisht është zhvilluar fronti, ku kundër njëri-tjetrit luftonin shqiptarët e Kosovës dhe serbët etnikë, të cilët më parë në Jugosllavi kishin jetuar me njëri-tjetrin si fqinj. Sot lumi Ibër me një gjërësi prej 50 metrash është vija e demarkacionit ndërmjet grupeve popullore dhe ura qendrore në brendi të qytetit është simboli i ndarjes. 70’000 banorët e Mitrovicës jugore janë pothuajse vetëm kosovarë myslimanë. Në Mitrovicën e veriut dhe në komunat tjera më tej në veri banojnë gati vetëm serbë ortodoksë, gjithashtu rreth 70’000 njerëz.

Një urë shërben si kufi

Prej disa muajsh po rriten përsëri tensionet ndërmjet etnive, dhe një arsye e konsiderushme për këtë janë zhvendosjet gjeopolitike. Aleati tradicional i Serbisë, Rusia, po përpiqet ta zgjerojë ndikimin e vet në Ballkan. Pas zgjedhjes së Donald Trumpit është krejtësisht e paqartë nëse SHBA-të do të vazhdojnë të jenë fuqia kryesore mbrojtëse e Kosovës. UE-ja është e zënë me veten e saj. E gjithë kjo shkakton shqetësim në Ballkan. Sidomos në Mitrovicë.

Në bregun verior të Ibrit, vetën disa hapa nga ura qendrore, pas rrethimit të tejdukshëm qëndrojnë akoma mbetjet e murit të Mitrovicës: Një mur i lartë deri në gjoks prej tullash gri, copërash dhe betoni. Në dhjetor, prefekti verior serb, Goran Rakic, e ngriti këtu këtë mur prej dy metrash të lartë dhe njëqind metrash të gjatë. «Politikanët serbë urën e paraqesin si një lloj kufiri: këtu fillon territori serb», thotë Jeton Mehmeti, drejtor i Think Tanks-it kosovar, institutit GAP. Prej shumë kohësh serbët e pamundësojnë që ura e mbushur me simbolika të lëshohet për vetura; atë mund ta kalojnë vetëm këmbësorët.

Në janar të këtij viti një tension i ri: Qeveria e Beogradit, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008, shpalli se do të niste një tren propagandistik në Mitrovicë. Ai mban mbishkrimin «Kosova është Serbi» në 20 gjuhë dhe përbrenda është i ilustruar me skena religjioze. Qeveria e Kosovës i urdhëroi njësitë speciale në kufi, Beogradi e  ndaloi trenin shkurt përpara. Një ditë më pas, presidenti i Serbisë deklaroi se kishte ardhur «në buzë të një konflikti». Marshimi i forcave kosovare të sigurisë tregoi: «Shqiptarët duan luftë.» Nëse në Kosovë vriten serbë, do ta çojmë ushtrinë.

Pjesa veriore e Mitrovicës i dorëzohet vëllait të madh sllav

Në Kosovë po zjenë. A po bëhet shteti i vogël me më pak se dy milionë banorë, i prekur nga varfëria, korrupsioni dhe konflikti i nacionaliteteve përsëri një fuçi baroti e Ballkanit?

UE-ja përpiqet ta deeskalojë konfliktin: pjesërisht me sukses. Duke qenë se duan të integrohen si serbët ashtu edhe shqiptarët, qeveritë para katër vjetëve janë angazhuar për normalizimin e marrëdhënieve. Që atëherë përfaqësues të të dyja palëve takohen vazhdimisht bashkë me ndërmjetësues të UE-së dhe nganjëherë lidhin marrëveshje. Me presionin e Brukselit administrata e Mitrovicës veriore e shembi në shkurt, së paku pjesërisht, murin. Në mars urën, renovimin e shtrenjtë prej më shumë se një milion euro të së cilës e ka financuar Brukseli, e vizitoi e ngarkuara e UE-së për punë të Jashtme, Federica Mogherini. Ajo deklaroi se ngrehina mund të bëhej një «simbol i dialogut, pajtimit dhe shpresës».

Mirëpo, ura deri më sot nuk është lëshuar për trafikun. Fundi serb është akoma një kantier, në të cilin punëtorët i luajn duart me nge. Pas tyre qëndron një automjet me forca italiane të sigurisë: Prej 18 vjetësh një forcë ndërkombëtare mbrojtëse nën kujdesin e NATO-s kujdeset për paqën në vend.

«Nëse në Serbi dominojnë forcat pro UE-së, ura mund të hapet ndoshta nga mesi i këtij viti», thotë Edita Tahiri. «Nëse jo, duhet të presim.»

