Në Ferizaj fillon ndërtimi i Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në vënien e Gurthemelit të Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publike në Ferizaj, njofton kumtesa nga Kryeministria, transmeton Koha.net.

Para të pranishmëve kryeministri Mustafa, vlerësoi të rëndësishëm këtë investim, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë për shëndetin publik.
Ai theksoi se në ditët e ardhshme do të vihet themeli edhe i Spitalit Rajonal në këtë komunë.

Mustafa tha se është me rëndësi themelore që qytetarëve t’iu ofrojmë shëndet të mirë, që të përkujdesemi për ta.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani shprehu kënaqësinë për realizimin e këtij projekti, duke theksuar rëndësinë që ka ky institut për qytetarët ferizajas.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, tha se kjo ditë është e shumëpritur për shëndetësinë e Ferizajt dhe të gjithë Kosovës, meqë tashmë po kompletohet një rrjet i rëndësishëm në mbulimin e aktiviteteve të shëndetësisë publike dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe jongjitëse, që në këto treva kanë marrë shumë jetë në të kaluarën dhe të tashmen.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, tha se ngritja e këtij instituti për qytetarët e Ferizajt është një emocion i veçantë, i cili do të zgjidhë problemin e komplekseve të Instituteve të Shëndetit Publik dhe komplekseve spitalore në rajonin e Ferizajt.