Në Kosovë lulëzon tregu i abortit ilegal

Autoritetet në Kosovë mbyllin sytë përballë abortit ilegal në mungesë të vullnetit politik për të reformuar ligjet kufizuese në shoqërinë konservatore.

Ilustrimi: Shutterstock

Jehona shtrëngonte një ultratingull ndërkohë që rikujtonte ditën në 2014 kur ajo ndërpreu shtatzëninë e saj pasi që i dashuri i saj e la. «E desha shumë atë fëmijë», tha ajo. «Nuk kisha para, as shtëpi timen, e besa as punë. Si ta mbaja?» Frika nga stigma që prek nënat beqare në shoqërinë konservatore të Kosovës e shtyu Jehonën të abortojë. Por legjislacioni kufizues nënkuptonte që ajo duhej të shkelte ligjin që ta bënte këtë, duke e lënë atë me plagë emocionale dhe fizike që deri sot mundohet t’i shërojë.

Jehona, tashmë 24 vjeçare, refuzoi të identifikohej me emrin e plotë. Historia e saj është larg nga e pazakonta në Kosovë. Nën ligjin kosovar, vetëm një klinikë publike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, QKUK, është e lejuar të kryejë aborte. Gratë mbi moshën 18 vjeç janë të lejuara të abortojnë deri në javën e dhjetë të shtatzënisë. Ato nën 18 duhet të marrin leje nga prindërit e tyre. Pas javës së dhjetë, abortet mund të kryhen vetëm nëse komisioni për aborte në kuadër të departamentit për planifikim familjar në QKUK vendos që shëndeti i nënës ose fetusit është në rrezik.

Kjo ka dallim të theksuar me, për shembull, Britaninë e Madhe, ku abortet lejohen deri në javën e 24, edhe pse shumica kryhen më herët. Tashmë tre muajsh shtatzënë, Jehona e dinte që QKUK do ta refuzonte atë. Ajo iu drejtua një klinike private të regjistruar në Prishtinë. Aty nuk pati ndonjë ekzaminim fillestar dhe asnjë shënim zyrtar nuk u bë për abortin, i thotë ajo BIRN. Një doktor i dha Jehonës tre hapa dhe ajo u kthye në banesën që e ndante me koleget e studimeve. «Mjeku më ka thënë: <Nëse ndodh diçka, thirrem e të tregoj se çka me bë>.» Jehona pagoi 150 euro, edhe pse kërkimet në terren që i bëri BIRN në një numër klinikash private sugjerojnë që çmimi mund të arrijë deri në 500 euro.

Për dy vite tani, Jehona tha që po trajtohet për komplikime në vezoren e majtë. «Po mërzitem, por çka me bë», thotë ajo. Ajo refuzoi të tregonte se në cilën klinikë kishte kryer abortin. Numri i saktë i aborteve ilegale në Kosovë nuk dihet, por raportimet nga BIRN sugjerojnë që praktika është një sekret publik, i kryer në disa raste nga doktorë të QKUK-së që kanë klinikën e tyre private, dhe lihet e paadresuar nga qeveri të shumta që nuk kanë vullnet ta rregullojnë me frikën që do të zemërojnë bazën e mbështetjes së tyre konservatore.

«Është vështirë të parandalohen derisa nuk raportohen zyrtarisht», njoftoi Departamenti i Komunikimit i Ministrisë së Shëndetësisë në një përgjigje në email. «Ne nuk e dimë realisht numrin e tyre», theksohej në përgjigje. Një raport i vitit 2006 nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë – UNFPA, thotë që, ndërkohë që të dhënat zyrtare janë të mangëta, «një numër i madh i aborteve kryhet në ordinancat private». «Nëse mashkulli nuk pajtohet të martohet me femrën e cila ka ngelur shtatzënë, aborti duhet të bëhet fshehurazi dhe shumë shpejt që askush të mos kuptojë për këtë», thotë raporti. «Kjo ndodh për shkak të frikës nga thashethemet që përhapen shumë shpejt. Ajo femër gjithmonë do të mbahet në mend si <kjo është ajo që ka abortuar> dhe gjasat që do të martohet do të jenë shumë të vogla».

