Në kohën e karvanarëve dhe qerreve me kuaj

Nga hanet në qafëmale te hapja e hekurudhës së Gotthardit në vitin 1882, nga kisha në fshatin Wassen te filozofia e Nietzsches - dhe roli i cjapit në liqenin Silvaplana.

Karvane në alpe.



Këtu ekziston një kundërthënie që s’mund të zgjidhet. Me mjetet e reja të transportit njerëzit kalojnë fluturimthi nëpër treva e vendbanime, pa i prekur fare. Dikur, në kohën e karvanarëve dhe qerreve me kuaj, duhej ndërruar kuajt, duhej bujtur, duhej pritur ndërsa të pushonte shtrëngata. Kishte hane pranë udhës, në qafëmale një hospic, pushimore dhe vende për të ngrënë, dhe kështu vendorët binin pashmangshëm në kontakt me të huajt. Ndërkohë vendorët janë të dobishëm vetëm për ndonjë kontroll në rrugë apo mbi shina. Kësisoj, vetëm njerëzit e veçantë kalojnë nëpër këtë trevë dhe fillojnë muhabetin me vendorët. Megjithatë, ata kanë shumëçka për të treguar për atë se çka e përcakton jetën në një grykë siç është Reusstali. Mbi rrëzimin e shkëmbinjve dhe ortekët, mbi vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut, mbi vogëlsinë e fuqisë njerëzore përballë natyrës e tërbuar. Por edhe mbi natyrën e bërë zap: përmes liqeneve me diga dhe ndërtimeve që mundësojnë kalimin e sigurt. Mbi malet dhe zonat e mbrojtura.

Ndërtimi i hekurudhës së Gotthardit

Në rrafshin e Flüelenit, Aldorfit dhe Erstfeldit, aty ku treni futet si shigjetë në grykën e ngushtë, bëhet e dukshme se çfarë kanë bërë njerëzit nga peizazhi, ku kanë arritur të shtrihen. Kalatë mbisunduese na kujtojnë se që atëherë mbase nuk ishin mizorë vetëm habsburgasit, që u binin në qafë bujqve dhe fukarenjve, por se kishte edhe zotërinj vendorë, të cilët ua bënin jetën ferr bashkëkombësve të tyre dhe i shfrytëzonin. Tek pasi njëherë të arrihet ngushtica e grykës, bëhet e dukshme një kryeneçësi e dyfishtë. Së pari krenaria grandioze dhe kokëfortësia e inxhinierëve dhe ndërtimtarëve në gjysmën e dytë të shekullit të ’19, të cilët nuk u dorëzuan para asnjë shkëmbi, grykave dhe humnerave për të ndërtuar një linjë të sigurt hekurudhore nëpër terrenin e padepërtueshëm që ngjitet në lartësi. Me ndërtimin e hekurudhës së Gotthardit dhe të tunelit të Gotthardit ata realizuan një projekt ndërtimor, i cili edhe sot ngjall habinë tonë. Por krahas këtij shikimi të guximshëm dhe largpamës të planifikuesve të atëhershëm duhet ta respektojmë edhe një kryeneçësi tjetër: atë të malësorëve dhe ardhacakëve, të cilën e kanë siguruar ekzistencën e tyre nga vendi më i vështirë i natyrës. Ata kanë qëndruar këtu dhe janë kujdesur që së paku një pjesë e gjeneratave të ardhshme të qëndrojnë po ashtu këtu. Për t’u pasuruar këtu s’i ka shkuar mendja askujt. Por po ashtu në asnjë rrethanë nuk kanë dashur të dorëzohen, t’ia kthejnë shpinën dhe ta lënë të prishet! Kush ngjitet përpjetë nga Reusstali drejt Gotthardit, nuk sheh fshatra të braktisura dhe lagje të lëna pas dore. Këtu njerëzit qëndrojnë dhe vazhdojnë të jetojnë përkundër ngushtësisë dhe kufizimit!

Rikthimi i përhershëm: fshati Wassen

Befas një ishull: fshati Wassen me kishën e tij. Çdokush e njeh. Çfarë është livadhi në Rütli për mendimin e lirisë dhe të pavarësisë, kisha në Wassen është për vetëdijen e kohës, e cila nuk rrjedh vetëm në mënyrë lineare, por duket se sillet në rreth. Udhëtari e sheh kishën tri herë. Kjo u bëhet me dije edhe fëmijëve si leksion i parë gjatë mësimit të rikthimit të përhershëm. «Shikoni si rikthehen veprat dhe mbrapshtitë tuaja!», tërhiqte zakonisht vërejtjen mësuesi gjatë ekskursionit nëpër Wassen! Po të mos ishte cjapi në liqenin e Silvaplanas në vitin 1881, afër të cilit Nietzschen e pushtoi mendimi i rikthimit të përhershëm, kjo ka mundur të ndodhë një vit në vonë në Wassen, kur më 1882 u hap tuneli i Gotthardit dhe u çel rruga për në Itali për udhëtarët me tren. Deri në ditën e sotme syri që shikon në Wassen mund ta ushtrojë perspektivitetin e stilit të lartë, si ngjitje po aq sa edhe fundosje. Tri herë e njëjta, tri herë krejtësisht ndryshe. A mund të jetë që ne edhe në jetë sillemi në rreth dhe përherë shohim të njëjtën gjë nga këndvështrimet e ndryshme?

Përktheu: E. Robelli

(Iso Camartin, i lindur më 1944, është kulturolog, filozof dhe shkrimtar. Profesor shumëvjeçar i letërsisë retoromane në Universitetin e Zürichut, Camartin është një Homme des Lettres, një iluminist i pasionuar dhe çmontues mitesh. Ai u rrit në Disentis, ku ndoqi Gjimnazin Humanist në një manastir. Nga viti 1965 studioi filozofinë dhe romanistikën në München, Bolonjë dhe Regensburg. Promovoi më 1971 me një studim për Johann Gottlieb Fichten dhe Immanuel Kantin. Mes viteve 2000-2003 ai drejtoi sektorin e kulturës të televizionit të Zvicrës. Teksti i mësipërm është pjesë e librit të Camartin mbi Zvicrën. Në ditët në vijim dialogplus do të sjellë pjesë të tjera të këtij libri, i cili përmban një shpjegim mahnitës për Zvicrën).