Në kurthin e metaforave të Vuçiqit

Si po funksionon propaganda e presidentit serb edhe në Perëndim dhe përse oferta e vetme politike që ofrojnë shqiptarët në rajon është shpërndarja e mendimeve të politikanëve serbë?

Vucic dhe kopeja e tij. Karikaturë e Corax.



Në një tekst plot me metafora, aludime, fjalë me dy kuptime, me mesazhe mes rreshtash, aty-këtu edhe më ndonjë mesazh të qartë, Aleksandër Vuçiqi ka iniciuar një debat gjoja të brendshëm serb për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Përtej metaforave kryetari i Serbisë dhe kryeministri shumëvjeçar thotë: Shtimen dhe Malishevën, dy komuna në qendër të territorit të Kosovës, s’mund t’i kontrollojmë më, por të mos heqim dorë nga ajo që e kontrollojmë.

Dihet çfarë kontrollon Beogradi në Kosovë: pjesën veriore të Republikës, ku përkundër dialogut pa cak të Brukselit ende nuk ka ndodhur integrimi i serbëve të veriut të Kosovës. I vetmi hap integrimi është se aktualisht nuk po vriten policë dhe doganierë të Kosovës në veri dhe deputetët e të ashtuquajturës Srpska Lista nganjëherë po marrin pjesë në mbledhjet e parlamentit të Kosovës. Mesazhi i Vuçiqit, sado i maskuar, megjithatë, shpalos programin nacional serb: ndarjen e Kosovës.

Në pajtim me kërkesat e shkrimtarit nacionalist Dobrica Qosiq, i cili thoshte se serbët nuk mund të jetojnë më në një shtet me «bërllokun» shqiptar, edhe Vuçiqi në tekstin e tij thekson marrëveshjen me shqiptarët, jo me Kosovën. Shqiptarët me të cilët do të dëshironte të merrej vesh Vuçiq nuk i kërkon në Prishtinë. Partnerët për «të zgjidhur çështjen e Kosovës» Vuçiq prej vitesh po i kërkon në Tiranë. Nuk është rastësi që artikullin e Vuçiqit e shpërndau në profilin e tij në Facebook vetë kryeministri i Shqipërisë. Kështu ai renditet në mesin e atyre naivëve që i bëjnë reklamë qëndrimeve politike të Beogradit në vend se të fokusohej në jo pak punë që ka në Shqipëri. Dhe nuk është i vetmi.

Në kurthin e propagandës së Vuçiqit kanë rënë edhe disa media perëndimore. Duke pasur një aparat shumë aktiv për marrëdhënie publike dhe këshilltarë gjermanë dhe izraelitë, Vuçiq po arrin që idetë e vjetra për ndarjen e Kosovës t’i shes në pazarin mediatik në Perëndim si diçka të pathënë deri më tani. Por, dihet botërisht se ndarja e Kosovës është prej vitesh kërkesë e Beogradit, më së qarti e artikuluar nga ministri i Jashtëm Ivica Daçiq, ish-zëdhënës i Sllobodan Millosheviqit. Andaj teksti i Vuçiqit nuk është as ndonjë thyerje e tabuve, as diçka e padëgjuar deri më sot. Mund të jetë vetëm për ndonjë gazetar perëndimor, që përton të zgjerojë pak fokusin dhe llafet e Vuçiqit i shpërndan si diçka të re.

Thua se deshi t’i zhgënjente edhe ata që ranë në kurthin e metaforave të tij, Vuçiq pas publikimit të artikullit të tij në gazetën «Blic» të Beogradit tha se vështirë mund të vijë deri te zgjidhja e çështjes së Kosovës. Shanset, sipas tij, janë të vogla. Megjithatë, duhet të përpiqemi për shkak të «fëmijëve tanë». Vuçiq me politikën e tij nacionaliste u ka shkaktuar tragjedi të mëdha qindra-mijëra fëmijëve në Ballkan, ndërsa tani bëhet sikur na qenkësh i brengosur për të ardhmen e fëmijëve të Ballkanit. Paralelisht me këtë Serbia ka sabotuar integrimin e serbëve të Kosovës dhe prej vitesh nga prapavija mbështet çdo përpjekje të serbëve të Bosnjës për ta hedhur në humnerë këtë shtet. Rol destruktiv Vuçiq ka luajtur edhe në Maqedoni: kur Nikola Gruveski me bandat e tij po zaptonte parlamentin në Shkup për të bllokuar zgjedhjen e qeverisë, aty u gjend edhe një agjent serb.

Që një politikan i tillë konsiderohet madje edhe faktor stabiliteti në rajon flet për verbërinë e madhe politike që mbretëron në Bruksel dhe në disa kryeqytete perëndimore. Pajtimi dhe rregullimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është gjithsesi një ide e mirë, një mision fisnik, por pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë nuk e bëjnë dot Vuçiqi dhe shpërndarësi i artikujve të tij në Tiranë. Për këtë duhet të flasin në radhë të parë vetë përfaqësuesit politik të Kosovës.

Tragjedia e këtij vendi është se, duke e shndërruar politikën në biznes, shumica e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët sundojnë këtë vend nga viti 1999, e kanë dëmtuar rëndë interesin e Kosovës dhe kanë ndikuar që opinioni të mos besojë në asnjë autoritet politik dhe publik. Ndërsa të tjerët flasin për Kosovën, bëjnë plane edhe për ndarjen e saj, në fund çmimin do ta paguajnë vetë shqiptarët e Kosovës.

Ndërsa Vuçiq me propagandën e tij «pushton» mediat perëndimore, politikanët e Prishtinës dhe Tiranës në të vetmin forum ku shprehen janë profilet e tyre në Facebook. Nganjëherë bëhen temë mediale, si rasti i kryeministrit të Shqipërisë me këpucët e tij sportive. Politika është diçka më shumë se performansë sportive apo artistike. Ndërkohë nga Beogradi paralajmërohet hapi tjetër: një deklaratë e përbashkët e liderëve të serbëve në Ballkan mbi mbijetesën e serbëve. Thua se serbët qenkan të rrezikuar nga mbijetesa në Ballkan. Që tani mund të jemi të sigurt: kjo deklaratë nuk do ta pengojë Brukselin. Ndërsa shqiptarët edhe në vjeshtë do të merren me krizat e tyre të brendshme dhe do të reagojnë ndaj ideve të të tjerëve në vend se të jenë protagonistë aktivë të politikëbërjes.