Në janar 2017 themelohet Agjencia e të Hyrave e Kosovës

Ministria e Financave organizoi diskutimin e dytë publik me palët e interesit dhe donatorët për bashkimin e ATK-së dhe Doganës në një Agjenci të vetme tatimore.

Në tryezën e dytë për Projektligjin për Agjencinë e Tatimit dhe të Doganës së Kosovës, të organizuar nga Ministria e Financave dhe Grupi Koordinues, u tha se synimi i Qeverisë së Kosovës për themelimin e Agjencisë së Tatimit dhe Doganës së Kosovës është edhe një sfidë para vetes për të pasur një agjenci moderne tatimore e cila do të sigurojë efikasitet dhe drejtësi për qytetarët dhe bizneset gjatë përmbushjes së detyrimeve të tyre tatimore si dhe për krijimin e lehtësirave për të zhvilluar biznes në shtetin e Kosovës.

Gjatë diskutimit, ministri i Financave Avdullah Hoti theksoi se gjatë kësaj periudhe, pra nga diskutimi i parë e deri më tani, janë zhvilluar takime të shumta me palët e interesit për të cilat tha se është shumë mirënjohës për ndihmën dhe kontributin e tyre për ta kompletuar këtë Ligj dhe theksoi se kanë pasur edhe vlerësime të larta nga ta se ky Ligj është i hartuar mirë dhe në mënyrë shumë profesionale.

«Njëkohësisht vlerësoj lartë edhe punën e Grupit Koordinues të Ministrisë së Financave, Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës për përgatitjen e këtij Ligji i cili do të dorëzohet së shpejti në Qeveri për miratim», tha ai.

Gjithashtu Hoti shtoi se në janar të vitit 2017 do të filloj së zbatuari edhe ky ligj me të cilin themelohet Agjencia e të Hyrave e Kosovës ku do të shihen edhe efektet e para të një agjencie të vetme të të hyrave tatimore, qasja ndryshe për qytetarët dhe bizneset, «pra do të kemi një modernizim tatimor i cili do të jetë në harmoni me legjislacionin e BE-së si dhe është një nga reformat më të mëdha në Administratën Publike në Kosovë».

Ndërsa kryesuesi i Grupit Koordinues për bashkimin e Doganës dhe ATK-së, Ekrem Hysenaj tha se për ta përfunduar një ligj të tillë i cili ka për qëllim krijimin e një agjencie të vetme të të hyrave është dashur të zhvillohen aktivitete të shumta me të gjitha palët e interesit, ku Grupi Koordinues ka marrë të gjitha sugjerimet dhe e ka bërë draftimin e «Projektligjit për Agjencinë e Tatimit dhe Doganës së Kosovës» sipas të cilit përcaktohen parimet bazë të organizimit, funksionimit, kompetencat, të drejtat dhe obligimet nga marrëdhënia e punës, si dhe çështje tjera të cilat lidhen me funksionimin e Agjencisë nga viti 2017 e tutje.