Në kthetrat e terrorizmit: çfarë po ndodh me të rinjtë e diasporës?

Arid Uka vrau dy ushtarë amerikanë në Frankfurt, dy të rinj shqiptarë erdhën nga Belgjika për të sulmuar ushtarët e KFOR-it, këtë javë një kosovare 15-vjeçare u arrestua në Austri nën dyshimin se është simpatizante e milicisë terroriste të quajtur «Shteti Islamik». As në diasporë, as në Kosovë nuk ka një strategji kundër fenomenit të radikalizimit të të rinjve të diasporës.

Foto ilustruese. Shutterstock



Kur në vitin 2011 Arid Uka, një i ri kosovar me banim në Gjermani, vrau dy ushtarë amerikanë në Frankfurt, tronditja në mesin e shqiptarëve në diasporë dhe në viset shqiptare në Ballkan ishte e madhe. Pothuaj askush nuk e mund ta merrte me mend se një shqiptar do të sulmojë pjesëtarët e ushtrisë, e cila çliroi Kosovën nga terrori i Serbisë. Atëbotë prokurorët gjermanë thanë se Arid Uka sulmoi trupat amerikane nga zemërimi për luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan. Sipas autoriteteve gjermane Uka ishte radikalizuar nga informatat në internet. Akti terrorist i Arid Ukës konsiderohet si sulmi i parë me sfond islamik në Gjermani.

Dorasi u dënua me burg të përjetshëm, por kjo ngjarje nuk nxiti një debat të gjerë në shoqërinë shqiptare se si duhet kundërvënë rrezikut të radikalizimit të të rinjve shqiptarë në diasporë. Që nga viti 2011 janë emëruar dhe janë larguar disa ministra të Diasporës në Prishtinë, por një strategji serioze se si duhet t’i qaset shteti këtij problemi nuk është prezantuar kurrë. Nuk ka pasur asnjë fushatë për informimin e prindërve se si të kujdesen që fëmijët e tyre të mos përfundojnë në kurthet e fanatikëve islamistë. Imamë radikalë janë lejuar të bredhin nëpër diasporë, të japin «këshilla» përse të rinjtë nuk bën assesi të martohen «me të huaj», mashtrues të tjerë me gëzof imami kanë organizuar tubime «solidarizuese» me «vëllezërit në Siri» dhe për këtë qëllim kanë mbledhur edhe para. Se si janë harxhuar ato para nuk është marrë vesh kurrë.

Arid Uka nuk është rasti i vetëm i radikalizimit të të rinjve shqiptarë të diasporës. Një boksier nga Gjermania, i cili kishte një shkollë të sporteve luftarake në Winterthur afër Zürichut, shkoi në Siri dhe nuk u kthye kurrë. Dy të rinj, motër e vëlla, po nga Winterthuri në dhjetor të vitit 2014 iu bashkuan xhihadistëve në Siri. Fatmirësisht pas një viti ata u kthyen në Zvicër. Në fillim të majit prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj tyre për shkak të anëtarësimit në një organizatë kriminale si «Shteti Islamik».

Ditë më parë Radio Europa e Lirë njoftoi se dy të rinj shqiptarë erdhën nga Belgjika në Kosovë për të sulmuar ushtarët e KFOR-it. «I dyshuari mashkull i ka kërkuar të dyshuarës, më të cilën bashkëjeton, të përgatisin së bashku akte terroriste në territorin e Kosovës, që të bëjnë sulm vetëvrasës me materie eksplozive të vendosur në automjet kundër pjesëtarëve të KFOR-it dhe vende tjera të frekuentuara me qytetarë e duke planifikuar edhe furnizimin me armë të zjarrta dhe materieve eksplozive, me qëllim të kryerjes së aktit terrorist», thuhej në kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e paraburgumit. I dyshuari po ashtu kishte planifikuar sulme terroriste edhe në Belgjikë dhe në Francë.

Këtë javë autoritetet austriake njoftuan se një kosovare (me pasaportë të Austrisë) është arrestuar për shkak se është simpatizante e milicisë terroriste të quajtur «Shteti Islamik». Në telefonin e saj mobil është gjetur material propagandistik për «Shtetin Islamik». Ajo po ashtu kishte qenë e interesuar të kryejë një sulm me helm në ato vende ku shiten apo përpunohen artikujt ushqimorë. Të gjitha këto raste do të duhej të ishin një arsye për alarm në të gjitha institucionet relevante sidomos të Kosovës.