Tahiri, 60 vjeç, me flokë të lyera bjonde, është ministrja kosovare për Dialogun. Por ky për momentin po dergj, thotë ajo. «Qeveria serbe nuk po sillet si një fqinj evropian, ajo po i manipulon njerëzit.» Provokimet e fundit të Begradit janë përkrahur nga Kremlini. «Rusia po përpiqet të kthehet në Ballkan dhe serbët bashkëpunojnë.» Kështu nuk është e rastësishme që treni «Kosova është Serbi» u ndreq në Rusi. Këto ditë Beogradi pret nga Moska gjashtë avionë luftarakë MiG dhe 30 tanke të përdorura.

Pjesa veriore e Mitrovicës i është dorëzuar vëllait të madh sllav. Një mural në qendër e paraqet një shqiponjë me dy krerë: e bashkuar me stemat e Serbisë dhe Rusisë. «Kosova është Sebi – Krimea është Rusi», shkruan me të mëdha. Para pak kohë në Mitrovicën e veriut u ngjitën edhe pllakate të Trumpit. «Nëse Trumpi e jep Ballkanin, nuk besoj se Franca ose Gjermania do të luftonin për Kosovën», thotë politikani radikal serb Marko Jaksic. «Herët ose vonë, Kosova do të përfundojë në krahët e Serbisë.» Sipas diplomatëve ndërkomëtarë, deri më tani nuk ka akoma sinjale për një kthesë të politikës së SHBA-ve për Kosovën.

Të dyja palët e nxisin konfliktin ndëretnik

Por, edhe kosovarët provokojnë. Përballë ministrisë së Tahirit, në një vend qendror të kryeqytetit Prishtinë, qëndron një pllakat i stërmadh i Ramush Haradinajt. Ish shefi i së ashtuquajturës «Ushtri Çlirimtare e Kosovës» (UÇK) u arrestua në janar në Francë – mbi bazën e një fletarresti ndërkombëtar serb. Ai dyshohet se gjatë luftës ka rrëmbyer civilë, i ka torturuar dhe i ka vrarë.

Serbia e kërkon ekstradimin e Haradinajt, gjykata franceze e ka shtyrë vendimin. Në Mitrovicën e jugut, deri para pak kohësh mbanë urës ka qëndruar një pllakat i Haradinajt: i pashmangshën për banorët e anës tjetër. Ndër të qëndronte thurja #ourman. Së fundmi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i acaroi përfaqësuesit e UE-së dhe SHBA-ve me paralajmërimin për ngritjen e ushtrisë së Kosovës, në rast nevoje edhe përkundër vetos së serbëve të Kosovës.

«Ne kemi këtu probleme të mëdha ekonomike: papunësi, ekonomi të zezë dhe para së gjithash korrupsion», thotë Jovana Radosavljevic nga New Social Initiative, një organizatë joqeveritare në Mitrovicën e veriut, që angazhohet për demokratizim dhe mirëkuptim ndërmjet popujve. «Për ta larguar vëmendjen nga kjo, politikanë të të dyja anëve e nxisin konfliktin ndëretnik.»

Loja me zjarrin po funksionon. Të dy pjesët e qytetit po tëhuajsohen vazhdimisht nga njëra-tjetra. Në shkollat shqiptare nuk mësohet serbisht, në ato serbe nuk mësohet shqip. Etnia tjetër paraqitet si kundërshtare. Rezultati: Edhe pse nuk ka pika kufitare, asnjë banor i Mitrovicës veriore a jugore nuk ia merr mendja të kalojë në bregun përballë.

«Vlerësojmë se 90 për qind e të rinjve nuk kanë qenë ndonjëherë në anën tjetër», thotë Milivoje Raiceviç nga Organisation Community Building Mitrovica, e cila angazhohet për bashkëjetesë paqësore. Raiceviç vetë ka qenë për herë të parë para pesë vjetëve në bregun jugor – për arsye sigurie, bashkë me një mik. «Zemra po më dilte vendit nga eksitimi», rrëfen ai. «Por kur arrita në anën tjetër, pash njerëz krejt normalë, të cilët shkonin në punë si te ne. Askush nuk më vërejti gjithaq.»

Edi Krasniqi nuk ka frikë në Mitrovicën e veriut: «Klientët janë të kënaqur me punën time. Përveç kësaj, unë kushtoj më pak se zejtarët serbë.» Kur kthehet sërish në shtëpi, ai i çmomton përsëri targat. Fundja, veturat pa tabela, apo me autorizimin e pjesës veriore, në pjesën jugore janë rreptësisht të ndaluara. Në luftën e vogël ata janë të mëdhenj në Mitrovicë.

*Emri është ndryshuar.

(Spiegel online) ks