Në kolovajzën e emocioneve

Për Zvicrën? Apo për Shqipërinë? Më së miri për Kosovën e Zvicrës! Kampionati Europian i Futbollit do të jetë një përplasje emocionesh.

Ilustrimi: Shutterstock



Kemi hyrë në muajin qershor dhe pothuaj të gjithë gjendemi në një kolovajzë emocionesh në prag të Kampionatit Europian të Futbollit. Kjo kolovajzë në ditët ose javët e ardhshme do të na hedh me vrull e me forcë herë në taborrin zviceran, herë në atë të Shqipërisë – dhe shpesh edhe në fushën e Kombëtares së Kosovës.
Fjalori i Gjuhës Shqipe e shpjegon kështu fjalën kolovajzë: «Lodër fëmijësh, e bërë me një copë dërrasë, që varet në dy litarë të lidhur në një tra a në një degë peme për t’u kolovitur. Hipi (ulem) në kolovajzë. Koloviten në kolovajzë». Shregull dhe shilarës janë dy sinonime të tjera për kolovajzën, të cilat kanë gjetur vend në fjalor.
Në veshët e shqiptarëve të Kosovës fjalët kolovajzë, shregull dhe shilarës tingëllojnë të pazakonshme, andaj në mediumet e Prishtinës mund të gjesh këso titujsh: «Princi britanik është mjeshtër i luhajës». Në janar të këtij viti në Kuvendin e Lipjanit është diskutuar nëse duhet thënë «luhajë» apo «hulajë». Shkas për këtë debat ishte rregullorja për vendosjen, ndërtimin dhe largimin e objekteve të përkohshme në pronën publike. Për një portal kosovar të lajmeve nuk ka asnjë dilemë: «Dafina (Zeqiri) shijon verën mbi hulajë». Titulli «Dafina mbi kolovajzë» do të zgjonte fantazinë në drejtime krejt të tjera.
Sidoqoftë, vala e emocioneve do t’i përfshijë sidomos shqiptarët me banim në Zvicër. Në vendin e punës, në restorant, në rrugë, në kohën e lirë ata do të ballafaqohen shpesh me pyetjen: Për Zvicrën? Apo për Shqipërinë? Një përgjigje elegante do të ishte: më së miri për Kosovën e Zvicrës! Sepse: ku ke parë ti që një komunitet prej 200 mijë vetash të furnizojë me lojtarë ekipet e Zvicrës, Shqipërisë dhe të Kosovës?
Shaqiri, Xhaka, Behrami, Mehmedi, Tarashaj janë emra të pashmangshëm kur flitet e shkruhet për Kombëtaren e Zvicrës. Xhaka tjetër, Ajeti, Basha, Gashi, Abrashi janë emra të pashmangshëm kur flitet e shkruhet për Kombëtaren e Shqipërisë. Të dëshpëruar kanë mbetur Berat Gjimshiti, Milot Rashica, Amir Rrahmani dhe Herolind Shala: ata nuk janë ftuar në Euro2016. Gjimshiti para një viti kishte vendosur të luajë për Shqipërinë, tani me gjasë ai do të vendoste ndryshe, aq më tepër që e ka përfaqësuar Zvicrën në ekipet U18, U19 dhe U21 dhe shanset të luante për Kombëtaren e Zvicrës kanë qenë reale. Çfarë do të bëjë ai tani? Gjasat se do të pranohet në ekipin e Zvicrës janë të vogla. Në Kombëtaren e Kosovës, ndërkaq, ai do të kishte mbase mundësi reale të pranohej. Bashkë me publikun duket se edhe Gjimshiti ndodhet në një kolovajzë emocionesh dhe dilemash.
Dilema të tilla nuk ka Milaim Rama. Ai është si të thuash pionieri që ka bërë hapat e parë në futbollin zviceran. «Jam mirë. Ndërkohë nuk më mungon jeta si futbollist profesionist», ka treguar ai për gazetën «Berner Zeitung». Më tutje gazeta shkruan: «Në vitin 1993 ai erdhi nga Kosova në Zvicër, Federata Shqiptare e Futbollit atëbotë nuk kishte përfaqësues në Zvicër. Rama së pari dha gol pas goli për ekipin Interlaken, pastaj për Thun-in. (…) Terreni i tij ishte zona e rreptësisë. Valuta e tij ishin golat. Në sezonin e parë në Ligën e Parë të Futbollit të Zvicrës ai shënoi 20 herë. Shpërblimi: ishte shqiptari i parë që në vitin 2003 luajti për Zvicrën. Një vit më vonë ishte pjesë e ekipit në Kampionatin Europian të Futbollit në Portugali. <I pata bërë krenarë shqiptarët˃, thotë ai. Kolegët e tij të ekipit quheshin Berner, Müller, Vogel, Frei. Rama ishte ekzotiku».
Tani mbiemri Müller (i zoti i mullirit) është ekzotik në Kombëtaren e Zvicrës. Ashtu siç ishte ekzotik emri Konstantin Araniti në Mesjetë, i cili ishte Komandant i Gardës Zvicerane të Papës në Vatikan. Athua Konstantin Araniti e ka kuptuar fjalën kolovajzë?