Në fund të hekurudhës së Gotthardit

Të rrish në shtëpi është një gjë. Por, vetëm kush udhëton, ai vëren se caku i vërtetë i udhëtimit të tij jetësor gjendet diku në largësi. «Udhëto atje! S’dua të pyes se ku përfundon rrugëtimi!»

Pamje nga Tiçino.



Kur treni kalon digën afër Melides, në drejtim të Capolagos, Mendrisottos dhe Chiassos, atëherë bëhet e kapshme magjia e natyrës liqenore paraalpine e Italisë së Epërme. Ajo i ka bërë të merren me të gjenerata të tëra turistësh, të cilët asnjë vend të botës nuk e kanë përjetuar si më të dashur dhe më të këndshëm sa i përket klimës. Pa marrë parasysh a bëhet fjalë për Lago Maggiore, Liqenin e Luganos apo atë të Comos: në brigjet e tyre ndihet diçka nga «suavitas», një butësi dhe lehtësi ledhatuese e jetës, të cilën artistët e kanë lavdëruar vazhdimisht, në piktura, poezi, në muzikë. Natyrisht në tren kjo vetëm mund të paramendohet. Sepse në fund të vijës hekurudhore të Gotthardit gjendet Chiasso: një vend i pajisur me të gjitha shëmtitë e pikëkalimeve kufitare me shumë gjallëri. Por, të mos i nënçmojmë pikëkalimet kufitare! Me sa duket ato duhet të ekzistojnë në mënyrë që të jetë e mundshme fqinjësia e mirë mes vendeve dhe popujve. Në mënyrë që të vyeshmit të marrin tagrin e tyre, kopukët të tremben dhe shtetet të arkëtojnë taksat e tyre doganore. Në shumë trena këtu ndërrohet personeli. Ku tjetër pos këtu mund të vëzhgohen stilet dhe veçoritë nacionale? Pasaportat kontrollohen, po ashtu edhe valixhet, shtrohen pyetje mbi mallrat që keni marrë me vete. Disa bashkëudhëtarë janë lehtë të brengosur, të tjerët imitojnë shkathtë qetësinë dhe rehatinë shpirtërore. Jo çdokush lëvizë me kaq përvojë në parketin ndërkombëtar. Burrat e kontrollit kufitar braktisin vagonin thua se bota këtu është në rregull. Tek tani përnjëherë e ke të qartë: njeri i gjallë nuk do të rri në Chiasso! Pashmangshëm duam të shkojmë më tutje.

Ende nuk kemi arritur atje ku dëshironim të shkonim. Por, ku duam të shkojmë? A nuk ishte shtegtimi caku i vërtetë i udhëtimit? Ecja nëpër hapësirë e kohë, nëpër treva e fshatra, nëpër lugina e gryka? Kemi parë maja dhe akullnaja, liqene dhe brigje të tyre, lagje të ndërtuara dhe vende të egra e të pabanueshme. Kemi përjetuar se çfarë pengesa ka arritur të kalojë arti i inxhinierëve të ndërtimit, çfarë linja të drejta kanë ditur të tërheqin në trevën kurrizdalëse, me çfarë spirale elegante kanë mposhtur lartësitë, me çfarë harqesh të hovshme kanë kaluar thellësitë. A është kjo çfarë duam të shohim dhe përjetojmë? Vetëm me këto nuk e kemi parë Zvicrën. Prej 26 kantoneve vetëm disa i kemi prekur. Mungojnë rajone të tëra: Jura, Zvicra qendrore, trevat me liqene në lindje dhe në perëndim, përreth Liqenit të Konstancës dhe atij të Lemanit. Brendinë e qyteteve e kemi prekur pak, po aq pak sa pjesët periferike dhe pa njerëz. I kemi lënë anash zonat industriale, nyjat e transportit dhe shumicën e pikave atraktive turistike. Zvicra është vend i vogël, megjithatë duhet shumë kohë derisa e ke parë se si është ajo me të vërtetë. Por, a duhet t’i shohësh të gjitha që të ndihesh mirë në një vend?

Gjatë udhëtimit në jug neve na josh diçka në largësi, diçka që është krejt ndryshe nga ajo që njohim dhe duam. Për disa është deti. Për të tjerët shkretëtira. Sërish për të tjerët pazari i një qyteti të panjohur dhe të huaj. Ndoshta e gjithë kjo është vetëm horizonti, i cili largohet kur ecim drejt tij.

Të rrish në shtëpi është një gjë. Por, vetëm kush udhëton, ai vëren se caku i vërtetë i udhëtimit të tij jetësor gjendet diku në largësi.

«Udhëto atje! S’dua të pyes se ku përfundon rrugëtimi!»

Përktheu: E. Robelli 

(Iso Camartin, i lindur më 1944, është kulturolog, filozof dhe shkrimtar. Profesor shumëvjeçar i letërsisë retoromane në Universitetin e Zürichut, Camartin është një Homme des Lettres, një iluminist i pasionuar dhe çmontues mitesh. Ai u rrit në Disentis, ku ndoqi Gjimnazin Humanist në një manastir. Nga viti 1965 studioi filozofinë dhe romanistikën në München, Bolonjë dhe Regensburg. Promovoi më 1971 me një studim për Johann Gottlieb Fichten dhe Immanuel Kantin. Mes viteve 2000-2003 ai drejtoi sektorin e kulturës të televizionit të Zvicrës. Teksti i mësipërm është pjesë e librit të Camartin mbi Zvicrën. Në ditët në vijim dialogplus do të sjellë pjesë të tjera të këtij libri, i cili përmban një shpjegim mahnitës për Zvicrën).