Në kantonin Thurgau të Zvicrës tregtia me drogë është në duar të shqiptarëve dhe serbëve

Grupe të organizuara nga Ballkani dhe sidomos nga Shqipëria janë furnizuesit kryesor të të varurve nga droga.

Foto: Shutterstock.com



Një shqiptar 27-vjeçar pret në një vend për parkimin e veturave në qytetin Frauenfeld. Me vete ai ka 700 gramë kokainë. Qëllimi i tij është t’ia dorëzojë kokainën një personi tjetër. Ky aksion i tij dështon për shkak se ndërhyjnë policët dhe e arrestojnë shqiptarin. Dy javë më vonë policët hetues kontrollojnë një 19-vjeçar. Në rrobat e tij ata gjejnë disa porcione heroinë, shkruan gazeta «Thurgauer Zeitung». Edhe ky person rrjedh nga Shqipëria. Të dy personat e arrestuar po qëndronin në kantonin Thurgau si turistë. Shtetasit e Shqipërisë nuk kanë nevojë të pajisen me vizë për të qëndruar në territorin e shteteve të Schengenit.

Mbi dhjetë herë gjatë këtij viti policia në kantonin Thurgau ka arrestuar të dyshuar për tregti me drogë. Në pesë raste të arrestuarit kanë qenë shtetas të Shqipërisë. Zëdhënësi i policisë së këtij kantoni është i bindur: «Tregtia me heroinë dhe kokainë dominohet nga grupet që vijnë nga siujdhesa ballkanike». Fjala është, sipas tij, për grupe nga Shqipëria dhe Serbia.

Policia Federale e Zvicrës ka informacione se viteve të fundit në disa vende të Europës Juglindore bandat e tregtarëve kanë hapur depo të drogës. Ato furnizohen nga grupe të dominuara prej turqve. Shpërndarjen e drogës në Europë kryesisht e marrin mbi vete grupet shqiptare, thekson policia. Si mjete transporti shërbejnë shpesh veturat dhe kamionët, por edhe autobusët. Sipas Policisë Federale të Zvicrës grupet shqiptare janë të organizuara në mënyrë hierarkike. Secili anëtar ka një funksion të caktuar. Në Zvicër droga futet përmes Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Austrisë. Pastaj droga deponohet në Zvicër dhe u shpërndahet dilerëve, të cilët veprojnë në kantonet zvicerane dhe furnizojnë konsumuesit. Për të luftuar këtë veprimtari policia e kantonit Thurgau bashkëpunon me polici të kantoneve të tjera. Në pranverë të këtij viti policia e kantonit Thurgau, në bashkëpunim me autoritetet e Gjenevës, zbuloi në një hotel në Romanshorn katër kilogramë heroinë dhe një kilogram kokainë. -lli