Në Gjermani vjen refugjati më i moshuar: një 110-vjeçar nga Afganistani

Aktualisht në Gjermani për çdo ditë po mbërrijnë deri në 10 mijë refugjatë. Qeveria ka vendosur të ashpërsojë masat kundër refugjatëve nga vendet e Ballkanit.

Foto: Shutterstock



«Në katër ditët e fundit kemi pasur 8000, 9000, 10’000, për çdo ditë». Kështu deklaroi të martën ministri i Brendshëm i Gjermanisë Thomas de Maizière në Berlin. Ai tha se shtatori do të jetë një muaj rekordesh sa i përket ardhjes së refugjatëve në Gjermani. Në gusht, deklaroi ministri, në Gjermani kanë ardhur 105’000 refugjatë. Në mesin e të ardhurve ka të tillë që janë regjistruar në kufi, por edhe të tjerë që kanë hyrë në Gjermani dhe tek pastaj janë lajmëruar pranë autoriteteve. Policia federale gjermane ka konfirmuar një lajm të televizionit të Bavarisë se në qytetin Passau është regjistruar refugjati ndoshta më i moshuar deri më tani. Bëhet fjalë për një 110-vjeçar nga Afganistani, i cili kishte udhëtuar një muaj për të arritur në Gjermani. E bija e tij 60-vjeçare i tha policisë se në shumë segmente rrugore meshkujt e familjes e kishin bartur në krahë plakun, i cili është shurdhmemec.
Ministrja e punëve të Brendshme të Austrisë Johanna Mikl-Leitner ka thënë se nëse vazhdon ky ritëm i ardhjes së refugjatëve, atëherë mund të jetë i domosdoshëm përdorimi i forcës në kufi. Nëse nuk gjendet një zgjidhje ndërkombëtare, atëherë ekzistojnë dy mundësi: «Ose një qasje si deri më tani apo një veprim më i ashpër në kufij, kjo domethënë: me përdorim dhune. Atëherë do të kemi imazhe si në Maqedoni, për këtë duhet të jetë i vetëdijshëm secili». Të martën qeveria e Gjermanisë ka miratuar një pako ligjesh për ndryshimin e disa dispozitave të azilit. Ligjet synojnë përshpejtimin e procedurave të azilit për ata persona që nuk kanë shans për strehim në Gjermani. Ligjet pritet të hyjnë në fuqi më 1 nëntor dhe do të godasin sidomos refugjatët nga vendet e Ballkanit. Në të njëjtën kohë refugjatët sirianë, të cilët kanë shanse për azil, do të integrohen më shpejtë në shoqërinë gjermane. Për këtë qëllim qeveria u ka premtuar landeve dhe komunave ndihmë financiare.
Në aspektin financiar Gjermania duket se nuk do të ketë problem të ballafaqohet me dramën e refugjatëve. Sipas të dhënave të Entit Federal të Statistikave të gjitha organet shtetërore në gjysmën e parë të këtij viti është regjistruar një suficit prej 21,5 miliardë euro. Prej kësaj shume ministri i Financave dëshiron t’i ndajë 5 miliardë për t’i mbështetur landet. Parashihet që landet për çdo refugjat dhe muaj nga qeveria të marrin një shumë paushalle prej 670 euro. Gjithashtu planifikohet ndërtimi i banesave sociale.
Gjermania njëkohësisht do t’i shpallë të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën dhe Shqipërinë, si vende të sigurta në mënyrë që refugjatët nga këto vende të kthehen në shpejt nga kanë ardhur. Refugjatët nga Ballkanit gjatë procedurës së azilit do të qëndrojnë në qendrat e pranimit dhe do të marrin vetëm ushqim dhe veshmbathje, por jo edhe para në dorë, si deri më tani. -lli