Në Kërçovë zbulohen eshtra nga masakra serbe e vitit 1913

Mbetje eshtrash që besohet t’u takojnë viktimave të masakrës së vitit 1913 janë zbuluar në fshatin Zajaz të Kërçovës. Konkretisht në oborrin e shtëpisë së kreut të BDI-së, Ali Ahmeti. Historianët thonë se në këtë rajon serbët kanë kryer një masakër ndaj civilëve shqiptarë gjatë periudhës së kryengritjes së vitit 1913.

Memoriali Nëna Shqiptare në Zajaz, Kërçovë.

Edhe një varrezë massive që besohet të jetë nga masakra serbe e kryer ndaj civilëve shqiptarë gjatë periudhës së kryengritjes së shtatorit të vitit 1913. Eshtra, disa prej të cilave fillimisht të djegura dhe më pas të groposura, janë gjetur në fshatin Zajaz të Kërçovës, në oborrin e shtëpisë kreut të BDI-së, Ali Ahmeti. Ekspertë të fushës kanë marë përsipër analizat e mëtejme për të zbuluar periudhën e saktë, moshën e viktimave dhe rrethanat e vrasjes së tyre. Gjatë ekspozimit të eshtrave, një konferencë shtypi mbajti ish shkreu i Komunës së Zajazit, Musliu Musliu, i cili tha se sipas të njohurive të mëhershme, dyshohet që në këtë varrezë të jenë gjetuer trupat e rreth 60 personave. «Këto janë informacione nga Komisioni i Historianëve, i cili është votuar nga Këshilli i Komunës së Kërçovës dhe tanimë për opinionin e gjërë vendor dhe jashtë, dihet se është ndërtuar qendra përkujtimore Nëna Shqiptare, duke llogaritur në zbulimin e varreve masive, të cilat ne i kemi detektuar që nga viti 2013», tha Musliu, i cili shtoi se nuk dëshiron të japë më tepër hollësi, duke ua lënë këtë punë ekspertëve të fushës.

Pas publikimit të pamjeve të para nga varreza masive kanë reaguar historianë shqiptarë nga Maqedonia, të cilët kufomat i lidhin me periudhën e kryengritjes së vitit 1913. Historiani Vebi Xhemaili në një shkrim të tij thotë se në atë periudhë në fshatin Zajaz në fillim u masakruan 40 burra, të cilët u hodhën në pus nga një bandë çetnike serbe. Ndërsa në muajin tetor, nga po i njëjti fshat u vranë mbi 200 burra dhe u dogjën mbi 800 libra. Sipas Xhemailit, komanda serbe, për ta shuar kryengritjen e shtatorit të vitit 1913, kishte paraparë sulmin kundrejt Dibrës në tre drejtime; i pari ishte drejtimi Manastir – Ohër – Strugë, i dyti Tetovë – Gostivar – Mavrovë dhe drejtimi i tretë ishte Kërçovë – fshati Izvor – Dibër. Vija e rezistencës tani më tërhiqej nga Struga, Kërçova, Gostivari e sidomos në rrethin e Mavrovës. Sipas tij, ushtria serbe me luftë e pushtoi përsëri Kërçovën më 28 shtator 1913, kur janë kryer masakra edhe në qytetin e Kërçovës dhe fshatrat përrreth. «Kjo vërtetohet edhe në raportin ushtarak të njësitit serb Lazareviq, i cili lajmëronte komandantin e Armatës së III se, «pas luftimeve me shqiptarët, me njësitin tim e mora përsëri Kërçovën». Me këtë rast në qytetin e Kërçovës u vranë 70 burra nga të rrahurit dhe trupat e tyre u dogjën, këtë e verifikon Komisioni Ballkanik, i cili vazhdon më poshtë: «Në fshatin Plasnicë u gjetën 6 të vrarë dhe 40 të tjerë ishin vrarë në muajin tetor dhe ishin djegur 5 shtëpi. Poashtu edhe shumë fshatra të tjerë përrreth Kërçovës u dogjën dhe meshkujt u vranë e u masakruan. Në Kërçovë ndër të parët u vra Hoxha i qytetit», shkruan profesori universitar i historisë, Vebi Xhemaili. Sipas tij, masakrat e asaj periudhe ishin përgaditur nga nënprefekti dhe çetniku i njohur në Kërçovë me rrethinë, i ashtuquajturi vojvoda Brkiq, ndërsa me të vepronte Stanko Dimitriveviq dhe Mihajllo Josifoviq (Mikajl Brodit). «Në fshatin Zajaz në fillim u masakruan 40 burra, të cilët u hodhën në pus, nga një bandë çetnike-serbe. Në muajin tetor nga po i njëjti fshat u vranë mbi 200 burra dhe u dogjën mbi 800 libra. Këto forca çetnike përsëri iu vërsulën Kërçovës ku vranë mbi 184 vetë». Siç njofton i njëjti ushtarak, «çeta e kapitenit Danill Belimarkoviq edhe pse qëndroi heroikisht, prapë se prapë regjimenti i tretë në përleshje me vendasit humbi 40-50 njerëz. Nga humbjet që pësoi ushtria jonë (serbe) në luftimet kundër mbrojtësve të këtij katundi dhe katundarëve përreth, u hakmorëm duke e djegur Zajazin dhe duke vrarë mbi katërdhjetë fshatarë», shkruan historian Vebi Xhemaili.

Ky nuk është zbulimi i parë i mbetjeve të eshtrave të njerëzve në këtë rajon. Kohë më parë, në një shpellë në afërsi të fshatit Dardhë po në Kërçovë, u zbuluan mbi 50 kafka të njerëzve të cilat më pas u morën nga institute për mjekësi ligjore dhe prokuroria publike për hetime të mëtejme. Hetimet vazhdojnë edhe gjatë kësaj periudhe. Vlerësimet e para ishin se ujërat nëntokësorë dhe rrëshqitjet e tokës mund të kenë sjellë kafkat nga ndonjë lokacion tjetër, por sipas disa gojdhënave që qarkullonin në Kërçovë, pretendohet se edhe kafkat u takojnë viktimave nga pushkatimet e shqiptarëve pa gjyq gjatë periudhave të luftërave të para shumë dekadave.