Në Kosovë nuk duhet të lejohet një qeveri që nuk e ka shumicën e votave shqiptare

Ambiciet e koalicionit PAN për të krijuar qeveri në Kosovë duke injoruar shumicën e votave shqiptare janë në funksion të ruajtjes së «privilegjit» për të plaçkitur shtetin. Kësaj politike duhet t’i jepet fund – me çdo mjet demokratik.



Duke i këqyr lisat të mos shohësh malin. Mbi 90 për qind e banorëve të Kosovës janë shqiptarë. Pjesa tjetër e banorëve janë pjesëtarë të pakicave. Nën tutelën e UNMIK-ut, Kai Eides, Martti Ahtisaarit, EULEX-it, Catherine Ashtonit, Robert Cooperit dhe burokratëve të tjerë të Brukselit në Kosovë është imponuar një politikë, sipas të cilës popullsia shumicë nuk mund të marrë pothuaj asnjë vendim për çështje të mëdha pa pëlqimin e minoriteteve. Me këtë politikë që gjoja synon t’i «mbrojë pakicat», bashkësia ndërkombëtare i këqyr lisat, por nuk është duke e parë malin. Mali është shqiptar. Po të mos ishte kështu, Kosova s’do të bëhej e pavarur, por do të ishte provincë serbe, 60 për qind shqiptarë, 40 për qind serbë e të tjerë. Ditën e mirë.

Nëse mbi 90 për qind e banorëve të Kosovës janë shqiptarë, atëherë duhet të merret parasysh edhe vullneti i tyre politik. Për fat të mirë asnjë parti politike në Kosovë nuk favorizon, as nuk kërkon dëbimin e pakicave, së paku jo zyrtarisht. Rrjedhimisht, u takon edhe pakicave që të bëjnë hapat e parë për t’u integruar në shtetin e Kosovës – në qoftë se të ardhmen e tyre e shohin në këtë vend. Kjo vlen sidomos për pakicën serbe, të pajisur me qindra kompetenca, përparësi, favore, privilegje, instrumente të vetos e çka jo tjetër.

Por, është jodemokratike, e palejueshme dhe madje e rrezikshme që një minoritet të përcaktojë kahun e politikës nacionale të një shteti dhe të bëhet përcaktues, ta zëmë, për themelimin e institucioneve qendrore, siç janë bërë serbët në Kosovë si pasojë e verbërisë politike të pushteteve të deritanishme kosovare të prira nga «kumanirat lavdiplotë» që së pari e «çliruan», pastaj e plaçkitën Kosovën. Në Republikën e Kroacisë kroatët përbëjnë 90 për qind të banorëve, 10 për qind janë pjesëtarë të komuniteteve të tjera, më së shumti serbë. Asnjë diplomat perëndimor, as kinez, as kongolez, nuk do të guxonte të kërkonte që partia e komunitetit serb të jetë përcaktuese se kush do të hyjë në Banski dvori, në selinë e qeverisë kroate në Zagreb.

Në Kosovë asnjë parti nuk përjashton përfshirjen e komunitetit serb në qeveri dhe kjo është një sjellje pa dyshim fisnike dhe në përputhje me vlerat dhe standardet e Bashkimit Europian. Por, si është e mundur që në Kosovë të ketë parti politike që pakicës serbe ia japin privilegjin jodemokratik të suprimojë vullnetin politik të shumicës së votuesve shqiptarë vetëm e vetëm për të qëndruar në pushtet me çdo kusht? Këtë rol prej vitesh e ka marrë Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Partia e «komandantëve», e «çlirimtarëve», e «patriotëve» është e gatshme që, për të ruajtur «privilegjin» për të plaçkitur shtetin, të bëhet bashkë me çdo parti minoritare në Kosovë, madje edhe të tilla që kontrollohen direkt nga Beogradi. Në këtë valle kanë hyrë edhe Ramush Haradinaj me partinë e tij familjare AAK dhe Fatmir Limaj.

Komandantët që më 1999 përmes televizionit stalinist të Tiranës (TVSH) kërkonin pushkatimin e Ibrahim Rugovës, sepse ky paskësh «takuar Sllobodan Millosheviqin», tani bëhen bashkë për të luftuar partinë e parë politike në Kosovë (VV) dhe të dytën po ashtu (LDK), të cilat së bashku kanë fituar 61 deputetë. Nëse këtyre u shtohet një deputet serb jashtë Listës Srpska («Listës së Aleksandër Vuçiqit») dhe 10 deputetë të pakicave të tjera, atëherë një qeveri e ardhshme lehtë mund të ketë 72 deputetë dhe do të përfaqësonte shumicën shqiptare, gjë që është vendimtare për një shtet si Kosova me mbi 90 për qind banorë shqiptarë.

Krerët e PAN-it, ndërkaq, kanë ambicie që me vetëm 39 deputetë të tyre, me «Listën e Vuçiqit» dhe me ndonjë teutarugovë nga tregu i mishit politik të krijojnë qeveri. Në vitin 2017 në Kosovë nuk duhet të lejohet një qeveri që nuk e ka shumicën e votave shqiptare. Këtë do të duhej ta kuptonin edhe propagandistët e PDK-së, të cilët denoncojnë dhunën e Lëvizjes Vetëvendosje në parlament, e cila mund të konsiderohet e papranueshme, por atëherë duhet të thuhet edhe e vërteta historike: vrasjet në Kosovë janë ndalur tek pasi PDK e mori pushtetin. A kërcënohet Kosova nga një fazë e re dhune, vrasjesh pas shpine dhe intrigash të tjera kriminale nëse PDK e humb pushtetin? Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjen propagandistët e PDK-së kur flasin për dhunën.