Në Kosovë politikanët sundues e konsiderojnë shtetin pronë të tyre private

Televizioni gjermano-francez ARTE i kushton një seri emisionesh Ballkanit. Bashkimi Europian në Kosovë (dhe Bosnjë) ka dhënë miliarda që vendorët nuk i kanë parë, ndërsa shefi i dikurshëm i EULEX-it (2014-2016), Gabriele Meucci, me cinizëm thotë: «Ne as nuk e mohojmë, as nuk e pranojmë pavarësinë e Kosovës».




«Iluzioni Jugosllavi» – kështu quhet një dokumentar prej tri pjesësh i televizionit gjermano-francez Arte mbi historinë e Jugosllavisë mbretërore dhe komuniste dhe shkatërrimin e saj në vitet ’90. Mbrëmja e Ballkanit fillon nga ora 22:15. Sa i përket Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës autorët Rüdiger Rossig und Zoran Solomun përpiqen të tregojnë se përse këto dy protektorate të bashkësisë ndërkombëtare po numërojnë në vend. Si bashkëbisedues i parë paraqitet i pashmangshmi Andrea Capussela, i cili ka avancuar si ekspert i Kosovës tek pas largimit të tij nga Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) në Prishtinë.

Diplomati italian, i cili prej se është larguar nga Kosova zhvillon një lloj lufte private kundër BE-së, shpeshherë, por jo gjithmonë me argumente të qëndrueshme, thotë se deri në fillim të vitit 2015 BE ka dhënë donacione për Kosovën në vlerë prej 3,5 miliardë euro. Shumicën e këtyre parave nuk i ka parë asnjë qytetar i Kosovës, sepse kanë përfunduar në «projekte», siç quhen shëtitjet shtetndërtuese të jo pak bjerraditësve ndërkombëtarë. Sipas Capussela po aq para sa Bashkimi Europian për Kosovën kanë dhënë edhe SHBA-të dhe shtetet e tjera. Megjithatë, në fillim të vitit 2015 papritmas mijëra shqiptarë të Kosovës u larguan nga vendi i tyre në drejtim të Europës perëndimore për shkak të varfërisë, papunësisë dhe korrupsionit. Kosova, konstatojnë autorët, është një vend ku «heronjtë e luftës» e konsiderojnë shtetin pronë të tyre.

Në 6 vitet e para pas luftës bashkësia ndërkombëtare për Bosnjën ndau 60 deri 70 milionë dollarë, thotë ekonomisti Tharko Papiq. Çfarë domethënë kjo? Pjesën më të madhe të parave i marrin zyrat e konsulencës, të cilat janë pjesë e industrisë së planifikimit. Kjo është ndihmë kolaterale, thotë Papiq. Bosnja mbetet vend jofunksional me 150 ministra në të gjitha nivelet. Ata që e njohin historinë e konfliktit në Bosnjë e kanë të pamundshme të pajtohen me konstatimin e autorëve se në Bosnjë kanë luftuar nacionalistët serbë, kroatë dhe boshnjakë (siç e quajnë veten në kuptimin nacional myslimanët e Bosnjës). Kështu – me apo pa qëllim – heshtet fakti se Bosnja ka qenë viktimë e agresionit serbomadh. Cinike dhe skandaloze është po ashtu deklarata e Gabriele Meuccit, shef i EULEX-it në Kosovë mes viteve 2014-2016. Ai thotë: «Ne as nuk e mohojmë, as nuk e pranojmë pavarësinë e Kosovës».

Ndërsa partitë e tjera heshtin, e vetmja parti që e vë në dyshim këtë qasje të EULEX-it është Vetëvendosje. Ish-lideri i saj dhe një ndër figurat qendrore të politikës kosovare, Albin Kurti, thotë për televizionin ARTE se EUELXI ka kapur në Kosovë peshq mesatarë, por jo peshkaqenët, sepse me ta hanë darka, ata janë të nevojshëm «për stabilitet». Në të vërtetë bëhet fjalë për një të ashtuquajtur stabilitet. Një stabilitet që gazetarja Arbana Xharra e përshkruan kështu: «Nuk mund të jesh milioner dhe zyrtarisht të marrësh rrogën e deputetit të parlamentit kosovar». Ndërsa Kurti thotë: «Kur erdhën burokratët ndërkombëtarë në Kosovë, ata na premtuan ekonomi të tregut. Por çfarë na dhanë ishte një treg pa ekonomi». Rezultati? Banka Botërore thotë se termocentralet e Obiliqit, aty ku politikanë primitivë si puna e Hashim Thaçit kanë vendosur me vite kushërinjtë apo të besueshmit e tyre, është burimi më i madh i ndotjes në Europë. Çdo vit në komunën e Obiliqit vdesin 800 njerëz nga gazrat helmuese të termocentraleve. Në Kosovë për çdo vit sëmuren 20 mijë fëmijë nga frymëmarrja.

Jugosllavia nuk duhet të idealizohet assesi. Por disa krahasime duhet të bëhen. Një aktivist i shoqërisë civile në Prijedor thotë: «Këtu dikur është jetuar mirë. Ka pasur oferta kulturore. Në vite ’60 dhe ’70 këtu kanë dhënë koncerte Wiener Sängerknaben dhe Pavarotti. Ka pasur pishina, spital. Mirëqenien mund ta shihje me sy». Sot serbë, myslimanë dhe kroatë janë të bashkuar në varfëri. Edhe një shembull nga Kosova: çdo kilometër autostradë që ka ndërtuar qeveria e kriminalizuar dhe korruptuar e Hashim Thaçit i ka kushtuar Kosovës 11 milionë euro.

Për 80 kilometra autostradë Kosova ka paguar 1,2 miliardë euro – gati sa buxheti vjetor. Sa për krahasim: në Gjermani një kilometër kushton rreth 7 milionë euro. Për 80 kilometra autostradë në Kosovë supozohet se janë vjedhur për çdo kilometër deri në 4 milionë euro – gjithsejtë mbi 300 milionë euro. Për këtë masakër financiare askush nuk ka dhënë përgjegjësi ende. Si qëndron puna më këtë skandal? Shefi i dikurshëm i EULEX-it, Gabriele Meucci, i cili kur është intervistuar ka qenë ende në post, përgjigjet me cinizmin e një hajduti neokolonial: «E di që ka thashetheme. Problemi është se në Kosovë ka thashetheme për gjithçka. Dhe 80 për qind e tyre janë…». Meucci bën gjeste me duar, pa ditur apo dashur të ofrojë një përgjigje të besueshme. Ndoshta kjo është mënyra eulexiane për të mbuluar dembelinë në Kosovë dhe shpeshherë aleancën me krerë politikë të korruptuar.

Emisionet e ARTE mund të shikohen edhe në mediatekën e Arte në internet në këto adresa:

http://www.arte.tv/guide/de/053440-001-A/illusion-jugoslawien-1-2

http://www.arte.tv/guide/de/053440-002-A/illusion-jugoslawien-2-2

http://www.arte.tv/guide/de/063686-000-A/bosnien-und-kosovo-europas-vergessene-protektorate