Në Indi, për të shëruar zemra: kardiologu Florim Cuculi flet për eksperiencën e tij me pacientë të subkontinentit

Kardiologu Florim Cuculi, i cili punon në spitalin e Luzernit në Zvicër, flet për përvojat e tij si mjek në Indi, ku po qëndron në kuadër të një projekti për t’iu ofruar ndihmë kolegëve nga ky shtet me 1,2 miliardë banorë.




Florim Cuculi, ju gjendeni tani në Ahmedabad të Indisë. Cili është qëllimi i qëndrimi tuaj në këtë qytet?

Florim Cuculi: Kam ardhur këtu për të bërë të njëjtën punë që e bëj në Zvicër, domethënë për t’iu dhënë ndihmë pacientëve që kanë sëmundje koronare. Unë kam ekspertizë të madhe në implantimin e stentave biorezorbues (dmth. stentat që pas 3 viteve zhduken nga arteria koronare) dhe më kanë ftuar këtu për ta shpërndarë eksperiencën time me kolegët indian.

Cilat janë përshtypjet tuaja të para nga ky qytet?

Është hera e parë që vij në Indi dhe çka më bie në sy është dendësia e popullatës, është vërtet e lartë. Është qytet konservator, ku nuk pihet alkool dhe nuk hahet mish. Mësova që Mahatma Gandi këtu e ka filluar marshin e tij për pavarësi të Indisë.

Si janë kushtet e sigurisë?

Kushtet e sigurisë janë të mira, e ndjej veten të sigurt. Por është pak e çuditshme që kur hyn në hotel veturën e kontrollojnë me një detektor për të parë mos ka ndonjë bombë të fshehur.

Cili është plani juaj në ditët në vijim?

Një ditë do jem në Ahmedabad, pastaj një ditë në një qendër tjetër në qytetin Baroda. Pastaj do vazhdoj në Bangalore në dy qendra të tjera, para se të kthehem në Zvicër. Në secilën qendër do të punoj nga një ditë. Zakonisht nga pacientët preferohet t’i trajtoj një mjek i huaj. Tani ma dërguan një reklamë nga një gazetë, ku pacientët informoheshin që do të trajtohen nga unë.

A mund të bëni një krahasim mes sistemit shëndetësor në Indi dhe Zvicër, ku ju punoni si specialist i sëmundjeve të zemrës?

Zvicra ka sistem të shkëlqyeshëm dhe pak vende të tjera në bote (p.sh. shtetet skandinave) mund të konkurrojnë me këtë sistem. Në Indi pacienti paguan intervenimin nga xhepi. Ky është ndryshimi më i madh. Sektori shtetëror është i dobët dhe intervenimet komplekse bëhen në spitalet private.

Ju ka rënë në sy ndonjë gjë në Indi që ju kujton Ballkanin? Ju pjesërisht jeni rritur në Kërçovë të Maqedonisë.

Pyetje shume interesante dhe stimuluese. Kur del nëpër qytet në Indi, atëherë Ballkani të duket shumë i qetë – edhe pse nga perspektiva e «zviceranit» Ballkani të duket disa herë pa ndonjë rregull. Ditët e ardhshme do të jem pak më i kujdesshëm duke kërkuar paralelet e Indisë me Ballkanin.

Sa e rëndësishme është për ju si mjek dhe shkencëtar përvoja në Indi?

Për mua është me rëndësi të ndihmoj dhe këta njerëz të përfitojnë nga unë. Edhe unë përfitoj nga kontaktet, nga eksperienca e një vendi me një sistem krejtësisht tjetër, por kryesorja është që kolegët dhe pacientët indian të jenë të kënaqur nga trajtimi i shqiptarit me pasaporte zvicerane. Është interesante që shumica e njerëzve këtu kurrë nuk kanë dëgjuar për Kosovën apo Ballkanin në përgjithësi.

Dihet se shoqëria në Indi është e organizuar në kasta. Cilës kastë i përkasin pacientët tuaj?

Unë nuk jam shume i informuar për detajet e këtij sistemi, por, për fat të keq, këtu kastat e ulëta nuk trajtohen me stenta. Pra, bëhet fjalë për njerëz që mund të paguajnë koston e intervenimit. Një stent biorezorbues këtu kushton 3500 euro. Mund pra ta paramendoni sa të pasur duhet të jenë pacientët, pasi që gjithçka e paguajnë nga xhepi.