Janë 108 klinika private gjinekologjike të regjistruara në Inspektoratin e Shëndetësisë së Kosovës. 15 nga to janë të listuara si pronë e specialistëve që gjithashtu punojnë në QKUK. Myrvete Paqarada, drejtoreshë e klinikës së gjinekologjisë-obstetrisë në QKUK, i tha BIRN se ajo e di që mjekët e stafit të saj kryejnë aborte ilegalisht në klinikat e tyre private. «Jam e vetëdijshme», tha Paqarada. «Por, dëgjo, se çka po të them: përderisa askush nuk vjen e më thotë se e ka bërë ky e ky unë i kam duart e lidhura». Paqarada nuk e fsheh përbuzjen e saj për abortin, që ajo e përshkruan si «vrasje». «Nuk lejohet as me fe, as me shkencë mbytja e fëmijës», thotë ajo.

Në sallën ku kryhen abortet në QKUK, një afishe është e vendosur në mur dhe thotë: «Aborti – krim i bërë me vetë duart e nënës». «E kam vendosur që gratë e vajzat që abortojnë ta shohin se po bëjnë krim», tha Sadije Preniqi, kryeinfermierja në sektorin e planifikimit familjar në QKUK. Pavarësisht rregullave të konfidencialitetit, Preniqi me gatishmëri ndan me BIRN përmbajtjen e një fletoreje protokolli të madhe të kuqe ku abortet e kryera në vitet e fundit janë të detajuara me shkrim. Paqarada tha që shumica e aborteve kryhen në klinika private por edhe në shtëpi, sepse barnat që përdoren për të nxitur abortin, si citotekët, mund të blihen në farmaci. Gazetarja ishte në gjendje të blinte dy hapa për pesë euro, pa paketë dhe pa faturë. «Merri një në ditë edhe pas dy dite fillon prishet embrioni», tha një farmaciste.

Ministria e Shëndetësisë tha që aftësia e saj për të rregulluar këtë pengohet nga fshehtësia e klinikave private. «Nëse ndonjë qytetar denoncon raste të tilla, Inspektorati [i Shëndetësisë] bën inspektimin e institucionit përkatës dhe ndërmerr masa varësisht prej të gjeturave gjatë inspektimit», tha departamenti i komunikimit i ministrisë në një email për BIRN. Dejona Mihali, zyrtare e partisë opozitare Vetëvendosje, tha që qeveria e ka kriminalizuar abortin efektivisht në shumë raste, duke shtyrë gratë në një treg ilegal dhe të parregulluar që autoritetet mbyllin sytë përballë saj.

«Në Kosovë për shkak të natyrës së gjykimit në familje dhe në shoqëri këto raste… në shumicën dërmuese realizohen në kushte anonimiteti dhe shpesh në institucione private mbi të cilat siç jeni në dijeni Ministria e Shëndetësisë ka vërtetuar se nuk ka asnjë lloj kontrolli», tha Mihali për BIRN. «Përkundrazi», tha ajo. «Autoritetet i lejojnë të punojnë edhe pa licence, edhe pa staf adekuat, edhe me rrezikun e abuzimit ekstrem me jetën e pacientit». Aborti ilegal është përfshirë në Kodin Penal të Kosovës në 2013. BIRN ka kontaktuar të gjitha gjykatat e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë për të parë se sa raste janë hetuar penalisht apo gjykuar sa i përket kësaj vepre. Policia nuk është përgjigjur, prokuroria tha që nuk kanë informacione, ndërkohë që gjykata themelore në Prishtinë tha që katër raste po gjykohen momentalisht.

Në QKUK, Paqarada dhe një tjetër doktor përshkruajnë se si mundohen ata të bindin disa gra të mos kryejnë abortin. «Nëse ne e bindim nënën nuk do të thotë cenim i së drejtës së njeriut», tha dr. Blerim Syla. «E kundërta është cenim, ku po e dimë se çka bëhet nesër ai fëmijë?» Sociologia Sibel Halimi tha se këto qasje vetëm konfirmojnë natyrën patriarkale të shoqërisë së Kosovës. «Kësisoj, edhe ndjeshmëria për të përmirësuar pozitën e gruas dhe vajzave mbetet vetëm një tentativë ligjore sa për të krijuar imazh, por jo edhe përpjekjen për një ndryshim rrënjësor të pozitës së saj».

[Ky artikull është prodhuar si pjesë e Bursës për Raportim Cilësor në kuadër të projektit Media for All i zbatuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe i mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë. Burimi: Prishtina Insight].