Në epokën e lajmeve të rreme, na duhet një medium i pavarur publik – edhe në Zvicër

Zvicra do të votojë më 4 mars 2018 mbi iniciativën, që bën thirrje për heqjen e parapagimit për radion dhe televizionin publik. Por, çfarë pasojash do të linte heqja e parapagimit dhe cilat janë qëllimet e vërteta të iniciatorëve?




Iniciativa kundër «Billagut», siç quhet kompania që merret me inkasimin e parapagimit për radiotelevizionin publik zviceran, është një sulm frontal nga qarqet radikale të Zvicrës kundër shërbimit medial publik SRG dhe kanaleve të tij – SRF, RTS, RSI, RTR dhe SWI, të cilat janë shtyllat kryesore e transmetimit të informatave për gjithë popullatën në Zvicër në katër gjuhë dhe përbëjnë një pjesë elementare të opinionit të pavarur në Zvicër. Atë që iniciatorët fshehin është fakti se parapagimi nuk është vetëm burim financiar për SRG-në, por nëpërmjet koncesioneve financon dhe 34 stacione radio dhe televizione rajonale dhe lokale.

Miratimi i iniciativës do të ketë si pasojë dobësimin e hapësirës së medias dhe do të nënkuptojë fundin e SRG dhe 34 transmetuesve privatë dhe fundin e informacionit neutral dhe të pavarur në katër gjuhë. Në këtë mënyrë rrezikohet edhe shumësia gjuhësore e Zvicrës dhe shkëmbimi i informacionit mes pjesëve të ndryshme të vendit. Në epokën e lajmeve të rreme (Fake-News) dhe dezinformimit të publikut, një medium i pavarur dhe i financuar nga qytetarët është më shumë i nevojshëm se kurrë.

Nëse e shikojmë spektrin mediatik në Zvicër, shohim se një pjesë dërmuese e shtëpive mediatike private kontrollohen nga miliarderë, të cilët punojnë me agjendën e tyre dhe aspak nuk e pasqyrojnë interesin e përgjithshëm të qytetarëve.
Boshllëku mediatik dhe informativ që do të krijohej me pranimin e iniciativës «No Billag» do të mbushej vetëm nga njerëz me kapital të madh, siç është miliarderi dhe politikani i të djathtës ekstreme, Christoph Blocher, i cili qëmoti ka filluar t’i përvetësojë shtëpitë mediale private dhe në të ardhmen ai do të vendoste konceptin e tij politik mbi interesat shtetërore. Shikuar nga aspekti i migrantëve nuk duhet të harrojmë se partia e tij në të kaluarën ka bërë fushatë të madhe antishqiptare.

Televizioni publik zviceran u ka dhënë migrantëve mundësinë t’i shprehin opinionet e tyre dhe ka pasqyruar një pikëpamje reale dhe të pavarur mbi ta. Rreziku që i kanoset neutralitetit zviceran nga kjo iniciativë ka nxitur edhe delegatët e partisë liberale FDP, të cilët njihen si parti e cila propagandon më pak shtet, të votojnë me një shumicë dërmuese prej 204 me 82 vota kundër iniciativës «No Billag» dhe pro SRG-së. Të vetmit që kanë mbetur pro kësaj iniciative janë ata të cilët e duan zhbërjen e institucioneve të pavarura dhe vetë konceptin e shtetit, i cili ka bazament parimin e solidaritetit. Një «jo» për iniciativën «NO Billag» nënkupton pavarësi mediale, shumëgjuhësi, informim të paanshëm dhe lajme serioze.

Reis Luzhnica është kandidat i Partisë Socialdemokrate për asamblenë komunale të qytetit të Zürichut.
Florim Kadriu është politikan lokal i Partisë Socialdemokrate në Baden.